E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvana Hana: Paga e mjekëve, në bazë të punës reale

Durrës

Kontratat mes ISKSH-së, mjekëve dhe infermierëve të spitalit të Durrësit do të rikonceptohen për vitin 2011, duke synuar uljen e korrupsionit dhe transparencën e pagave të tyre reale. Personeli i spitalit të Durrësit ka paga 15 për qind më të larta se personelet e spitaleve të tjera në vend. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se pagat më të larta janë rezultat i efikasitetit të shfaqur në aplikimin e skemës së sigurimeve. Në spitalin e Durrësit, që ofron shërbim për një popullsi prej 350 mijë banorësh, janë trefishuar të ardhurat dytësore krahasuar me vitin 2003. Ndërkohë që mbi 50 për qind e tyre janë përdorur për investime dhe pjesa tjetër për shpërblime dhe motivimin e punonjësve. Hana tha se në vitin e ardhshëm kontratat do të rikonceptohen me elemente të rinj: si për shembull dhënia e pagesës mbi bazën e realizimit të treguesve të performancës, që mendohet të përçohet jo vetëm në nivelin e parë, pra në kontratat mes ISKSH-së dhe spitaleve, por edhe në nivelin e dytë, ndërmjet spitalit dhe mjekëve. Punonjësit mjekësorë me grada shkencore, si edhe ata që janë në studim e sipër për t’i siguruar ato, janë pjesë e stafit të këtij spitali, që ka organizuar konferencën e tij të dytë mediko-kirurgjikale, e cila është e akredituar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Konferenca u mbajt në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ajo ishte e ndarë në dy sesione, në atë të kirurgjisë dhe sëmundjeve të brendshme, gjatë të cilave mjekë të ndryshëm referuan mbi tema të ndryshme, që prek shëndetin e pacientëve dhe në atë të orientimit në mirëpërcaktimin e diagnozave dhe mënyrat e trajtimit të sëmundjeve. Spitali i Durrësit është i vetmi në Shqipëri që ka nisur të përllogarisë treguesit e kostos në katër shërbimet kryesore, kirurgji, patologji, pediatri dhe obstetrikë-gjinekologji dhe konsiderohet si sukses në zbatimin e reformës, që është ndërmarrë në spitalet e vendit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›