E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rritje përhapja e sëmundjeve infektive që transmetohen nga kafshët

30/05/2009  Në vendin tonë qarkullojnë ende sëmundje infektive të viteve 60

Përhapja e sëmundjeve infektive në vendin tonë gjatë viteve të fundit ka ardhur gjithnjë e më tepër në rritje, veçanërisht për ato kategori sëmundjesh që shkaktohen prej kontaktit me kafshët. Në aktivitetin e zhvilluar dje në lidhje me parandalimin e sëmundjeve infektive ekspertët e fushës kanë pohuar se fatkeqësisht në vendin tonë qarkullojnë ende sëmundje infektive të viteve 60, të cilat transmetohen nga kafshët, përhapje e cila vit pas viti ka shtuar numrin e të prekurve. Kështu, është pohuar zyrtarisht se numri i të prekurve nga bruceloza, leshmanjoza apo lia e dhenve (që janë dhe më karakteristiket në këtë kategori), janë në rritje dhe arsyeja kryesore se pse ndodh një gjë e tillë sipas mjekëve është mungesa e higjienës vetjake që tregojnë qytetarët. Gjithashtu epidemiologët theksojnë se prania e këtyre sëmundjeve me origjine nga kafshët ka bërë që të zbehet kontrolli i sëmundjeve infektive kronike, siç janë hepatitet B e C, që po shtohen frikshëm vit pas viti. Sipas mjekut infeksionist Arian Harxhi, numri më i madh i hepatit C vihet re tek të sëmurët që kryejnë transfuzione gjaku, siç janë fëmijët talasemikë apo pacientët që marrin dializë. Megjithatë, institucionet zyrtare kanë deklaruar se tashmë po merren masat për përmirësimin e kësaj situate jo vetëm në përgatitjen e stafit mjekësor, por dhe në përgatitjen e kuadrit ligjor për ndryshimet që duhen bërë në të. "Bëhet fjalë për situata që kërkojnë rishikim të rregulloreve, zbatim dhe përshtatje të rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit, në kushtet aktuale, për situata kur duhen angazhuar fonde financiare të mëtejshme, kur duhet vlerësuar dhe përsosur sistemi shëndetësor etj.", - ka deklaruar Harxhi. Ai siguroi se, bazuar në kushtet e Shqipërisë, këto masa janë marrë qoftë në drejtim të përshtatjes së rregullores ndërkombëtare, qoftë në drejtim të rritjes së kapaciteteve të caktuara shëndetësore, përgatitjes së stafit, krijimit të stoqeve të nevojshme të barnave antivirale, por dhe rritjes dhe sensibilizimit të popullsisë për të qenë më të ndërgjegjshëm për parandalimin e infeksioneve.

Mbështetja italiane

Italia do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e shëndetësisë shqiptare në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive. Lajmi është konfirmuar dje nga ambasadori italian në Shqipëri Saba d’Elia gjatë takimit "Sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë: si t’i parandalojmë. Ambasadori D’Elia ka pohuar gjatë këtij aktiviteti se kjo nismë ndërmerret në kuadër të një sërë iniciativash të ambasadës italiane në Shqipëri për të theksuar prioritetin e fushave të shëndetësisë. "Së bashku me autoritetet shqiptare jemi duke ecur përpara dhe kërkojmë të ofrojmë pikënisje reflektimi për tema që janë më se aktuale, sikurse ato të sëmundjeve infektive, të epidemive, pandemive dhe se si t’i parandalojmë ato. Çdo politikë shëndetësore e suksesshme duhet të mbështetet në kontroll dhe parandalim dhe jo në ndërhyrje emergjence dhe kurimi." Sipas tij, është thelbësore të zhvillohet një koncept global për të drejtën e shëndetit dhe mbrojtjen e tij dhe është po aq e rëndësishme të përballemi me sfidat në këtë fushë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›