E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliminatoret e boterorit barazon Anglia

Spanja bën Spanjën në Paris, mund Francën dhe ngjitet në krye të grupit eleminator të Botërorit.
Mjaftoi një gol i shënuar nga Pedro në pjesën e dytë, në një përballje të fortë, ku francezët i patën rastet e tyre.
Skuadra e Del Boskes ndodhet në vend të parë të grupit I, me 11 pikë ndaj 10 të Francës.
Pogba mori karton të kuq për francezët.
Anglia nuk e ndoqi dot shembullin e kampionëve të botës. Barazoi 1-1 në fushën e Malit të Zi, megjithë golin e shpejtë të Uejn Runit.
Sulmuesi anglez u kthye me sukses në fushën ku mori karton të kuq në eleminatoret e kaluara, por skuadra e tij pësoi një gol në fund, me autor Damjanoviç. Mali i Zi është në krye të grupit me 14 pikë ndaj 12 të Anglisë.
Italia u ndihmua nga Mario Baloteli për të fituar 2-0 në Maltë. Sulmuesi i Milanit realizoi golin e parë me penallti, por të kaltrit u tronditën nga penalltia akorduar për vendasit. Mifsud, gjithsesi, gaboi.
Baloteli shënoi golin e dytë dhe Italia kryeson në grupin B me 13 pikë.
Gjermania bëri detyrën duke mundur 4-1 Kazakistanin në fushën e saj. Golat u shënuan nga lojtarët e Dortmundit. Marko Rojs realizoi dy herë, po ashtu goditën Mario Gëce dhe Gyndogan.
Gjermania kryeson grupin C me 16 pikë duke lënë prapa Austrinë e Suedinë.
Kazakët shfrytëzuan një gabim të Nojerit për të shënuar golin e vetëm. 
Në ndeshjet e tjera spikat fitorja e thellë 4-0 e Holandës ndaj Rumanisë, me gola të shënuar nga Van der Vart, dy herë Van Persi dhe Xhermen Lens.
Po ashtu, Portugalia mbetet me shpresë pas suksesit 2-0 në Azerbajxhan. Golat u shënuan nga Bruno Alves dhe Almeida.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›