E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliza Dushku kërkon shtetësinë shqiptare

Aktorja e mirënjohur ka mbërritur këtu për të parë disa nga qytetet kryesore për rreth 10 ditë, si dhe për të promovuar vlerat social-kulturore të Shqipërisë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, bëri të ditur se Eliza Dushku do të zhvillojë sot një takim me kryebashkiakun Lulzim Basha, si dhe do të vizitojë disa nga qendrat tregtare të Tiranës.

“Aktorja më pas do të ketë një udhëtim turistik në Durrës, Berat, Korçë, Krujë e Vlorë për të bërë një promovim sa më të mirë të Shqipërisë", theksoi Tabaku.

Vetë aktorja e Hollivudit tha se po bashkëpunon me producentë nga "Lonely Planet” apo "Travel Channel", për të përgatitur që të tregojë se sa e mahnitshme është Shqipëria. Ajo shprehu dëshirën edhe për të vizituar qytetin e babait të saj, Korçën.

Aktorja Eliza Dushku shprehu dëshirën për të pasur dy-shtetësinë, atë amerikane dhe shqiptare. Ajo firmosi në aeroport kërkesën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare dhe për të pasur zyrtarisht këtë shtetësi. /Start/

                                                                                             2011-08-07 14:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›