E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eli Yamin: Bluzi amerikan në Tiranë

30/05/2009  Kanë organizuar një master-klas për studentët shqiptarë në liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas kanë dhënë një koncert live në Akademinë e Arteve. Grupi amerikan i bluzit “Eli Yamin” ka qenë i pranishëm ditën e djeshme në Tiranë. Me spontanitetin e tyre dhe të luajturin bluz “për të hequr mërzitjen, “Eli Yamin” janë ndjekur nga një publik i gjithë moshave. Ashtu si tanimë njihet, muzika e tyre solli një larmi ritmesh: herë të thjeshtë, të zjarrtë dhe të zhurmshme. E në raste të tjera një muzikë e qetë dhe shëruese.

Përbërja

“Eli Yamin” ka marrë emrin nga pianisti dhe vokalisti i grupit. Përveç tij në bandë bëjnë pjesë edhe Kate McGarry (vokal), Chanell Crichlow (tubë), La Frae Sci (bateri). Përveç të qenit performues shpirtërorë, pjesëtarët e bandës “Eli Yamin” janë jo vetëm muzikantë të skenës, por edhe mësues të aftë. Ata kanë dhënë mësim në xhaz në qendrën “Linkoln”, Uashington D.C., në shkollën “Juilliard”, shkollën e muzikës së Manhatanit dhe shkollën e mesme të muzikës, artit dhe arteve të bukura “La Guardia” në Nju-Jork.

Eli Yamin (piano dhe vokal) është një pianist xhazi, kompozitor, mësues, spiker, lideri i bandës dhe artist i Stainway-t. Yamin ka dhënë shfaqje në sallat e koncerteve dhe festivalet më të mira në Shtetet e Bashkuara, Indi, Kine, Mali, Japoni dhe në gjithë Europën. Si mësues xhazi, Yamin mban postin e drejtorit artistik të projektit të dramës së xhazit dhe të drejtorit të xhazit në shkollën e mesme “Jazz Academy” të qendrës “Linkoln”. Yamin ka incizuar shumë CD, duke përfshire “You can’t buy sëing” (2008), me kuartetin Eli Yamin dhe “Suns of Cosmic Consciousness” (2005) me Solar. Shfaqjet e tij në radio dhe televizion përfshijnë “CBS Saturday Morning”, “PBS”, “Fox News” dhe Radion Kombëtarë Publike. Yamin ka luajtur, incizuar dhe ka dhënë mësim me Barry Harris, Wynton Marsalis, Illinois Jacquet, Walter Perkins, Perry Robinson, Mercedes Ellington, Kate McGarry, Claire Daly dhe Bob Stewart. Yamin ka gradën “Master” për mësimdhënie muzike nga kolegji “Lehman”, universiteti i qytetit të Nju-Jorkut (CUNY).

Kate McGarry (vokal) u rrit në Hyannis, Masachussets. Ajo u diplomua për muzikë afroamerikane dhe xhaz në Universitetin e Masaçusetsit në Amherst, ku studioi me dr. Horace Boyer dhe Archie Shepp. Ajo merr pjesë në turne kombëtare dhe ndërkombëtare dhe së fundi ishte e ftuar në San-Sebastian dhe në festivalin e xhazit të Ezcaray-t në Spanjë, në Tanglewood dhe festivalet e xhazit të Cape Cod në Shtetet e Bashkuara. Në gusht 2008, McGarry nxori CD-në e saj të katërt me Palmeto Records, If Less Is More, Nothing Is Everything. Regjistrimi u propozua së fundi për Grammy Award si albumi më i mirë i xhazit vokal. McGarry është pedagoge e shkollës së muzikës së Manhatanit.

LaFrae Sci (bateri). Përpara se të transferohej në Nju-Jork në vitin, Sci ishte drejtuesja e programit për instrumentet për fëmijët, një program i sponsorizuar nga Shoqëria e Xhazit e Ohajos Verilindore. Që atëherë Sci ka marrë pjesë në seminare të shumta brenda dhe jashtë vendit, që mbështesin mësimin e xhazit. Ajo ka marrë pjesë në turne në Francë, Gjermani, Itali, Poloni dhe Zvicër me artistë të njohur.

Ajo u diplomua për teori politike dhe ekonomi në kolegjin e Oberlinit në Ohajo.

Chanell Crichlow (tubë). Që në moshë të re Crichlow ishte e vetëdijshme për fuqinë e muzikës dhe shpejt u përqendrua tek tuba si instrument primar. Kur ishte adoleshente, ajo ndoqi shkollën e muzikës së Manhatanit dhe programin paraunivesristar në “Juilliard Schools”. Ajo themeloi kuintetin “Sakura Brass” në vitin 2004 dhe më 2007 u zgjodh në Institutin Orkestral Kombëtar. Crichlow-t iu dha çmimi “Gramercy Horn of the Future” nga orkestra “Gramercy Brass” e Nju-Jorkut dhe ishte fituesja e çmimit “Lincoln Center Young Musician” përmes performacës së saj me gjimnazin “La Guardia” të kuintetit “Music Brass”. Interpretimet e saj orkestrale dhe solo përfshijnë “Carnegie Hall”, qendrën “Linkoln”, “Avery Fisher Hall”, “Alice Tully Hall”, shkollën “Juilliard” dhe Festivalin Muzikor të Grave në Michigan me Nedra Johnson dhe “Fat Bottom Girls”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›