Kamza pritet të bëhet nga themelet
Bashkia mendon të bëjë një riformatim të strukturës së shoqërisë, ndërsa skuadra e sezonit të fundit konsiderohet e shkrirë prej një muaji
Sezoni futbollistik i Kamzës ka përfunduar me ndeshjen e play-out-it me Besën, që u zhvillua më 18 maj, kur kamzalinjtë u mundën 2-0 nga Besa dhe zbritën nga Superliga në Kategorinë e parë.
Ka kaluar një muaj nga ky dështim i kamzalinjve, por te blutë ende nuk ka ardhur koha për reflektim, ndonëse priteshin të ndodhnin shumë ndryshime. Gjasat janë që në sezonin e ri të mos funksionojë binomi i përbërë nga bashkia e qytetitdhe presidenti Naim Qarri, kjo për vetë problematikën që ka dalë pas zbritjes së ekipit në Kategorinë e Parë.
Prej një muaji, kur flitet për Kamzën, gjërat shkojnë në kuadrin e hamendësimeve, pasi asgjë nuk është publike. Mendohet se bashkia po përgatit një plan të ri riorganizimi për ekipin e futbollit, ku planifikohen se gjërat do të bëhen nga e para.
Që do të ketë afrime sponsorësh të rinj, kjo është më e mundshmja e pritshme, por flitet se bashkia po studion një plan rindërtimi të Kamzës, në mënyrë që të mos bjerë pre e ndonjë bllokimi që mund të vijë nga aksionari me shumicën dërrmuese në shoqëri, Naim Qarri, i cili ka 51% të aksioneve.
Presidenti Naim Qarri e ka bërë të qartë platformën e tij, duke u shprehur se aksionet i vë në shitje dhe do të jetë tregu ai që do ti vlerësojë, ku mbetet i hapur për çdo blerës.
Por për bashkinë kjo është nismë bllokuese dhe abuzive, megjithëse presidenti Qarri ka pohuar se do të kërkojë investimin e tij, jo përfitim të paligjshëm. Brenda këtyre ditëve, Bashkia e Kamzës, me anë të Këshillit Bashkiak, pritet të nisë nismën për riorganizmin e skuadrës së sezonit të ri, ku parashikohet një konfigurim nga e para i të gjithë strukturave.
Kjo vonesë mund ti kushtojë shtrenjt Kamzës, pasi mund të bëhet vonë për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Për momentin Kamza ekziston vetëm si emër, pasi grupi është shpërndarë dhe pjesa dërrmuese e lojtarëve vijojnë pushimet.
Por ka pasur edhe nga ata lojtarë, të ciltët e kanë bërë zyrtar divorcin, duke shpalosur destinacionin e ri. Me sa duket, pushimet verore të kamzalinjve do të jenë të gjata, pasi e tillë është edhe sinoptika, pasi ky pushim po u shijon të gjithëve.
