Korrupsioni seksual në oborrin e Stalinit
Kujtimet e artistes së Operës së Teatrit Balshoi, Vera Aleksandrovna Davidovës, janë burimi themelor i këtij shkrimit tonë. Do të na shërbejnë edhe disa materiale nga vepra interesante e kaukazianit Abdurrahman Avtorkhanov, me titullin “Vrasja e Stalinit” dhe me okielon “Komploti i Berias”. Do të dëshironim të mbështeteshim te vepra e famshme e Simon Sebag Montefiores, jo vetëm se vepra e tij është botim i “55-s, jo vetëm se “Njerëzit e Stalinit, Një tiran, bashkëfajtorët dhe viktimat e tij” është një kryevepër e ndryshme nga të gjitha të tjerat për diktatorin sovjetik, - siç shkruan Luçia Anunciata në “La Stampa”, por edhe se autori i librit të sapo cituar është një mik vetjak i gazetës sonë, çdo citat i të cilit është i dokumentuar në një bibliografi prej 400 veprash për referencë. Veçse kjo tematikë e posaçme me të cilën po merremi këtë herë, është shkruar nga artistja e bukur dhe nga më të shquarat e Balshoit, e cila nuk do të mund të shkruhej pa atë dukuri të jashtëzakonshme që përmendet si “Destalinizimi në BS”.
Libri i artistes mban titullin “Rrëfim i së dashurës së Stalinit”. Vera Davidova ishte 25 vjeçe kur Stalini u magjeps pas Veroçkës në Balshoi, së bashku me anëtarët e Byrosë Politike, në llozhën e zgjedhur të hierarkëve. Ndërkaq, pas triumfit të saj, Vera gjeti në xhepin e palltos së saj të madhe, një copë letër. Atje ftohej në banesën e të madhit. Porositej që ta griste letrën. A mund të mos vinte? Ishte si ajo “Uis primae noctis”, e drejta e natës së parë e çifligarëve, në mesjetë. Filloi jeta e saj e dyfishtë, me teatrin, provat, shfaqjet, koncertet dhe “me trillet e Stalinit, pasionante dhe hera-herës histerike”. Ditarin Vera ia besoi shkrimtarit Leonard Hendlin, tek i cili kishte besim të plotë. Materialet dhe faktet i mori përsipër t’ia thoshte ajo. Kështu u bë kjo vepër me bashkautorësí. Nga ditari vihemi në dijení, qysh në fillim, se ajo ishte e ndarë me të shoqin, Dimitri Gabrilloviç Mçenixe-Juzhnin. Ata që nuk i duronte dot ishin kryesigurimsat Jagoda dhe, pas tij, Jezhovi, si edhe Vishinski e grabitësi i shënimeve të Krikovit për Donin e Qetë, plagjiari Mihail Shollohov. Stalini herë e ngopte me fjalë të bukura Veroökën, herë e vulgarizonte me fjalë të ndyra. Çuditërisht ishte një gjurmues i tmerrshëm. E kuptonte shumë mirë se në oborrin e tij të vilës Kuncevo, ku mblidheshin thuajse të gjitha mbrëmjeve, i nuhaste të gjithë ata që e shihnin me sy prej pushti. - “Po t’u japësh pushtet këtyre fundërrinave dhe t’ua lëshosh kapistallin, pa teklif fare të përdhunojnë, mu në dhomën ku po u jap të hanë e të pinë. Këta derra duhet t’i mbash nën fré” - i thoshte Stalini kur ishin vetëm. Vera vetë shkruante në librin e saj që kjo vepër po shtonte në peshë, se gjatë njohjes me Stalinin, ky tallej me Enukixen, Mikojanin, Orxhonikixen, Budionin, Krushovin, Mehlisin, por edhe me Berian.
Vetëm se Natasha që i bënte masazh pas banjës, ishte spiunia e Berias dhe Vera nuk kishte rënë, megjithatë, në kurthin e provokimeve të saj. Ndërkaq, Mareshali Tukaçevski i kishte bërë përshtypje të mirë Verës. Ai ishte aristokrat në prejardhje, i binte bukur violinës dhe kishte sjellje fine me Verën. Po ashtu artistja kishte simpati edhe për Boris Pilnjakun, i cili e pësoi nga i intrigat e Shollohovit. Vera kishte rolin e Aksinjës në Donin e Qetë dhe Shollohovi i përzihej regjisorit dhe këngëtarëve me arrogancë. Vera i kishte thënë se merresh me gjëra për të cilat s’ishte kompetent! Grindja kishte bërë përshtypje. Në këto raste Vera i rrëfehej Stalinit. E dinte se atij grindjet e bujshme i vinin në vesh dhe ajo ia thoshte, si në mirëbesim. Në këto raste Stalini dinte t’i thurte komplimenta. Madje, meqë kur e kishte pyetur se ku banonte, ajo i tha “në konvikt, në një dhomë”. Stalini i dhuroi një apartament katër dhomash, me të gjitha komoditetet, me librari dhe me valixhe të cilat, kur i hapi, kishte aty të gjitha llojet e veshjeve , pikërisht në përmasat e trupit të saj! Molotovi, Malenkovi dhe Kirovi e kishin mbytur me komplimenta. Vetëm për Kirovin i kishte treguar Stalinit, sepse fjalët e tij nuk ishin komprometuese. Ndërkaq këtë Stalini e kishte marrë vesh që më parë. Nga ana tjetër kujtonte se do ta bënte xheloze Verën, sepse balerina Ollga Lepeshinskaja, po i përdridhej vetë. Tri-katër shoqe të Ollgës, bënë edhe ato të njëjtën gjë. Por a ia dilte dot Stalini të katërtave? Sidoqoftë, Verës kaq i bënte, se asaj, kur i vinte orari, mezi i bënin këmbët për t’i vajtur në vilën e Kuncevos, nja 20 km. larg Moskës. Tashmë vetëm Vera ishte e përmbajtur, në atë koleksion të përdalash, ku llagavitej edhe plakushi Kalinin (Presidenti), por edhe Voroshillovi, Vishinski e mjaft të tjerë, nga “baballarët e kombit! - siç i quante me ironi V. Davidova në librin e saj, që po plotësonte faqet. Malenkovi, duke iu vardisur edhe ai Verës, i kishte thënë se ishte në dijení që shoku Stalin i ishte përveshur këngëtares së vogël bukuroshe, Zllatogorovës. Puna ishte trashur aq sa Jagoda i kishte vajtur në shtëpinë e saj të re dhe ishte duke i thyer derën, po të mos ia hapte Vera me të mirë. Por Vera i telefonoi menjëherë byroistit Malenkov, që kishte në ngarkim edhe Sigurimin. Dhe puna u mbyll me kaq. Stalini ishte shprehur se do t’u vijë koha edhe këtyre azganëve!
Më së fundi Stalini kujtohet për shpenzimet, lumë. Luksi, i jashtëzakonshëm. Njëra vilë më madhështore se tjetra. Pikturat më të shtrenjta, merreshin me ca qindarka, sa për të thënë, në magazinat e depozitimit të pasurive të reaksionarëve të shpronësuar. I mbledh të gjithë patricët Stalini dhe u thotë: - “Jeni bërë të gjithë fisnikë. Keni harruar fëmijërinë kur ishit loparë me era bajgë, qyrranjosë! Kanë harruar maskarenjtë e reparteve të uzinave, jetën e kasolleve me morra. Voroshillov, o qen i zgjebosur: Sa rubla të thata ke fshirë nga borxhi i shtetit për shkëlqimin tënd të rremë? Voroshillovi, me qëndrim gatitu: - Shoku Stalin, baba i dashur! I shërbejmë Atdheut sovjetik me besnikëri e drejtësi – pëshpëriti ai. Josif Visarionoviçi i drejtohet byroistit Andrejev: - “ Më thoni shumën që ka harxhuar mareshali Voroshillov!”. – “Harxhon çdo muaj për familjen më shumë se 70 mijë rubla. - Shumë përrallore, tha Staklini i nxehur: - Do t’i shlyesh një për një! Komisioni (i përbërë nga Andrejevi, Molotovi Proskrebishevi, Malenkovi, Shkiriatovi, Mehlisi dhe Vera Davidova, bëri revizionimin financiar. Voroshillovi kishte harxhuar për bukuroshet e reja me dhjetëra mijëra rubla... (E ndërpresim këtu këtë batërdi, në të cilën shefi i madh merrte njërin dhe e përplaste te tjetri). U grumbullua një sasi përrallore rublash...
***
Tani, të shohim majën e ajsbergut tonë: Si trajtoheshin nga kupola e E.H.-s femrat shqiptare? Sidomos ato që binin në dorën e hetuesve mizorë. Nuk guxoj t’ia them emrin. Mbiemrin, jo se jo! Po ia shndërroj emrin, paksa. Ia arrestuan burrin, të cilin Nerimani e kishte marrë me dashuri. Hetuesi i kishte thënë se nuk kishte ndonjë gjë të madhe. Mund edhe të lirohej. Por...? (Kishte njohuri, si duket, se ç’kishin bërë Jagoda, Jezhovi dhe Beria). Nerimani kishte mbetur me barrë. E motra e madhe, që e mbante në shtëpinë e saj, - se s’e kishin nënën dhe babën, - e dëboi nga shtëpia! Nerimani, e bukur si zanë, mbeti në pikë të hallit, rrugëve. Një shofer, që bënte rrugët jashtë shtetit me kamion mallrash, u tregua si i dhimbsur. Kishte lekë me bollëk dhe Nerimani e abortoi fëmijën te një mjek gjinekolog i fshehtë . Shoferi e mbajti si “në konvivencë” Nerimanin e bukur, me shpresë se do të martohej me të. Fatkeqja u zhgënjye sërish. Shoferi i doli i pabesë. U fejua me një bashkëqytetaren e tij. Nerimani shpëtoi nga ndërrimi i sistemeve. I burgosuri, i dalë edhe ai nga burgu, iu afrua dhe bëri sikur do të fejohej. Tani Nerimani ishte e vuajtur nga jeta: kërkoi të bënte celebrim të menjëhershëm. I njihte më mirë njerëzit. E vuri ré luhatjen e tij. Iu largua denjësisht. U fejua dhe u martua me një biznesmen italian që kishte ardhur në Shqipëri, për biznes. Nuk ka ardhur në Shqipëri asnjëherë. I vëllai më thotë se është e lumtur, në Peskarë.
Po Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Ramize Gjebrea, poetesha e talentuar Drita Çomo, a nuk janë viktima të atij regjimi mizor të E. Hoxhës? Sa njerëz të pafajshëm ka vrarë tirani E.H.-a? Enveri ka pas vrarë kolegët e tij të pafajshëm, ashtu siç vrau Stalini Kirovin, vëllezërit e Nadjezhdës dhe kunatin e saj, sipas pohimit të Svjetllanës, bijës së Stalinit...A ka bërë krime të tilla A.Zogu I? (meqë disa nga të ashtuquajturit historianët tanë, për të cilët është bërë deti kos, kërkojnë të bëjnë krahasime absurde!
Nuk mungojnë, tanimë, veçse 1 muaj e 9 ditë nga përvjetori i 60-të i vdekjes së Stalinit. Le t’ia festojnë këtë 60-vjetor, ashtu siç kanë bërë ovacione për Enverin në Pezë, me rastin e 16 shtatorëve, që të shohë populli ynë sesa e duan të patënzonët tanë jetësimin e vendit për kandidatin në BE!