E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjyrime femrash dhe Ditari i një të çmenduri, nga Vlora mbërrijnë në Tiranë

Teatri Petro Marko vjen me dy premiera në skenën e Teatrit Kombëtar
Teatri Petro Marko i qytetit të Vlorës vjen në Tiranë me dy premiera teatrore. Ngjyrime femrash" me regji të Eliona Thomaraj dhe monodramën Ditari i një të çmenduri me regji nga Luftar Veshi. Monodrama, e cila u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte nën interpretimin aktorit Ilirian Ali. Monodrama është një tragjizim i intelektualit, njeriut që jeton në një ambient mbytës që asfikson gjithçka, një përpjekje e dëshpëruar, një klithmë tmerri dhe turpi që lëshon njeriu i poshtëruar nga një jetë boshe, kur sheh në pasqyrë fytyrën e vet të shtazëruar. A është ky njeri i marrë?..kërkon veç shpëtim dhe gjen atë në fantazinë e tij. Aty ndihet mbret duke u gjendur më pranë absurdes dhe marrëzisë. Regjisori i shfaqjes Luftar Veshi u shpreh se : Vepra ka qenë një aspiratë e aktorit Ilirian Ali,e cila trajton tragjizmin e një intelektuali por në fakt këtë personazh ne nuk kemi parë si të çmendur. Ka qenë një bashkëpunim i mirë pasi është e vështirë që të realizosh një prodhim skenik.Ndërkohë që më tej ai theksoi se këtë sezon Teatri Petro Markoka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur artistik, ku janë shfaqur disa premiera. Teatri i Vlorës mbështet nga Bashkia, e cila e ka përkrahur aktivitetin e tij. Ne vijmë me një prodhimtari të larmishme këtë sezon, ndërkohë që edhe publiku na ka ndjekur gjatë aktivitetit tonë, tha ndër të tjera regjisori Veshi. Ndërkohë që monodrama u shfaq mbrëmë për publikun artdashës sonte në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet shfaqja Ngjyrime femrash me regji nga Eliona Thomaraj. Ngjyrime femrash një pjesë e shkruar nga Alice Gestenberg,dramaturge norvegjeze, e cila krijimtarinë e saj e zhvilloi kryesisht në SHBA në fillim të shek XX.Ngjyrime femrash është shkruar dhe vënë në skenë në 1915 në NY. Kjo vepër është mbështetur në filozofinë frojdiane, ku për herë të parë iu kushtua rëndësi të veçantë UNI-it. 2 femra dhe 4 personazhe vijnë në skenë për publikun. Për herë të parë mendimi, xhelozia, dëshira, dashuria dhe urrejtja nuk nënkuptohen nga nënteksi, por merr trajtë njerëzore. Dy personazhet tona takohen në NewYork pas 8 vjetësh të martuara, njëra nga dashuria dhe tjetra nga dëshira për pushtet dhe para. A kanë bërë zgjedhjet e duhura dhe a janë koshiente për këtë? Çfarë interesash dhe intrigash fshehin nga njëra- tjetra? Ç'interesa dhe intriga kanë kundrejt vetvetes?A janë njerëzit të pastër me ndërgjegjen e tyre? Ç'është shpirti i një gruaje dhe çfarë force ka nënvetëdija jonë? Lumturia do të ishte thjesht një nocion n.q.s nuk ka njerëz të lumtur. Atëherë nga ngjyrat e jetës, cilat janë ngjyrat që zgjedh një femër? Të gjitha këto do të vijnë të trajtuara në premierën që do të shfaqet sonte në mbrëmje për publikun në skenë teatrore. Ndërkohë që regjisorja e shfaqjes theksoi se: Morali i kësaj shfaqjeje është shpirti njerëzor,diçka brenda vetes, ku e rëndësishme është: dëgjoni vetveten. Kjo pjesë sipas regjisores është pritur shumë mirë në qytetin bregdetar të Vlorës, dhe këtë natë ajo pret duartrokitjet e publikut të kryeqytetit. Formulimi muzikor në të dyja shfaqjet është bërë nga Altin Xhaferraj, ndërsa monodrama Ditari i një të çmenduri vjen me skenografi nga Agron Jakupi.  
Teatri Kombëtar përgatitet për dy premiera
Dy regjisorët Mihallaq Luarasi dhe Chris Papke kanë nisur provat për shfaqjet teatrore. Për herë të parë në Teatrin Kombëtar, një komedi nga dramaturgu austriak, Thomas Bernhard e titulluar "Forca e zakonit" do të vihet në skenë nga regjisori austriak Chris Papke. Në këtë shfaqje do të interpretojnë disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare. Tragjikomedinë "Forca e zakonit" shkruar në vitin 1974  austriaku Chris Papke e sjell në skenën teatrore shqiptare si premiere absolute me rastin 20-vjetorit të vdekjes së Bernhardit. Puna për shfaqjen që ka premierën më 20 qershor, ka disa ditë që ka nisur. "Forca e zakonit" është sjellë në shqip nga Jonila Godole. Historia e një drejtuesi cirku, dhe përpjekja për ngritjen e një orkestre, vjen nën interpretimin e aktorëve Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha Elton Çefa. Papke, një regjisor i prirur drejt teatrit modern, është përpjekur që në skenën shqiptare të sjellë një ndërthurje mes tendencave bashkëkohore dhe klasikes. Shfaqja nuk do të jetë vetëm aktrim i mirëfilltë, por i shoqëruar edhe me pjesë koreografike. Për këtë është zgjedhur koreografi Gjergj Prevazi, i cili tashmë është i njohur në këto realizime. Austriaku Papke ka zgjedhur këtë komedi të Bernhard, për të vënë në skenën shqiptare, i cili është konsideruar si një autor mjaft kompleks, për të bërë referimet me realitetin njerëzor. Në këtë shfaqje teatrore, asistentet e tij janë Englantina Cenoymeri dhe austriakja Julia Baule. Ndërkohë që regjisori i njohur Mihallaq Luarasi vjen me një tjetër dramë shqiptare në skenën teatrore. "Shpirti im nuk do të gjejë prehje as në botën tjetër, në qoftë se nuk e gjen dhe ma varros djalin". Mbi këtë amanet regjisori Mihal Luarasi ka shkruar dramën "Antigona kërkon të atin". Kjo shfaqje do të mbyllë dhe pjesën e parë të sezonit artistik për vitin 2009, e cila është një dramë sociale. Për këtë vepër regjisori ka më shumë se dy javë që ka nisur punën për pjesën që do të shfaqet në fund të qershorit. Për këtë dramë regjisori ka zgjedhur një aktorë të rinj si Ina Gjonçi, Gjergji Mena, por dhe emra të tjerë të njohur si Edi Luarasi, Fatos Sela dhe Ahmet Pasha. Skenografia dhe kostumet do të jenë nga Klajdi Ymeri.

Last Updated on Saturday, 30 May 2009 12:12

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›