Topalli, Arvizu: Reforma në drejtësi, thelbësore

Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli e konsideron sistemin e drejtësisë dhe projektet për përmirësimin e tij, thelbësor për konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu dhe me drejtorin e ri të USAID-it për Shqipërinë Jim Barnhart, Topalli është shprehur për rëndësinë e dixhitalizimit të këtij sistemi.
Ambasadori Arvizu dhe z.Barhart njohën Kryetaren e Kuvendit me një sërë projektesh të reja të rëndësishme të USAID që do të realizohen në të gjithë vendin dhe kanë në qendër çështjet sociale, nxitjen e vlerave kulturore, turizmit, forcimin e partnershipit midis autoriteteve lokale etj.
Kryetarja e Kuvendit çmoi rëndësinë e mbështetjes së USAID duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me këtë mision në projekte të rëndësishme siç është lufta kundër dhunës në familje, lufta kundër kancerit të gjirit si dhe barazia gjinore.