Bordet vendosin për tekstet e enteve botuese
Përfundon procesi i përzgjedhjes së librave që do të përfshihen në bibliotekat e shkollave të arsimit parauniversitar për vitin 2010-2011. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bordet rekomanduese kanë vendosur se cilët libra do të jenë pjesë e bibliotekave të tyre. Propozimet e teksteve, që mund të përfshiheshin në programin mësimor, janë bërë nga entet dhe shtëpitë botuese. Nëse gjatë viteve të kaluara secila shkollë ka marrë përsipër t’i përcaktojë vetë lëndët që do të përfshiheshin në programin e tyre mësimor, këtë vit është aplikuar një formulë tjetër. Komisioni këshillues ka qenë i përbërë nga pjesëmarrja e 3-4 shkollave, ku anëtarë të saj kanë qenë mësues e specialistë të kualifikuar. Pas propozimeve të marra nga shtëpitë botuese, bordi ka shqyrtuar me detaje përmbajtjen e librave, duke vendosur se cilat do të jenë pjesë e programit mësimor për vitin e ri shkollor 2010-2011. Përcaktimi i tyre është bazuar në disa kritere, që kanë shërbyer si kushte edhe për mënyrën se si duhet të procedonin entet botuese në përzgjedhjen e teksteve që do të propozonin përpara bordeve këshilluese. Ky proces ka kaluar në dy faza. E para ka qenë ajo e përzgjedhjes së teksteve nga shtëpitë botuese, duke përmbushur disa kritere, ndërsa e dyta ishte ajo e seleksionimit dhe përcaktimit të lëndëve që do të përfshihen përfundimisht në shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare.
FazatTri ditë më parë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, urdhëroi që rekomandimi i lëndëve për programet mësimore të vitit të ri shkollor të bëhej nga shtëpitë botuese. Pas përzgjedhjes së teksteve, MASH-i kishte parashikuar që të kalohej në një fazë tjetër, e cila do të ishte ajo e përzgjedhjes së teksteve nga dy bordet këshilluese. Secila shkollë e arsimit parauniversitar tani ka dy komisionet e saj specifike, funksioni i të cilave ka të bëjë me shqyrtimin e veprave. Ndërsa faza e tretë ishte ajo e përzgjedhjes përfundimtare të teksteve që do të përfshiheshin në biblioteka për vitin e ri shkollor.
BordetKrijimi i bordeve këshilluese, sipas Tafajt, do të ndihmonte në pasurimin e bibliotekave me lëndë, që përbëjnë vlerë dhe që nxisin përmirësimin e nivelit të nxënësve. Kjo do të thotë që çdo shkollë e arsimit parauniversitar do të zotërojë dy borde rekomanduese, që do të përzgjedhin literaturën që do të përfshihet në bibliotekat e tyre. Secili prej bordeve, që do të krijohet në këto institucione, do të karakterizohet në bazë të funksionit të tij specifik. Bordi i parë ka për qëllim shqyrtimin e botimeve didaktike dhe të atyre me vlera të karakterit formues e edukues në fushën e lëndëve me profil shkencor. Ndërsa i dyti do të marrë në shqyrtim literaturën artistike me vlera të spikatura letrare, si dhe botimet me vlerë studimore në fushën e lëndëve shoqërore.
#