E Diel, 1 Nëntor 2026

Një "Doruntinë" dygjuhëshe në Teatrin Kombëtar

Një tjetër "Doruntinë" do të ngjitet në Teatrin Kombëtar. Shfaqet sot në mbrëmje, ora 20:00, si bashkëprodhim i teatrit "Oda" dhe teatrit "Blessed Unrest" nga Nju Jorku. Pak muaj më parë, vetëm për një natë publikut shqiptar iu dha rasti të shihte versionin ballkanas të kësaj legjende, vënë në skenë nga regjisori grek, Sotiris Hatzakis. Margarita Xhepa, aktorja greke Maria Katsiadaki dhe aktorja e njohur rumune, Maia Morgenstein, ishin tre nënat e përzgjedhura të shfaqjes. Kiti Selmani dhe Karajfil Sena, dy aktorë të tjerë shqiptarë që jetojnë në Greqi, plotësonin kuadrin e shfaqjes. Shfaqja, që në versionin skenik kishte marrë titullin "Vëllai i vdekur", u prit me komente pozitive. "Doruntina", frymëzuar mbi legjendën shqiptare, ashtu siç është shkruar nga Ismail Kadare, vjen në Tiranë pas një turi që ka nisur nga Nju Jorku një vit më parë, ku edhe pati premierën, për të kaluar në Kosovë dhe Maqedoni. "Doruntina" vjen në skenë si një teatër bilinguist, interpretuar nga një kast aktorësh kosovarë dhe amerikanë. Your browser may not support display of this image. Një martesë që refuzon traditën, një udhëtim i pamundur mbi kalë, një vëlla që sfidon varrin. Legjenda shqiptare, një rrëfim mitik i dashurisë së ndaluar dhe rrezikut të besës që nuk mund të thyhet kurrë, do të tregohet në skenë në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht. Si i pari bashkëprodhim mes këtyre teatrove, teksti është përshtatur për teatër nga Matt Opatrny dhe Lirak Çelaj. Po kështu pjesa do të ketë dy bashkëregjisorë, nga drejtorët artistikë të dy teatrove, Jessica Burr nga "Blessed Unrest" dhe Florent Mehmeti nga teatri "Oda". "Doruntina" do të flasë anglisht dhe shqip përmes interpretimit të aktorëve nga të dy teatrot: Badger, Zenzele Cooper, Dave Edson, Jason Griffin, Kelly Hayes, Laura Wickens janë aktorët e teatrit amerikan dhe Ilire Vinca Çelaj, Lirak Çelaj, Nëntor Fetiu, Njomëza Ibraj prej Prishtinës. Mund të them se së paku nga aspekti i asaj që kemi pritur si teatër, jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim dhe me të gjithë aktorët, profesionalizmin që kanë treguar dhe shpresojmë se nuk do të jetë i fundit", është shprehur Lirak Çelaj. Stafi ka arritur në Tiranë që pasditen e djeshme, për të qenë të gatshëm për shfaqjen e sotme. "Blessed Unrest" është teatri i parë amerikan që bashkëpunon me një teatër nga Kosova. Urat e komunikimit në fakt kanë nisur që në 2006-ën. Në maj të këtij viti, "Blessed Unrest" shfaqi në Kosovë produksionin e tyre origjinal, "Lying", në të cilin bënte pjesë dhe një aktor nga teatri "Oda". Nisur nga suksesi i këtij bashkëpunimi të parë, lindi një plan bashkëpunimi i dy teatrove në New York. "Doruntina" është bashkëproduksioni i parë i mirëfilltë pas kësaj marrëveshjeje. "Arti ka fuqinë e thyerjes së barrierave kulturore, dhe luan një rol qenësor në krijimin e identitetit të një vendi. Duke shkuar në Nju Jork dhe duke vënë në vëmendje kulturën, historinë dhe gjuhën shqipe, teatri ‘Oda‘ bëhet një ambasador krenar i Kosovës", u shpreh në fillimet e punës Lirak Çelaj, drejtori i këtij teatri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›