E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elemente të reja burimore për grupet e veriut

Festivali tradicional shqiptar që zhvillohet në Gjirokastër do të nisë javën e aktiviteteve në fund të shtatorit 2009, me pjesëmarrjen e grupeve folklorike të 12 qarqeve të vendit, si dhe Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Çamërisë, arbëreshët e Italisë e deri edhe grupi folklorik i shqiptarëve të Ukrainës. Pikërisht në këtë kuadër, grupi i ekspertëve të Ministrisë së Kulturës me koreografin Rexhep Çeliku, studiuesin e folklorit dr. Fejzulla Gjabri etj., ka udhëtuar të premten në Kukës, ku ka ndjekur në sallën e pallatit të kulturës shfaqjen në skenë të numrave të përgatitur nga rrethet Kukës, Has dhe Tropojë, për pjesëmarrjen në Festivalin e Gjirokastrës. Këshilli i Qarkut të Kukësit, me një fond prej 1.4 milionë lekësh, të vënë në dispozicion nga qeveria për këtë qëllim, ka grupuar në Kukës artistët popullorë. Sipas ekspertëve, ata u kanë kushtuar vëmendje elementëve burimorë të këngës, të valles, të kostumeve dhe çdo elementi tjetër të etnografisë. Specialistët thanë se ishin të befasuar me disa elementë të rinj burimorë që do të sillte grupi i Qarkut të Kukësit, në mënyrë të veçantë disa prej valleve, si dhe një interpretim i këngës majëkrahut si element mjaft i vjetër i komunikimit jo vetëm artistik. Të interpretuar nga Isuf Nezir Zela, me të vëllain dhe të bijtë nga fshati Begaj i Tropojës, kënga e majëkrahut, e njohur edhe më herët në skenat shqiptare, i jepte aktivitetit ngjyrime tipike të folkut tradicional shqiptar të trevave të veriut. Majëkrahu këndohet së paku nga dy rapsodë pa përdorur instrumente, me një qëndrim të caktuar me njërën dorë te veshi e tjetrën përpara, që tregon horizontet. Nga Tropoja u veçuan vallja dyshe ritmike, një lirikë e Krasniqes e interpretuar nga Dali Metalia me partnerë, "Vallja e nuses dhe e vajzave", e cila do t‘i japë Festivalit të Gjirokastrës elegancën e bjeshkëve të Tropojës. Vallet dominonin edhe për grupin e Kukësit, ku u demonstruan elemente të reja burimore nga valltarët e vjetër, por edhe të rinj. Vallja "Shkrepëza dhe e përpjeta" sjell në skenë një ritëm luftarak shumë të vjetër të zonës. Valltarët në një moment rrahin tokën me pëllëmbën e dorës, luftojnë me shpata. Po ashtu, një valle me motive "Lume e vajzave" në formën e petales së luleve që shpërthejnë, ishte një risi e këndshme. Artisti Rexhep Çeliku tha se nga grupi i Kukësit pret një përfaqësim dinjitoz në Gjirokastër. Edhe Rrethi i Hasit pritet të përfaqësohet me një numër koreografik, si dhe një instrumentale. U konfirmuan gjithashtu edhe grupi i këngëtarëve Halili, Dida e Voka, me një këngë lirike, "Moj e mirë-o". Grupi folklorik i Qarkut të Kukësit do të ketë në përbërje rreth 60 artistë, të cilët do të shpalosin vlerat folklorike të krahinës në 30 minuta, të ndarë mes Kukësit, Tropojës dhe Hasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›