Xhaferi: Prishtina po nxitë shqiptarët në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka akuzuar klasën politike të Kosovës se reagimet për situatën politike në Maqedoni po vijnë si pasojë e frustrimeve të brendshme, të cilat pastaj po i nxisin shqiptarët në Maqedoni.
Xhaferi i ka sugjeruar klasës politike në Kosovë që të merret me veriun dhe me çështje të tjera të brendshme, raporton KTV-ja.
Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk e di se kujt i referohet zëvendëskryeministri Xhaferi, por ka theksuar se LDK –ja e ka përkrahur gjithnjë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është kusht për arritjen e stabilitetit në Maqedoni dhe rajon, transmeton Koha.neti.
Deputeti i “Vetëvendosjes”, Liburn Aliu ka thënë se është e drejtë legjitime që shqiptarët në Maqedoni të organizohen për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.
KTV-ja raporton se ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, por ai nuk ka dashur të japë përgjigje.