PD nisme per heqjen e mandatit te deputetit socialist Ylli
Fidel Ylli ka shkelur Kushtetutën gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Konstatimi i papajtueshmërisë është bërë nga një grup deputetësh demokratë. Bëhet e ditur se ata kanë firmosur një nismë ku i kërkojnë Kuvendit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen, që ata e konsiderojnë si shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës nga deputeti Fidel Ylli.
Sipas tyre zoti Ylli ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Duke qenë se frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike, demokratët sjellin në vëmendje pikërisht këtë nen të kushtetues që thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
Sipas demokratëve pas katër muajve në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009.
Në një rast të ngjashëm dy rreth dy vjet më parë ishte deputeti tjetër socialist Ilir Beqja që humbi mandatin e deputetit, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.