Elvin Mamedov: Arbitri na favorizoi

Disa prej lojtarëve azere janë shprehur të çuditur për reagimin e kuqezinjve, pasi, sipas tyre, vendimet e treshes së gjyqtarëve gjeorgjianë ishin të drejta.
Kësaj i thonë të mbulosh “diellin me shoshë”. Mes tyre, megjithatë, nuk ka munguar edhe një zë i sinqertë. Bëhet fjalë për mesfushorin e skuadrës azerbajxhanase, Elvin Mamedov, i cili e pranon se skuadra e tij u favorizua nga gjyqtari gjeorgjian dhe se kjo nuk ishte një pjesë e bukur e ndeshjes.
Sipas tij, Shqipëria tregoi se është një ekip që luan futboll të pastër dhe ambicioz.
“Ne luanim karshi një ekipi të fortë. Shqipëria u paraqit mirë dhe ishte një ekip dinjitoz. Ne u munduam dhe luajtëm mirë. Personalisht nuk isha në gjendjen time optimale, ku besoj se ka ndikuar edhe mosaktivizimi im tek Inter”, theksoi lojtari azerbajxhanas.
Ai shtoi se, nga ajo që u pa në fushë, “bilbilat” ishin të njëanshëm në vendimet që morën, sidomos në pjesën e parë.
“Gjyqtari na favorizoi shumë dhe nuk e di arsyen, por ne u paraqitëm mirë në pjesën e parë”, e përfundon prononcimin e tij për mediat lojtari Elvin Mamedov.