Elvir Muriqi më 22 prill përballë Antonio Tarver

Shqiptari 27-vjecar do të luftojë kundër numrit 2 të botës në kategorinë gjysmë të rëndë dhe njërit prej 10 boksierëve më të mirë të të gjitha kohëve në këtë kategori
Elvir Muriqi, i njohur në ringun profesionist me nofkën "Kosova Kid" në muajin e ardhshëm të zhvillojë mecin më të rëndësishëm të karrierës së tij. Boksieri shqiptar që synon titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në njërin nga katër versionet e rëndësishëm, do të përballet me ish-kampionin Antonio Tarver.
Kishte kohë që flitej për këtë përballje, por vetëm të dielën është konfirmuar gjithcka nga "Star Boxing", kompania e promoterit Joe DiGuardia që menaxhon karrierën e të dy boksierëve. Përballja do të transmetohet edhe në rrjetin televiziv amerikan ABC, ndërsa nuk është caktuar ende vendi se ku do të zhvillohet meci.
38-vjecari Antonio Tarver, që në ringun profesionist njihet me nofkën "Magic Man" (Njeriu magjik), ka një bilanc prej 24 fitoreve (18 prej të cilave me nokaut) dhe katër humbjeve. Në kohë të ndryshme ai ka mbajtur brezat e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në katër versionet e rëndësishme të boksit profesionist (WBO, WBA, WBC dhe IBF). Përballjen e fundit e ka zhvilluar në qershor të vitit 2006, ndërsa është angazhuar edhe në kinematografi, duke luajtur rolin e kundërshtarit të Rocky Balboas në filmin me të njëjtin emër që është shfaqur në kinema në fund të vitit të kaluar. Aktualisht Tarver renditet si boksieri i dytë në renditjen botërore dhe është i dhjeti në listën e boksierëve më të mirë të të gjitha kohërave në këtë kategori.
27-vjecari nga Peja, Elvir Muriqi, ka një bilanc prej 34 fitoreve (21 prej të cilave me nokaut) dhe tri humbjeve në ringun profesionist. Në vitin 2004 ai kishte arritur që të renditjen në mesin e 11 më të mirëve në versionin WBC, por dy humbjet e pësuara në dhjetor të 2004-tës ndaj Danny Santiago dhe ndaj ukrainasit Oleksandr Garashchenko, kishin bërë që Muriqi të largohet për një kohë nga mesi i të mëdhenjve të kategorisë gjysmë të rëndë të ringut profesionist. Në atë kohë Muriqi ishte nën kujdesin e Don King dhe pas shkëputjes së kontratës me të dhe nënshkrimit me Joe DiGuardian shqiptari ka shënuar tri fitore në po aq mece të zhvilluara dhe ka ngjitur përsëri shkallët e renditjeve. Aktualisht ai është i 17-ti në renditjen evropiane të boksierëve të kategorisë gjysmë të rëndë, ndërsa në atë botërore është i 45-ti. Një fitore ndaj Tarverit do të bënte që Muriqi të ngjisë shumë shkallë në renditje dhe t'i mundësonte më shpejt një përballje për titullin botëror.