Eleminimi i armeve kimike te Damaskut
Dita e përballjes mes dy poleve. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri takohen në Gjenevë për të diskutuar detajet e planit për neutralizimin e arsenalit kimik të Sirisë. Një rrugë shumë e ngushtë kjo për zgjidhjen diplomatike që të paktën deri tani ka mundur të shtyjë ndërhyrjen ushtarake. Sekretari i përgjithshëm i organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun është shprehur se diskutimet rreth planit rus do e vendosin këshillin e sigurisë në një pozicion të rëndësishëm për të promovuar ëprfundimin e tragjedisë siriane. Ndërkohë që situata në terren degradon dita ditës. Vdekja një ditë më parë e 11 personave nga sulmi ajror i ushtrisë siriane kundër një spitali në provincën e Alepos është një shembull për këtë. Diskutimet në OKB do të nisin nga rezoluta e përgatitur nga Franca në marrëveshje me Uashingtonin që synon të mbajë në tryezë opsionin ushtarak në formë presioni ndaj Damaskut.