Pensionet suplementare, zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes, ku detajohen procedurat që duhet të ndjekin ushtarakët në rezervë, lirim dhe pension për të marrë pagesat suplementare.
Për të përshpjetuar procesin e aplikimit, Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar në një udhëzim të posaçëm se cilat janë kategoritë që do të trajtohen me përfitime suplementare, procedurat e aplikimit, si dhe dokumentet që kërkohen apo lëshohen nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat i bashkangjiten atyre të marra nga Sigurimet Shoqërore për të plotësuar dosjen. Përcaktimi i këtyre dokumenteve do t’u vijë në ndihmë mjaft ish-ushtarakëve që kanë të drejtë të marrin pagesat suplementare, por që nuk kanë mundur ta plotësojnë të gjithë dosjen e dokumentacionit që kërkohet, e për këtë arsye nuk u është lidhur ende përfitimi. Sipas udhëzimit të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, të gjitha kategoritë e ushtarakëve, të cilëve u lind e drejta për përfitime pas datës 27 qershor 2009, kohë kur hyri në fuqi ligji nr.10142, datë 15.5.2009, duhet të paraqiten në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin e përhershëm, për të marrë dokumentacionin e nevojshëm për përfitim. Më konkretisht, në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ushtarakët do të pajisen me 2 kopje të kërkesës format dhe me listën e dokumenteve të nevojshme për dhënien e përfitimeve; si dhe me një kopje të kërkesës format, e plotësuar nga vetë përfituesi, me të gjitha të dhënat, shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar, që dorëzohet në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH). Ushtaraku në rezervë apo lirim, kur aplikon për “pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, ushtaraku që pas datës 27.6.2009, është në pension të parakohshëm dhe mbush moshën për pension të plotë pleqërie, ushtaraku që aplikon për pension suplementar invaliditeti, familja e ushtarakut që aplikon për pension suplementar familjar, kopjen e dytë të kërkesës format plotësuar në DRSSH e dërgon vetë ushtaraku pranë institucionit apo repartit ku ka dalë në rezervë ose lirim. Për ushtarakët në pension që kanë ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, date 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, që aplikojnë për të përfituar pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dërgon në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm me postë, kopjen e dytë të kërkesës format të plotësuar dhe fotokopjen e formularit të vjetërsisë së shërbimit, të nxjerrë nga dosja e pensionit, për procedurë të mëtejshme. Për ushtarakun që trajtohet me pension të parakohshëm, ushtaraku që trajtohet me pension suplementar të pleqërisë, ushtaraku që trajtohet me pension suplementar invaliditeti, familjen e ushtarakut që trajtohet me pension suplementar familjar, dhe kërkon në DRSSH, të rillogarisë përfitimin e pensionit suplementar të fituar më parë, atëherë kjo e fundit dërgon në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm me postë, listën emërore të përfituesve, të shoqëruar me shkresë përcjellëse, për procedurë të mëtejshme. Më tej, në udhëzim sqarohet se për ushtarakët në pension, të trajtuar në reformë me VKM nr.225, datë 29.05.1992, VKM nr.7, datë 10.01.1996 dhe ushtarakët që kanë përfituar pensionet e caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, që kërkojnë rillogaritjen në DRSSH, duhet të kërkojnë me shkrim nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga reparti ushtarak ku kanë dalë në rezervë ose lirim, vërtetimin tip për pagën referuese të periudhës së trajtimit me pagesë në reformë, sipas VKM nr.225, datë 29.5.1992 dhe VKM nr.7, datë 10.1.1996. Kurse për ushtarakët, të cilëve u ka lindur e drejta për pension për vjetërsi shërbimi, përpara datës 27 qershor 2009, kohëzgjatja e periudhës së shërbimit, për efekt përfitimi mbetet ajo e përcaktuar në dispozitat e mëparshme. Përfitimet e njohura nga ligji nr.10142, datë 15.5.2009, i lindur në harkun kohor, nga hyrja në fuqi e ligjit të sipërshënuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.33, datë 24.6.2010, por të pacaktuara dhe të kaluara për pagesë, do të paguhen nga data e lindjes së kësaj të drejte.
Dokumentacioni i plotësuar në ministritë apo institucionet përkatëse dërgohet në drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, i veçantë për çdo përfitues, vetëm nëpërmjet postës zyrtare dhe i shoqëruar me shkresë përcjellëse.
Ushtarakët, nëntë kategoritë që përfitojnë
Trajtime suplementare do të marrin ushtarakët që kanë dalë në rezervë dhe lirim pas qershorit të vitit 2009; ata që e kanë ndërprerë karrierën para dhe pas ’91-shit; ata që kanë përfituar pagesën e parakohshme dhe mbushin moshën e pensionit të pleqërisë; të liruarit për arsye shëndetësore, si dhe familjet e ushtarakëve që kanë vdekur në detyrë.
Ministria e Mbrojtjes specifikon nëntë kategoritë e ish-ushtarakëve sipas kohës kur kanë ndërprerë karrierën, që do të trajtohen me përfitime suplementare, që janë rreth 15 mijë të tillë. Bëhet fjalë për ushtarakët në rezervë, lirim dhe në pension, që u përkasin strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, por që përfitojnë në mënyra të ndryshme nga ligji, të cilat varen edhe nga koha e ndërprerjes së karrierës. Më konkretisht, nga kjo skemë do të përfitojnë ushtarakët që kanë dalë në rezervë dhe lirim, ose kanë përfunduar pagesën kalimtare pas datës 27 qershor të vitit 2009; ata që e kanë ndërprerë karrierën para dhe pas korrikut të ’91-shit; ata që kanë marrë trajtim të parakohshëm dhe mbushin moshën e pensionit të pleqërisë pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 142, ushtarakët që lirohen për arsye shëndetësore etj. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në bazë të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë dhe duhet të përgatisin dokumentet e domosdoshme kategoritë e ushtarakëve si më poshtë: Kategoria e parë janë ushtarakët që kanë dalë në rezervë dhe përfundojnë pagesën kalimtare pas datës 27 qershor 2009, si dhe plotësojnë vjetërsinë e shërbimit 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 42 vjeç gratë dhe 47 vjeç burrat. Kategoria e dytë janë ushtarakët që kanë dalë në lirim pas datës 27 qershor 2009, që plotësojnë vjetërsinë e shërbimit, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 42 vjeç gratë dhe 47 vjeç burrat. Në kategorinë e tretë të përfituesve bëjnë pjesë ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” dhe janë në pension pleqërie. Ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” që janë në pension pleqërie dhe trajtohen me pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë janë kategoria e katërt. Në të pestën përfshihen ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” dhe përpara datës 27.6.2009, datë e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009 dhe janë në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Në kategorinë e gjashtë janë ushtarakët që janë në pension suplementar të parakohshëm dhe mbushin moshën për pension pleqërie, pas datës 27 qershor 2009. Ushtarakët që janë liruar dhe lirohen për arsye shëndetësore, të vërtetuara nga komisioni mjeko-ligjor dhe përfitojnë suplementar invaliditeti janë kategoria e shtatë përfituese e pagesës suplementare. Në të tetën janë futur familjet e ushtarakëve të vdekur kur kanë qenë dhe janë në detyrë, rezervë, lirim dhe pension suplementar të parakohshëm dhe përfitojnë pension suplementar familjar. Ndërsa në kategorinë e nëntë dhe të fundit janë familjet e ushtarakëve që kanë humbur dhe humbin jetën në detyrë dhe për shkak të saj, dhe përfitojnë pension suplementar familjar.
Përfituesit sipas kategorive
Përfitojnë dhe duhet të përgatisin dokumentet e domosdoshme kategoritë e ushtarakëve si më poshtë:
1. Ushtarakët, të cilët kanë dalë në rezervë dhe kanë përfunduar ose përfundojnë pagesën kalimtare pas datës 27.6.2009 dhe plotësojnë moshën 47 vjeç për burrat dhe 42 vjeç për femrat, si dhe kanë vjetërsinë në shërbim 15 vjeç për meshkujt dhe 12 vjet për femrat.
2. Ushtarakët, të cilët kanë dalë në lirim pas datës 27.6.2009, që plotësojnë moshën 47 vjeç për burrat dhe 42 vjeç për fermat, si dhe kanë vjetërsinë në shërbim 15 vjeç për meshkujt dhe 12 vjet për femrat.
3. Ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” dhe janë në pension pleqërie.
4. Ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” dhe janë në pension pleqërie dhe trajtohen me pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë.
5. Ushtarakët që kanë ndërprerë karrierën pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura” dhe përpara datës 27.6.2009, datë e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, dhe janë në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
6. Ushtarakët që janë në pension suplementar të parakohshëm dhe mbushin moshën për pension pleqërie pas datës 27.6.2009, datë e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009
7. Ushtarakët që janë liruar dhe lirohen për arsye shëndetësore të vërtetuara nga komisioni mjeko-ligjor dhe përfitojnë pension suplementar invaliditeti.
8. Familjet e ushtarakëve të vdekur, kur kanë qenë dhe janë në detyrë, rezervë, lirim dhe në pension suplementar të parakohshëm dhe përfitojnë pension suplementar familjar.
9. Familjet e ushtarakëve që kanë humbur dhe humbin jetën në detyrë dhe për shkak të saj dhe përfitojnë pension suplementar familjar.
Procedurat e aplikimit
Të gjitha kategoritë e ushtarakëve, të cilëve u lind e drejta për përfitime pas datës 27 qershor 2009, kohë kur hyri në fuqi ligji nr.10142, datë 15.5.2009, duhet të paraqiten në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin e përhershëm, ku do të pajisen:
1. Me 2 kopje të kërkesës format dhe me listën e dokumenteve të nevojshme për dhënien e përfitimeve.
2. Me një kopje të kërkesës format, e plotësuar nga vetë përfituesi, me të gjitha të dhënat, shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar, që dorëzohet në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH).
3.Ushtaraku në rezervë apo lirim, kur aplikon për “pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, ushtaraku që pas datës 27.6.2009, është në pension të parakohshëm dhe mbush moshën për pension të plotë pleqërie, ushtaraku që aplikon për pension suplementar invaliditeti, familja e ushtarakut që aplikon për pension suplementar familjar, kopjen e dytë të kërkesës format plotësuar në DRSSH e dërgon vetë ushtaraku pranë institucionit apo repartit ku ka dalë në rezervë ose lirim.
4.Për ushtarakët në pension që kanë ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit nr.7496, date 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, që aplikojnë për të përfituar pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dërgon në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm me postë, kopjen e dytë të kërkesës format të plotësuar dhe fotokopjen e formularit të vjetërsisë së shërbimit, të nxjerrë nga dosja e pensionit, për procedurë të mëtejshme.
5.Për ushtarakun që trajtohet me pension të parakohshëm, ushtaraku që trajtohet me pension suplementar të pleqërisë, ushtaraku që trajtohet me pension suplementar invaliditeti, familjen e ushtarakut që trajtohet me pension suplementar familjar, dhe kërkon në DRSSH, të rillogarisë përfitimin e pensionit suplementar të fituar më parë, atëherë kjo e fundit dërgon në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm me postë, listën emërore të përfituesve, të shoqëruar me shkresë përcjellëse, për procedurë të mëtejshme.
6.Ushtarakët në pension, të trajtuar në reformë me VKM nr.225, datë 29.05.1992, VKM nr.7, datë 10.01.1996 dhe ushtarakët që kanë përfituar pensionet e caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, që kërkojnë rillogaritjen në DRSSH, kërkojnë nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga reparti ushtarak ku kanë dalë në rezervë ose lirim, vërtetimin tip për pagën referuese të periudhës së trajtimit me pagesë në reformë, sipas VKM nr.225, datë 29.5.1992 dhe VKM nr.7, datë 10.1.1996.
Ushtarakët, të cilëve u ka lindur e drejta për pension për vjetërsi shërbimi, përpara datës 27 qershor 2009, kohëzgjatja e periudhës së shërbimit, për efekt përfitimi mbetet ajo e përcaktuar në dispozitat e mëparshme.
Përfitimet e njohura nga ligji nr.10142, datë 15.5.2009, i lindur në harkun kohor, nga hyrja në fuqi e ligjit të sipërshënuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.33, datë 24.6.2010, por të pacaktuara dhe të kaluara për pagesë, do të paguhen nga data e lindjes së kësaj të drejte.
Dokumentet që kërkohen
Ushtarakët e interesuar në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore duhet të dorëzojnë, së bashku me fletëkërkesën, dokumentacionin e mëposhtëm:
Për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:
Fotokopje të letërnjoftimit elektronik të nënshkruar nga vetë personi, ose certifikatë personale me fotografi.
Certifikatë familjare.
Deklaratë individuale për gjendjen e punësimit.
Vërtetim nga zyrat e Tatim-Taksave nëse ushtron veprimtari ekonomike si punëdhënës ose i vetëpunësuar.
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën” të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, vetëm nga personat që janë banorë në fshatra.
Për të përfituar pension suplementar pleqërie apo suplementar invaliditeti:
Fotokopje të letërnjoftimit elektronik ose certifikatë personale me fotografi.
Për të përfituar pension suplementar familjar:
Certifikatë familjare.
Certifikatë vdekjeje.
Për të përfituar pension suplementar familjar, në rastet kur personat kanë humbur jetën në detyrë dhe për shkak të saj:
Certifikatë familjare.
Certifikatë vdekjeje.
Vërtetim nga prokuroria e rrethit gjyqësor për shkakun e vdekjes.
Ushtarakët që kanë përfunduar pagesën kalimtare ose plotësuar kriterin e moshës për përfitim pensioni suplementar të parakohshëm, do dorëzojnë në institucionin apo repartin ushtarak ku kanë dalë në rezervë apo lirim, dokumentacionin si më poshtë:
Kopje të kërkesës format të plotësuar në drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
Fotokopje të letërnjoftimit elektronik të nënshkruar nga vetë personi ose certifikatë personale me fotografi.
Vërtetim për periudhën e trajtimit me pagesë kalimtare.
Dëshmi penaliteti.
Vërtetim kronologjik për kontributet suplementare të paguara sipas muajve, e lëshuar nga zyra e financës së institucionit apo repartit ushtarak.
Dokumentacioni që plotësohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe repartet ushtarake dhe dërgohet me postë në DRSSH, është si më poshtë:
Vërtetim për periudhën e shërbimit dhe pagën referuese.
Vërtetim për periudhën e trajtimit me pagesë kalimtare.
Dëshmi penaliteti
Vërtetim i pagës referuese të gradës ose të funksionit më të fundit, për përfituesit sipas nenit 21 të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009.
Vërtetim kronologjik për kontributet suplementare të paguara, sipas muajve.
Dokumentacioni që lëshohet nga DRSSH:
Vërtetim për llojin dhe masën e pensionit sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.