E Diel, 1 Nëntor 2026

Elita sllave në Maqedoni dhe Greqia, lobing që të përdoret Porti i Selanikut dhe jo ai i Durrësit

25-09-2012 / Gazeta 55

Edhe pse më i leverdishëm në shërbimet doganore dhe shumë herë më i lirë, Porti i Durrësit ka mbetur dhe do të vijojë të qëndrojë në hije. Madje, në fushatën më të fundit që kanë ndërmarrë autoritete portale greke, kërkojnë që të ruajnë këtë fluks me Maqedoninë dhe synojnë intensifikimin me Bullgarinë, Kosovën, apo Malin e Zi

Maqedonia vazhdon t’i mbajë sytë nga Porti i Selanikut, duke e lënë në krye të listës së destinacioneve të preferuara për transportin e mallrave dhe njerëzve. Pavarësisht politikave diskriminuese të autoriteteve doganore greke, sidomos keqtrajtimet në pikat e kalimeve kufitare tokësore të automjeteve dhe shtetasve me pasaportë maqedonase, por edhe grevave të punonjësve të Portit të Selanikut, si pasojë e të cilave tregtarëve nga Maqedonia u janë bllokuar me javë të tëra mallrat, tregtia me këtë port nuk është ulur. Edhe pse më i leverdishëm në shërbimet doganore, shumë herë më i lirë më pak burokratik, por edhe për favorizimet që i bën automjeteve me targa maqedonase të cilat nuk taksohen, Porti i Durrësit ka mbetur në hije. Në fushatën më të fundit që kanë ndërmarrë autoritete portale greke, e që ka të bëjë pikërisht me intensifikimin e tregtisë së mallrave nga Ballkani, mund të vihet re se janë të kënaqur me fluksin e deritanishëm me Maqedoninë dhe synojnë edhe vende të tjera të rajonit, si rritjen e porosive nga Bullgaria, apo Kosova. Prej kësaj jave e deri në fillim të vitit 2013, do të organizohet promovimi i mundësive të këtij porti në Maqedoni, e vende të tjera fqinje si Bullgari, Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi. Kjo fushatë, në fakt synon të ruajë tani për tani sasinë e volitshme të mallrave nga Maqedonia dhe Serbia, por edhe të rrisë porositë nga Bullgaria dhe Kosova. Sipas autoriteteve portale greke, planifikohet që porti të jetë i hapur si për banorët edhe vizitorët e Selanikut, ndërkohë që do të përshpejtohen procedurat për shfrytëzimin e depove. Sipas drejtorit të portit grek, Stelios Angeludis, deri tani rezultatet janë pozitive falë edhe rritjes së fluksit të anijeve turistike. Po ashtu, sipas tij, edhe fluksi i udhëtarëve është rritur për 10 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm pritet rritje edhe më e madhe. Rritje ka pësuar edhe transporti i mallrave. Nga janari deri në korrik të këtij viti, përmes Portit të Selanikut kanë kaluar 8.4 milionë ton mallra, ose e llogaritur ndryshe - rreth 24 për qind më shumë se vitin e kaluar. Sipas ekspertëve të ekonomisë, preferencat për Portin e Selanikut janë absurde, jo vetëm sa i takon politikës që ndjek shteti grek ndaj Maqedonisë dhe shtetasve të saj, por edhe për faktin se Porti i Durrësit është shumë herë më i lirë sesa ai i Selanikut. Por vetëm lidhjet politike dhe emocionale mund t’i japim shpjegim absurdit, vëren ekonomisti Visar Ademi. “Për fat të keq, deri tani Porti i Durrësit do të duhej të ishte destinacioni më i preferuar për transportin e mallrave apo njerëzve, për një arsye të thjeshtë - është shumë më i lirë sesa ai i Selanikut, duke filluar nga kostoja e shërbimeve që ofron, zhdoganimet, inventarizimet janë shumëfish më të lira. Por mesa duket, lidhjet politike dhe emocionale janë të tilla që favorizojnë Portin e Selanikut. Mendoj se duhet poashtu t’i vihet një theks më i madh edhe promovimit të rrugës Elbasan - Tiranë që shkurton distancën mes dy vendeve, po ashtu edhe Dhomat e Tregtisë, si të Shqipërisë, ashtu edhe Maqedonisë duhet të vizitojnë dhe të kontaktojnë më shumë me njëra-tjetrën”, thotë ekonomisti.
Në Portin e Durrësit, numri i kompanive maqedonase që operojnë atje vazhdon të jetë i vogël, edhe pse gjatë viteve të fundit ka pasur tentativa mes dy vendeve për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe për të intensifikuar komunikimin. Madje, dy muaj më parë, opozita akuzonte qeverinë se po ndjek politika diskriminuese ndaj kompanive transportuese me origjinë nga Shqipëria në metodologjinë e taksimit të tyre, ndërkohë që kamionët me targa maqedonase dhe serbe nuk paguajnë as edhe një taksë në Portin e Durrësit, duke bërë që shumë kompani ndërkombëtare të kontraktojnë kompani nga këto vende për transport me destinacion Shqipërinë.
Porti i Durrësit më shumë shfrytëzohet nga tregtarët kosovarë për transportin e mallrave, të cilët që prej vënies në funksionim të autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën, e kanë anashkaluar krejtësisht Portin e Selanikut.
Vetëm dy muaj më parë, në Portin e Durrësit u inaugurua terminali i ri, i konceptuar për të pritur një fluks prej 1.5 milionë pasagjerësh në vit, me standardet më të larta evropiane.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›