Elbasani shkarkon Mirel Josën
Mirel Josa shkarkohet nga drejtimi i Elbasanit. Drejtuesit e 2-herë kampionëve të Shqipërisë e larguan trajnerin tiranas pas humbjes 1-0 me Lushnjën. Elbasani ndodhet pas 19 javësh në vendin e 9-të (23 pikë), me katër pikë më shumë se Partizani (19 pikë).
Gjatë 19 javëve të tij Josa koleksionoi 5 fitore, 8 barazime, 6 humbje, duke pasur dhe një bilanc negativ golaverazhi 16:17. Zëvendësuesi i Mirel Josës pritet të jetë një trajner serb. Josa është trajneri i tretë i larguar brenda dy javëve të para të vitit 2009. I pari ishte Edmond Liçaj i shkarkuar nga pankina e Flamurtarit pas humbjes së skuadrës së tij me Apoloninë (0-2) në Vlorë. I dyti ishte kroati Zlatko Daliç, i cili u vetëlargua pas humbjes së Dinamos me Partizanin (1-0). Të vetmit trajnerë të mbijetuar janë Agim Canaj (Vllaznia), Gugash Magani (Shkumbini), Sulejman Starova (Teuta).Pas fitores së arritur në Durrës ndaj Teutës u duk sikur Elbasani po rikthehej në një formë të mirë dhe do të bënte një pjesë të mbetur të sezonit të mirë por humbja ndaj myzeqarëve të vendit të fundit nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve verdheblu të cilët kanë shkarkuar ish trajnerin e Tiranës dhe Skënderbeut.