E Diel, 1 Nëntor 2026

Elez Biberaj, një histori politike e tranzicionit

Nga Albert Rakipi

Në tetor të vitit 2010 i propozova Elez Biberajt të ribotonim librin e tij Shqipëria në Tranzicion. Ishte një koincidencë domethënëse. Ai dhe studiues të tjerë të njohur të çështjeve shqiptare ishin të ftuar në konferencën “Njëzet vjet pas rënies së komunizmit - Reflektime për shtetin dhe demokracinë”, të organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare me synimin për të shqyrtuar ecurinë e tranzicionin postkomunist në Shqipëri. Biberaj e priti me interes idenë e ribotimit, duke propozuar të shkruante edhe një kapitull të ri që do të shqyrtonte zhvillimet e afro pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit. Më 1998, kur Westview Press botoi së pari librin e tij për tranzicion postkomunist, Shqipëria politike, ekonomike dhe padyshim edhe shoqëria shqiptare vijonte të funksiononte, nëse vërtet funksiononte, më shumë në një gjendje kaotike sesa sipas një modeli apo sistemi politik të qartë. Por më 1998 Shqipëria ndodhej në një nga udhëkryqet më të rrezikshme të të gjithë ekzistencës së saj si shtet i pavarur. Vendi ishte ende në kërkim të rrugëve për të dalë nga kriza më e rëndë në tërë historinë moderne të Shqipërisë, kriza e vitit 1997, që shpërtheu pas rënies së skemave piramidale dhe çoi deri në dështimin e shtetit. Një numër reformash të rëndësishme që u ndërmorën pas krizës së këtij viti, në mënyrë thelbësore ishin të njëjtat reforma që ishin ndërprerë nga anarkia dhe rënia e shtetit. Për nga përmbajtja dhe synimet, reformat e ndërprera dhe të rifilluara pas daljes nga kriza ishin tipike për një periudhë tranzicioni. Në mendimin teorik rreth tranzicionit postkomunist ka pasur mjaft debate, kundërshti dhe dilema për një numër çështjesh, përfshirë edhe pyetjen se kur mund të thuhet me siguri se mbaron tranzicioni si një fazë e ndërmjetme e transformimit të sistemit politik, shtetit dhe mënyrës së organizimit dhe funksionimit të ekonomisë. Në mënyrë të veçantë këto dilema teorike rreth çështjes se kur tranzicioni postkomunist mund të konsiderohet i kryer filluan të shfaqeshin në mes të viteve nëntëdhjetë dhe shumica e rasteve që sugjeronin të kryer tranzicionin i përkisnin kryesisht vendeve të Europës Qendrore, me tradita liberale dhe shtetërore të hershme. Por, për nga natyra e çështjeve me të cilat përballej Shqipëria më 1997- 1998, nuk kishte dyshim se vendi ndodhej në një gjendje tranzicioni, me një stabilitet të dobët dhe herë-herë të rrezikshëm. Nga ky këndvështrim ideja e Biberajt për të përfshirë në librin e tranzicionit Shqipërinë politike (dhe jo vetëm Shqipërinë politike) të pas vitit 1997 ishte krejt e natyrshme dhe ndoshta e domosdoshme. Në konferencën ndërkombëtare në Tiranë për tranzicionin postkomunist nuk munguan debatet rreth dilemës nëse pas dy dekadash mund të thuhet me siguri se tranzicioni postkomunist në Shqipëri ka përfunduar. Nëse edhe në vitin 2010, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kërkon të bëhet anëtare e BE-së, ekzistojnë ende dilema për plotësinë dhe përfundimin e tranzicionit, atëherë është e natyrshme të mendohet se një histori e tranzicionit e botuar më 1998 mund të mos ishte e plotë. Nga ana tjetër është e domosdoshme të biem dakord për një përcaktim të tranzicionit postkomunist. Michael Mandelbaum sugjeron se postkomunizmi është një term që i referohet më shumë të shkuarës sesa të ardhmes. Mund të mendohet se tranzicioni në Shqipëri ende nuk ka përfunduar, por ajo çka ka ndodhur në këtë vend gjatë dekadës së fundit nuk ka të bëjë me të kaluarën dhe as me tranzicionin. Michael Weichert thotë se nuk është në favor të termit tranzicion. Tranzicioni thjesht na tregon pikën nga ku jemi nisur më 1990. Mirëpo a mund të shërbejë termi tranzicion për të na treguar se ku duam të mbërrijmë: një shtet funksionues dhe një shoqëri demokratike? Nëse e supozojmë tranzicionin të kryer, kur një vend më në fund ka mbërritur te “getting to Denmark”, besoj se kjo nuk ka për të ndodhur në një kohë të shpejtë as në Shqipëri e as në shumë vende me tradita shtetërore relativisht të vona dhe me përvoja demokratike të pakta. Çështja e një demokracie liberale funksionuese dhe një shteti funksionues në Shqipëri dhe në vende të ngjashme me Shqipërinë do të jetë një çështje gjeneratash dhe nuk ka të bëjë me tranzicionin postkomunist. Teknologjia kontradiktore e përparimit të Shqipërisë - dhe jo vetëm të Shqipërisë - me hapa gjigante përpara, e shoqëruar gati në mënyrë kronike me hapa të frikshëm mbrapa, mund dhe duhet të kuptohet e shpjegohet jashtë paradigmës së tranzicionit. Po të mbështetemi në këtë perspektivë dhe sigurisht po të sjellim ndër mend se jo vetëm magjia, fryma, por edhe substanca e tranzicionit postkomunist të Shqipërisë (por edhe vendeve të tjera) ndodhi pikërisht në atë kohën midis, kur u rrëzua dhe vdiq regjimi i vjetër me sistemin shtypës, kur mori fund ekonomia kolektive e centralizuar dhe u shpall sistemi i ri politik, pa përfshirë në mënyrë të domosdoshme konsolidimin e këtij të fundit, atëherë libri i Elez Biberajt i vitit 1998 për tranzicionin shqiptar dhe sigurisht ky botim i plotësuar deri në vitin 2010, është libri i duhur dhe i paneglizhueshëm për të kuptuar, shpjeguar dhe analizuar historinë politike të tranzicionit të Shqipërisë nga diktatura komuniste drejt një sistemi liberal demokratik. Këtu qëndron së pari rëndësia e librit të Biberajt: Para së gjithash, libri i tij “Shqipëria në tranzicion” është një histori politike e tranzicionit postkomunist. Ajo është historia më e mirë politike që është shkruar deri tani për një nga tri periudhat më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja e njëqind vjetëve të historisë së shtetit modern shqiptar, që fillon me themelimin dhe konsolidimin e tij, me triumfin e regjimit komunist në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe me rrëzimin e diktaturës komuniste, që instaloi ky regjim, në fillim të viteve nëntëdhjetë. Rëndësia e dytë e librit “Shqipëria në tranzicion” qëndron në faktin se autori e ka vendosur historinë politike të tranzicionit të Shqipërisë në një kontekst të plotë historik dhe gjeopolitik. Izolimi i gjatë dhe i hekurt në periudhën e komunizmit e ndërpreu midis të tjerash edhe komunikimin kulturor dhe shkencor të Shqipërisë me botën dhe anasjelltas. Komunikimet dhe botimet perëndimore për Shqipërinë ose mungonin, ose ishin shumë të pakta. Më 1990 Shqipëria ishte një vend që thuajse nuk ekzistonte. Një situatë e tillë e bënte të domosdoshme vendosjen e historisë së re që po zhvillohej në një kontekst historik. Kjo qasje përveçse të ndihmon të kuptosh historinë e tranzicionit shqiptar është edhe një vlerë dhe dobi në vetvete, sepse përbën një fotografim dinamik e plot kontraste të Historisë së Shqipërisë, të shtetit, të shqiptarëve, kulturës dhe në mënyrë të veçantë të Shqipërisë politike nën komunizëm, përfshirë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë atij regjimi. Opozita e parë jokomuniste në Shqipëri e mbështeti jo pak tranzicionin politik dhe ekonomik të vendit në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndarja me regjimin e vjetër nuk mund të mos fillonte dhe nuk mund të ishte kaq shumë domethënëse dhe e suksesshme sesa dalja nga izolimi përmes rivendosjes së marrëdhënieve me botën perëndimore. Mirëpo përpara se të analizohet, për shembull, roli i politikës së jashtme dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në tranzicionin e Shqipërisë, Biberaj prezanton një kontekst historik të këtyre marrëdhënieve, që përveçse të ndihmon për të kuptuar ndryshimin, kanë edhe vlerë në vetvete. Ndërkaq historia politike e tranzicionit shqiptar nuk do të ishte e plotë pa kontekstin gjeopolitik brenda të cilit Biberaj shpjegon ndryshimin e regjimit në Shqipëri, në një shtet aq të vogël, që, siç thotë Robin Alison Remington, është pak më i madh se Maryland, por me një rol kyç në zhvillimet e ardhshme, në një rajon si Ballkani. Kur po ndodhte tranzicioni i Shqipërisë, Ballkani po shkonte si në festë në një nga periudhat më të errëta, me luftëra të përgjakshme, të ngjashme me episode të Luftës së Dytë Botërore, për t’u bërë sërish një teatër i dhunës ekstreme dhe një fushë e përplasjes/bashkëpunimit të Fuqive të Mëdha të kohës. Përveçse një histori për tranzicionin e Shqipërisë, libri i Biberajt duhet të jetë në vëmendjen e çdo studenti të marrëdhënieve ndërkombëtare, që është i interesuar për marrëdhëniet bashkëkohore të rajonit të Ballkanit dhe fuqive jashtë tij. Së treti, është e vërtetë të thuhet se ky libër i Elez Biberajt për tranzicionin e Shqipërisë ka ndihmuar edhe vetë tranzicionin. Libri shërbeu jo vetëm për të qartësuar dosjen e tranzicionit shqiptar, por edhe të nxitur vëmendjen ndërkombëtare ndaj një vendi të vogël si Shqipëria, si edhe ndaj të gjithë rajonit, duke kontribuar për ndriçimin e interesave perëndimore për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Shqipëria në tranzicion është një histori politike e tranzicionit, por as e vetmja dhe as shteruesja. Ky libër për tranzicionin është shkruar teksa vetë tranzicioni ishte duke ndodhur. Një gjendje e tillë nuk të jep mundësinë e një reflektimi dhe distancimi në kohë, që janë të domosdoshëm ndonjëherë për të pasur një shqyrtim neutral të rrethanave dhe aktorëve. Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, do të nënvizoja dy fakte: i pari, kjo histori politike e tranzicionit të Shqipërisë është shkruar nga njëri prej kontribuesve të dalluar të këtij tranzicioni. Zëri i Elez Biberajt në programin shqip të ‘Zërit të Amerikës’, që filloi të trondiste zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe t’i përgatiste ata për ndryshimin e madh, do të mbetet i pashlyeshëm nga kujtesa e shqiptarëve. Krahas faktorëve të tjerë që çuan në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri, sugjeron Remzi Lani, duhet konsideruar edhe Faktori Biberaj në udhëheqje të Zërit të Amerikës. Fakti i dytë: Elez Biberaj me këtë libër, ashtu si edhe përmes librave të mëparshëm, vijon të mbetet një nga shkencëtarët politikë dhe historianët më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm shqiptarë, duke vijuar kështu traditën e shkëlqyer dhe të pakonkurrueshme që u zhvillua dhe vijon të gjallojë vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›