E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomas Transtroemer ….psikologu, poeti dhe muzikanti i Nobelit

Tomas Transtroemer, poeti më i rëndësishëm skandinav që është ende gjallë, ka fituar çmimin “Nobel” për Letërsinë. Sipas Akademisë Suedeze, çmimi shkon për poetin 80-vjeçar suedez, “sepse ai, përmes imazheve të fuqishme dhe transparente, na jep qasje të freskët të realitetit”. Me profesion psikolog, ai i përket brezit të intelektualëve që u afirmuan pas Luftës së Dytë Botërore dhe në këndvështrimin e tij ai sugjeron se shqyrtimi poetik i natyrës ofron njohuri mbi identitetin njerëzor dhe mbi dimensionin e tij shpirtëror, duke ndërhyrë në territorin metafizik. “Ekzistenca e një qenieje njerëzore nuk mbyllet aty ku përfundojnë gishtat e tij”, - shkruan një kritik suedez për poezinë e Transtroemer-it, duke e klasifikuar veprën e tij si “lutje laike”. Fama e poetit suedez në botën anglofone rrjedh nga miqësia e tij me poetin amerikan Robert Bly, i cili ka përkthyer edhe pjesën më të madhe të veprës së psikologut-poet. Poezitë e tij të përkthyera në 50 gjuhë të ndryshme të botës, janë të pasura në metafora dhe imazhe që përshkruajnë jetën e përditshme dhe natyrën. Stili i tij meditues, përshkruar nga Publishers Weekly si “mistik, plot dhunti dhe trishtim”, shkon në fakt në kundërshti me jetën e vetë poetit. Ai ka një jetë plot angazhime dhe aktivitete në shërbim të ndërtimit të një bote më të mirë dhe nuk shkruan vetëm poezi. I lindur më 15 prill të vitit 1931, në Stokholm, Tomas Transtroemer u rrit nga e ëma, pasi babai i braktisi. U diplomua për psikologji në vitin 1956 dhe menjëherë pas diplomimit nisi punë në një institut për fëmijët e keqtrajtuar, ku qëndroi deri në vitin 1960. Ndërkohë që ushtronte profesionin duke punuar me të burgosur dhe përdorues të lëndëve narkotike, ai gjen frymëzim për disa nga veprat e tij poetike. Përmbledhja e parë me poezi, titulluar “Shtatëmbëdhjetë poezi”, u botua nga shtëpia botuese më prestigjioze e Europës Veriore “Bonnier”, kur ai ishte vetëm 23 vjeç. Dhe është pikërisht kjo shtëpi botuese që e përshkruan poezinë e tij si “një analizë e përhershme e enigmës së identitetit individual përballë diversiteteve të ndryshme të botës”. Në vitin 1996, mori çmimin “Bellman”, që u pasua nga një sërë çmimesh të tjera, mes të cilave edhe ai “Bonner” për poezinë, çmimin nordik të Akademisë Suedeze etj. Në vitin 1997, qyteti i Vaesteraas, ku poeti jetoi afro 30 vjet para se të shpërngulej në Stokholm në vitin 1990, jep dhe një çmim letrar në emrin e tij: Çmimin “Transtroemer”. Pas publikimit të 10 vëllimeve me poezi, Transtroemer pësoi një goditje që e la me pasoja. Ai ishte tashmë gjysmë i paralizuar dhe nuk arrinte dot të artikulonte fjalët, përfundimisht i paaftë për të folur, por që kurrë nuk pushoi së shkruari poezi. Pas një pushimi 6 –vjeçar, kthehet me “Gondola funebre”, një libër që ka shitur 30 mijë kopje vetëm në Suedi, përfundimisht një sukses i madh për standardet e vëllimeve poetike. Pas këtij suksesi, Transtroemer praktikisht nuk publikoi më asgjë për gati 8 vjet, përveç korrespodencës së tij me poetin amerikan Bly. Por u rikthye në vitin 2004 me një kolanë prej 45 “haikus” (poezi në stilin japonez) që evokojnë aspekte të natyrës dhe stinëve. Që nga kjo kohë muzika “u bë pasioni kryesor i jetës së tij”, siç do të shprehej në të përditshmen suedeze “Dagens Nyhete”, në një intervistë realizuar pak muaj më parë, intervistë që në fakt përcillej nga lëvizjet e poetit që kishte humbur aftësinë për të folur përmes fjalëve të bashkëshortes Monika. Transtroemer i bie pianos çdo ditë, por duke përdorur vetëm njërën dorë, të majtën (e djathta është e paralizuar) dhe e kalon ditën duke dëgjuar muzikë klasike. Poeti që ishte kandidat për çmimin “Nobel”, prej vitesh jeton me bashkëshorten, dhe çifti ka dy vajza. Vetëm këtë vit ai arriti të ngjitej në majë, duke u nderuar me çmimin më prestigjioz të letërsisë, që ka një vlerë prej 1.48 milionë dollarë. Në fakt, emri i tij figuronte në krye të listës së parashikimeve të shumta të bastvënësve (publikuar nga agjencia “Rojter”), që gjithmonë 3-4 ditë para shpalljes së fituesit nxjerrin dhe favoritët. Edhe këtë vit, sipas parashikimeve, më i kuotuari ishte poeti sirian, Adonis (i cili edhe një vit më parë qëndronte në krye) dhe në vend të dytë ishte poeti suedez, Tomas Transtroemer, ndjekur nga japonezi Haruki Murakami, algjeriania Assia Djebar, kanadezet Margaret Atwood dhe Alice Munro, jugkoreani Ko Un, amerikanët Joyce Carol Oates, Thomas Pynchon, Philip Roth, dhe hungarezi Peter Nadas. Ashtu si çdo vit, nuk i ka munguar listës së të kuotuarve edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, por që edhe këtë vit mundësitë e tij për të fituar Nobelin, sipas parashikuesve ishin shumë të pakta.

Përgatiti: Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›