Elton Deda nis procedurat e divorcit nga Jola

Në foto Elton Deda, Jola dhe miqtë
Një lajm që në fillim qarkulloi në formë thashethemi, pastaj u pasua nga disa shkrime të shkurtra në media, dhe tashmë është bërë fakt. Fjala është për kantautorin e njohur, Elton Deda, i cili sapo ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij, Jola Mani, pas shtatë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Martesa e tyre e jetuar në SHBA duket ka pësuar krisje, ashtu siç u komentua me rikthimin e Elton Dedës në Tiranë, edhe pse kantautori nuk pranoi të flasë asnjëherë për këtë çështje të jetës së tij private. Elton Deda u kthye në Tiranë në vjeshtën e e vitit 2011, duke pohuar se nuk e kishte vendosur ende nëse do të rikthehej përgjithmonë për të jetuar në Tiranë si beqar, apo nëse ky ishte një rikthim i përkohshëm për muzikën. Edhe pse kishin filluar të qarkullonin fjalët se ky ishte një vendim i tij pas problemeve në familje dhe krizës në martesë, ai nuk pranoi të fliste absolutisht në media për këtë çështje. Në një intervistë dhënë për gazetën Panorama pas rikthimit, ai iu përgjigj me rezerva pyetjes se pse kishte vendosur të rikthehej në Shqipëri, gjë që e mbante larg nga familja. Ai u përgjigj se njerëzit kanë dëshirë dhe ambicie të ndryshme në jetë, unë largohem tani, afrohem më vonë. Planet e mia nuk janë të përhershme. Por që të bëhem aq egoist saqë ti propozoj një kthim familjes në Shqipëri, nuk do ta bëja dot. Jeta ime mund të jetë e ndarë mes dy kontinenteve, por kjo është një kosto që unë e kam marrë parasysh, është shprehur ai. Më tej pohoi se arsyeja kryesore e rikthimit ishte muzika, për të cilën është kthyer me shumë ide në kokë, akumulim nga 7 vjet jetë në USA. Në një farë mënyre ai aludoi për një rikthim në Shqipëri, ndërsa pohoi se investimi që do të bëjë këtu, nuk do jetë i pakët apo afatshkurtër. Ndërkohë që në këtë rikthim Eltoni ka qenë shumë dominant në jetën muzikore të Tiranës. Ai ishte një nga trajnerët e talenteve të The voice në Top Channel, konkurroi në Festivalin e Këngës në RTSH pas shumë vitesh, ka rikthyer për disa koncerte Tre Muskëtierët në koncerte live, dhe po krijon muzikë për vete dhe të tjerët. Këto ditë kantautori ndodhet në Amerikë, pasi ka përfunduar misionin në spektaklin The Voice, dhe ndoshta me rikthimin e tij ai do të mund të flasë për herë të parë në lidhje me arsyet e divorcit.
Si mori fund historia shumëvjeçare me Jolën
Ai, një këngëtar shumë i njohur i pasviteve 90-të, ndërsa ajo vajza sharmante e artistëve Pirro e Pavlina Mani, ishte çifti që u komentua për lidhje të fortë dhe pasiononte me njëri-tjetrin në ato vite. Elton Deda dhe Jola Mani e mbajtën lidhjen e tyre prej pesë vitesh në distancë larg njëri-tjetrit, pas largimit të Jolës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas pesë vitesh larg, Deda vendosi të zhvendosej në Amerikë, duke lidhur martesë atje me Jolën para shtatë vitesh. Vetë Deda vendimin për të udhëtuar drejt Amerikës dhe për të jetuar atje e komentoi si një ritakim me Jolën, pas një ftese nga ana e saj fillimisht për një tjetër shans për lidhjen e tyre, meqë kishin rreth 5 vite larg njëri-tjetrit, ritakim që funksionoi. Nga martesa e tyre ata sollën në jetë një djalë, që e kanë quajtuar Fjord, dhe që aktualisht jeton në SHBA me Jolën. Edhe pse këngëtari asnjëherë nuk ka pranuar të flasë në media në lidhje me jetën e tij private, e ka shprehur gjithmonë se jeta me një tip si unë është shumë e vështirë dhe ime shoqe shpeshherë më duket heroinë. Maksimumi është kompromis mbas kompromisi, ashtu si kam bërë edhe unë për shumë gjëra pas martesës. Aktualisht ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përfundimit të spektaklit The voice, ndërsa do të kthehet sërish për të vazhduar jetën në Tiranë dhe karrierën e tij muzikore.
