E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvira Dones: Mund të shkruaj edhe anglisht

Mund të ndodhë që një shkrimtar, në një moment të caktuar të jetës së tij, ndjen se gjuha me të cilën ka jetuar, thënë më mirë, gjuha me të cilën u ka dhënë gjithnjë formë veprave të tij, nuk përshtatet mirë. Ndoshta në atë moment këtij shkrimtari i qëllon të kuptojë se e shkruara e tij i përket tashmë një gjuhe tjetër. Elvira Dones nuk ka jetuar asnjëherë në Itali, por që prej njëfarë kohe nuk i shkruan më romanet e saj në shqip, por në italisht. Nuk ka qenë një zgjedhje, thotë ajo, e ftuar në Festivalin Letrar të Mantovës, ku marrin pjesë shumë shkrimtarë të njohur nga vende të ndryshme të botës. Është më shumë një çështje e të ndjerit. E lindur në Durrës, rritur në Tiranë, ka lënë Shqipërinë në vitin 1988, dy vjet para rënies së regjimit. Deri në vitin 2004 do të jetonte në Zvicër, tani në Amerikë. "Të mendosh që dikur Amerika e shqiptarëve ishte Italia. Sidomos në dy dekadat e fundit të regjimit të Hoxhës, miti i Italisë ishte shumë i fortë. Mundoheshim të shihnim stacione italiane fshehurazi. Atëkohë kapte qartë i vetmi stacion shtetëror dhe nëse agjentët e sigurimit të kapnin duke parë ‘Rai‘-in, shkoje në burg", ka thënë Dones gjatë bashkëbisedimit të takimit që i ishte rezervuar dje paradite në kuadër të këtij festivali letrar. Italishten nuk e ka mësuar veç përmes televizionit. "Kjo ka qenë një pjesë. Por e kam studiuar. I adhuroj gjuhët dhe në shkollë kam studiuar katër të tilla, përveç shqipes". Kohët tashmë kanë ndryshuar dhe ajo e pranon këtë. Është e qartë kur shprehet se "Italia tashmë nuk është më pika e referimit si atëherë. Le ta themi haptas se në vitet e fundit, Berluskoni me shokë, është zhvlerësuar shumë në nivel ndërkombëtar. Shqiptarët e kanë kuptuar se Italia nuk është Amerika, kanë kuptuar se gjuha e së ardhmes është anglishtja". E thotë këtë edhe pse shkruan tashmë në italisht. "Letërsia? Shtatë romanet e mi i kam shkruar shqip. Ndërsa dy të tjerë, përfshi edhe një të ri me të cilin po punoj, në italisht. Ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm: doja të isha në lartësinë e duhur. Botuesit e mi më thoshin prej vitesh se duhet të provoja të shkruaja italisht, por ia dola mbanë pasi kisha përkthyer dy romane të mi nga shqipja në italisht. Në këtë moment, druajtja se nuk po i jepja atë që duhej më së pari letërsisë dhe së dyti gjuhës italiane, u shua. Për dokumentarët televizivë dhe skenarët e filmave përdor edhe anglishten. Është një gjuhë më teknike dhe shumë pak e zhvilluar. Sot shkruaj romane në italisht, sepse tashmë qaj dhe ëndërroj në italisht. Frazat e para më vijnë në latinisht dhe unë e lë veten të rrëmbehem prej saj. Por nuk e përjashtoj mundësinë që të shkruaj një roman në anglisht. Ndoshta pas dhjetë vjetësh. Ose mund të shkruaj sërish shqip", thotë ajo. Është larguar nga Shqipëria para disa vjetësh, megjithatë temat e librave të saj lidhen me këtë vend. Nuk ju ngacmon ideja për t‘u kthyer sërish? "E përpunoj shpesh këtë ide. Unë e dua shumë Shqipërinë. E dua me gjithçka të sajën, sepse është një vend i vështirë dhe unë jam çmendurisht e dashuruar me vendet e vështira. Por besoj se ka gjetur rrugën drejt Europës së të mirave. Ka një rini të mrekullueshme, shumë të gjallë. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të diasporës janë kthyer dhe janë të gatshëm t‘i futen punës. Në një farë mënyre besoj se jam edhe unë pjesë e tyre. Jam me librat dhe dokumentarët e mi çdo herë që kthehem", thotë ajo. Thotë se përshtypja që shqiptarët kanë për italianët ka ndryshuar rrënjësisht. Ndoshta është e vërtetë edhe e kundërta. Beson se integrimi i komunitetit shqiptar në Itali është në rrugë të mbarë, ose ndoshta bashkëkombësit e saj thjesht janë zëvendësuar nga të tjerë, le të mendojmë rumunët në rolin e të këqijve, "barbarëve pushtues" në imagjinatën kolektive? "Mendoj se për fat të keq edhe kjo qëndron. Por e njoh mirë Italinë dhe jam e bindur se integrimi po kryhet dalëngadalë. U desh kohë, sepse kur shqiptarët filluan të vinin këtu, kishin një përshtypje krejt tjetër për këtë vend, ndërsa për italianët ishte njëfarë "vrime e zezë". Për ne Italia ishte ajo që shihnim në reklama, e televizionit që transmetonte idenë e një vendi të begatë. Për më tepër, pas 47 vjetësh diktature, kishim idenë se bota na detyrohej diçka. Ndërkohë që bota s‘na detyrohej asgjë. Pa harruar se nga Shqipëria arritën edhe elementë kriminalë, një fenomen që as ne nuk e dinim se ekzistonte. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Shqiptarët e urtë, të ndershëm, e kuptuan se mënyra më e mirë për t‘u pranuar ishte puna e bërë me kokë të ulur. Ngadalë u zhvillua një lloj simpatie reciproke. Sot padyshim që gjërat janë më mirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›