Elvis Roshi i përgjigjet Berishës: Do të të bëjmë copash me votë
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i përgjigjet kryeministrit për çështjen e monumentit të dy gishtave në qendër të këtij qyteti. Kryebashkiaku ka deklaruar se do e heqë këtë monument, kur Berisha ka kërcënuar këdo që e prek atë
Jam i detyruar të bëjë këtë deklaratë për shtyp pas dështimit të djeshëm të kryeministrit në ikje të Shqipërisë dhe shqiptarëve pas 20 ditësh në qytetin e Kavajës me të ashtuquajturin miting të ditës së djeshme.
Zoti Berisha,
Meqë nga sheshi i demokracisë mu drejtove mua personalisht, po të them se ti akuzat personale për kundërshtarët e tu politikë i ke zakon. E ke bërë këtë me kryetarin e Partisë Socialiste, me të gjithë të zgjedhurit vendorë të PS dhe kandidatët e saj për deputetë. Dhe një argument për këtë ka dhe e kupton gjithë populli: si kryeministër në ikje, të ka zënë tmerri për pleqërinë tende dhe për votën e qytetarëve të Kavajës.
Si një deputet në ikje i qytetit të Kavajës, ti more zotëri, bllokove çdo investim për qytetarët, duke bllokuar projektet jo vetëm infrastrukturore, por edhe ato sociale. Qytetarët e Kavajës nuk kanë nevoje që tu tregosh sesa pranë tyre ke qëndruar këto 23 vjet, sepse ti personalisht i ke zhgënjyer, ke dështuar dhe ke humbur bastin me ta.
Prej me shume se dy vitesh, qytetarët e Kavajës kanë ndjerë ndryshimin në çdo qelizë të qytetit. 33 rrugë të reja janë shtruar në Kavajë dhe kjo falë punës, dashurisë, ndershmërisë dhe donacioneve të biznesit privat.
Qytetarët e Kavajës sot kanë më shumë përkujdesje sociale, më shumë menaxhim dhe frymëmarrje në qytetin që ti e mbylle në mënyrë të padrejtë. Shkollat, kopshtet, trotuaret, ndriçimi, mbjellja e pemëve, investimet për xhaminë e rrugën e Kishës, ujësjellësi, projekti i stadiumit, godina e Bashkisë së re që është duke përfunduar, janë projekte që kane marrë vlerësimin dhe vëmendjen e të gjithë qytetarëve të kavajës.
Sigurisht doktor, si një njeri që në fillim duhet të kurosh veten e më pas të flasësh për të tjerët, të janë errur sytë ti shohësh gjithë këto ndryshime në qytetin që ti bllokove e bojkotove. Por qytetarët e Kavajës ta treguan këtë me votë në 8 majin e vitit 2011, dhe jam i bindur se do të ta tregojnë 10 herë me shumë në 23 qershor 2013 duke votuar deputetin dhe djalin e tyre të sigurt Parid Cara.
Ti kërcënove zoti Berisha se do të bëje copash këdo që do të prekë të ashtuquajturin monument te dy gishtave. Por askush nuk të ka më frike dhe të garantoj se qytetarët e rrethit të Kavajës, do të bëjnë copash me votë ty që i ke bojkotuar për 23 vjet, në 23 qershor, duke votuar Partine Socialiste dhe numrin 29 në fletën e votimit.
Dhe meqë je i painformuar, po te them dy fjale për të ashtuquajturin monument të dy gishtave në qendër:
Projekti i qendrës së qytetit, është projekti më madhor për të cilën kemi punuar gjatë këtyre dy viteve kur ti nuk doje ti ktheje sytë nga Kavaja. Është një projekt gjigant, prej afro 8 milionë eurosh ku ka një harmonizim të sheshit Demokracia, me godinën e bashkisë, lulishtet, shatërvanët e xhaminë e qytetit. Sa për atë që e konsideron monument dhe për të cilin je tallur prej 23 vitesh, po të them se ai vetëm monument i dy gishtave nuk është.
Projekti ynë do të sjellë një vepër akoma më të madhe e me të bukur, që hijeshon pamjen e qytetit, i jep vlerën e vërtetë dhe forcën e duhur zhvillimeve demokratike që nisen nga Kavaja që në vitin 1990 dhe që sigurisht, nuk mund të realizohet me ty kryeministër që ke mbetur akoma me mendësinë e shëtitjes në varkën e bllokmenëve.
Ky projekt madhështor, i monumentit historik të demokracisë, do të financohet nga qeveria e PS dhe do të bëhet realitet pas 23 qershorit.
Dhe e fundit që po të them doktor, është fakti që takimi yt i fundit me qytetarët e Kavajës do të jetë në datën 23 qershor dhe do të jetë me votë. Pastaj thjesht do të jesh një turist i qytetit të Kavajës që do të shohësh se sa është zhvilluar qyteti që në momentin kur ti e ke lënë qytetin të lirë.