E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria sipas Eliza Dushkut

Një dokumentar për Eliza Dushkun... Vetëm kaq ishte thënë dhe më tej supozimet e hipotezat nisën të gëlonin në faqet e shtypit rozë apo diskutimet e gjithë të interesuarve për aktoren hollivudiane Eliza Dushku... Sigurisht arsyeja është një dokumentar. Një dokumentar kushtuar Shqipërisë.

Projekti

Fotografi me famë botërore, dhe gjithashtu fotografi zyrtar i Miss Universe, Fadil Berisha, ndërsa mendoi projektin e tij të ri mjaft ambicioz e kishte të qartë se kush do të ishte heroina e tij e radhës. Një shqiptare që të rrëfejë Shqipërinë, por që edhe të ketë audiencën maksimale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kush më mirë se Eliza Dushku mund të përfaqësonte këtë projekt. Bëhet fjalë për një dokumentar që do të transmetohet në një televizion të njohur për udhëtimet në SHBA, ku një personazh i njohur rrëfen vendin e tij. Emisioni është 90 minuta, sa një film me metrazh të gjatë, dhe në të nuk do të jetë vetëm Eliza Dushku e pranishme, por mjaft e mjaft emra të tjerë, si Inva Mula, Aurela Gaçe, Eli Fara e Blerim Destani. Aktorja më me famë shqiptare në Hollivud ka mbërritur ditën e shtunë në Tiranë. Bashkë me të ka qenë i vëllai saj Nic një staf prej 20 vetash, regjisorë, operatorë, gazetarë që do të përgatisin emisionin kushtuar asaj.

Dokumentari

Zbulimi i Shqipërisë do t’i bëhet Amerikës përmes Eliza Dushku. Ndërsa vetë Elizës, zbulimi dhe njohja me vendet dhe traditat shqiptare do t’i bëhet nga personazhe shqiptarë. Kështu, do të jetë sopranoja me famë në botë, Inva Mula; shoqëruesja e saj e parë në këtë udhëtim. Inva do të jetë një lloj ciceroneje për këtë fushë të artit dhe do t’i përgjigjet çdo pyetjeje dhe kurioziteti që Eliza do të ketë... Gjithashtu, aktori Blerim Destani do të jetë bashkudhëtar i Elizës; apo këngëtarja e serenatave Eli Fara, e cila do ta shoqërojë atë në udhëtimin në Korçë, ku artistja do të niset sot për ta vizituar. Gjirokastra do të jetë një qytet që do të vizitohet dhe do të jetë pjesë e dokumentarit promovues. Vizita e Elizës do të vazhdojë më tej në Krujë, vendin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Aty Eliza do të pritet nga kryetari i Bashkisë së Krujës, i cili do të bëhet udhërrëfyesi i saj në këtë qytet. (Kruja ka qenë qyteti i vizituar nga Eliza edhe në vizitën e saj të parë në Shqipëri. Madje aty ajo bëri edhe tatuazhin e saj me shqiponjën, si dhe mjaft fotografi me çifteli dhe flamurin kuq e zi). Ky do të jetë itinerari i Elizës në Tiranë, ndërsa udhëtimi i saj do të vijojë në Kosovë, ku ajo do të vizitojë disa qytete atje, si Prishtinën, Prizrenin dhe Gjakovën.

Veshjet shqiptare

Ideja e dokumentarit është promovimi i Shqipërisë në çdo gjë që na përfaqëson denjësisht. Veshjet shqiptare janë një element mjaft i rëndësishëm. Kështu mëngjesin e së dielës Eliza me grupin e saj ka bërë një takim me stilisten e njohur Mirela Nurçe, e cila ndërthur traditën me modernen në veshjet e saj. Në një kënd në qendrën Aba Bussines Center, Mirela kishte ekspozuar disa nga veshjet e saj, të cilat u provuan thuajse të gjitha nga aktorja hollivudiane Dushku. E mrekulluar nga palltot që mbështeteshin te xhubleta shqiptare, apo detajet e punuara dhe qëndisur mjeshtërisht me dorë nëpër palltot e zeza, të bardha dhe gri (ngjyrat që karakterizonin këtë koleksion të Nurçes), Eliza ka pozuar dhe është fotografuar nga Fadil Berisha. Ndërsa vetë Mirela i ka dhuruar një prej palltove të koleksionit të saj Elizës. Në fakt, ky nuk ka qenë takimi i parë mes Elizës dhe Mirelës. Eliza ka pozuar edhe në New York për stilisten Nurçe, gjatë sfilatës së kësaj të fundit atje dhe fotot e aktores janë edhe në websitin e stilistes. Aktorja ka përgëzuar Mirelën për veshjet e saj dhe i pohoi se ndihej krenare që mund të vishte veshjet e Nurçes.

Mbrëmja Gala

Një darkë me personalitete të jetës së vendit në një ambientet i cili shquhet jo vetëm për ushqimet tradicionale shqiptare por edhe për arredimin, shërbimin dhe veshjet e stafit punonjës sipas traditave, siç është restorant “Sofra e Ariut”, ka qenë mbyllja më e mirë e aktivitetit të ditës së diel për Elizën në Tiranë. E konceptuar si një mbrëmje Gala, në të kanë marrë pjesë mes shumë emrave të artit edhe sopranoja Inva Mula, e cila edhe pse dy ditë më parë u largua nga Shqipëria mbërriti sërish për nder të aktores hollivudiane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›