E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot komuna e Gjilanit voton për kryetarin e saj

Zona e Gjilanit do i drejtohet ditën e sotme kutive të votimit për herë të tretë për të zgjedhur postin e kryetarit të kësaj komune. Rivotimi në këtë komunë u vendos pas regjistrimit të parregullsive ne raundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajtën më 13 dhjetor të vitit të kaluar dhe trajtimeve të çështjes edhe nga Gjykata e Lartë e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

thotë se ka zëvendësuar anëtarë të komisionit në vendvotime dhe do të shtojë numrin e tyre ditën e zgjedhjeve, për të parandaluar përsëritjen e parregullsive një pjesë e të cilave thuhet se e kanë burimin tek paqartësitë në infrastrukturën ligjore. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, 87 mijë e 430 votuesit potencialë do të kenë mundësi të zgjedhin të preferuarin e tyre në 31 qendra të votimit, përkatësisht në 127 vendvotime. Edhe ekspertë të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të ndryshojnë ligjin e zgjedhjeve për të shmangur paqartësi të tilla. Autoritetet thonë se rivotimet në komunën e Gjilanit  do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare. Në këtë komunë konkurrojnë Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të dyja partnere të koalicionit qeverisës. Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rritjen e masave të sigurisë në ditën e zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka bërë gati një plan operativ për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në Gjilan. Ky plan, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, parasheh rritjen e numrit të zyrtarëve policorë në rreth 450, të cilët do të jenë të angazhuar në zbatimin e planit operativ.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›