Elvis Çefa, dy apartamente dhe fitime nga automjetet
Numri dy i KLD ka blerë një shtëpi të re me vlerë 123 mijë euro te Mane TCI
Fatjona Mejdini
Nënkryetari i sapozgjedhur i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, ka nisur të deklarojë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në vitin 2005 kohë në të cilën ai mbante pozicionin e inspektorit të Kontrollit të Brendshëm administrativ antikorrupsion. Nga ajo kohë në të cilën pasuria e Çefës ishte vetëm një apartament banimi me sipërfaqe 70 m2 katrorë, në gjashtë vitet që pasojnë të ardhurat dhe pasuritë e paluajtshme të numrit dy të KLD-së janë shtuar. Aktualisht, Çefa është dhe pronar i një apartamenti të ri në kryeqytet, të blerë në një firmë që ka si administrator biznesmenin Zamir Mane dhe si pasojë e kursimeve familjare, Çefa ka arritur të rrisë llogaritë e tij bankare dhe të bashkëshortes së tij. Interesant është fakti se nënkryetari i KLD-së, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka arritur të përfitojë shuma të konsiderueshme nga shitblerja e makinave.
Apartamentet
Në vitin 2005 kohë në të cilën Çefa ka nisur të deklarojë pasurinë e tij ka theksuar faktin se ka pasur një apartament banimi me sipërfaqe 70 m2 të blerë me një vlerë prej 1.5 milionë lekësh. Po kështu, ai ka theksuar faktin se ka një kredi prej rreth 5000 eurosh të cilën vijon ta shlyejë. Për deklaratën e pasurisë së vitit 2010, Çefa bën të ditur se ka nisur pagesën e kësteve për blerjen e një apartamenti në rrugën Dervish Hima në Tiranë me ndërtues Mane TCI me sipërfaqe 130 m2 dhe me vlerë totale prej 123.500 eurosh, për të cilën ka shlyer vetëm një këst të përbërë nga rreth 12 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë për vitin 2011, Çefa thekson se ai ka marrë një kredi bankare me shumën e 5 milionë lekëve dhe me të ka arritur të shlyejë dhe një këst të dytë të shtëpisë së re me vlerë rreth 36 mijë euro. Çefa gjatë kësaj periudhe ka mbajtur dhe pozicionin e drejtuesit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Automjetet
Viti 2010 duket se ka qenë i mbarë për Elvis Çefën dhe familjen e tij. Këtë vit, Çefa, me detyrë drejtuesi i AKKP-së ka deklaruar se ka blerë një automjet tip Toyota me një vlerë prej 3650 euro, shtuar dhe vlerën e 200 mijë lekëve. Por përfitimi i vërtetë i Çefës ka qenë kur ai blerë po këtë vit një autoveturë tip Volkswagen Passat të vitit të prodhimit 2005 për një shumë të ulët prej 380 mijë lekësh. Por me sa duket pak javë ose muaj më vonë, Çefa e ka shitur të njëjtën makinë, por kësaj radhe me vlerën e konsiderueshme të 14 mijë e 500 eurove. Ky pazar i mirë është përdorur për pagimin e këstit të parë të blerjes së apartamentit të tij të dytë dhe po kështu dhe për kursime familjare. Nga ana tjetër, Çefa nuk deklaron të ketë blerë truall në deklaratën e tij të pasurisë dhe për çdo vit në deklaratën e tij bashkëngjitet dhe ajo e bashkëshortes, e cila aktualisht është punonjëse e Kuvendit të Shqipërisë.
Shitblerjet
Përfitimet e zyrtarëve nga blerja dhe pastaj shitja e automjeteve janë kthyer në një modë. Nisur nga statusi i tyre ata përfitojnë makina me çmim tepër të ulët dhe më pas i shesin me vlerën e tregut.
Fshehja
Borxhet pa interes, fenomen në rritje te zyrtarët
Borxhet e majme pa interes, dhuratat e shtrenjta dhe sponsorizimi i përhapur me shpejtësi te një pjesë dërrmuese e gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë janë bërë shqetësuese për organet që kanë detyrim kontrollin e pasurisë të zyrtarëve. Fenomeni i cili po bëhet gjithmonë e më prezent në deklaratat e pasurive të disa subjekteve është shtruar si pasojë e mungesës ligjore, e cila mund të sillte kontroll për qytetarët, të cilët kishin dhënë hua dhe dhurata për zyrtarët e lartë. Kjo ka bërë që këtë vit me propozim të ILDKP-së të miratoheshin amendimet e Kodit Penal, duke shtuar si subjekte të veprës penale të Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi… edhe personat e lidhur me zyrtarin deklarues. Kjo të thotë që dhe personi që jep borxh do të ketë detyrimin të deklarojë pasurinë e tij.
Shorti
Kontrolli i plotë, këtë vit asnjë ministër
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive përzgjodhi pak muaj më parë përmes një shorti të hapur edhe 188 zyrtarët, pasuritë e të cilëve do të kalojnë nën kontroll të plotë. Ashtu si edhe vitet e tjera, përzgjedhja e 4% të zyrtarëve të cilët do të kalojnë në sitin e ILDKP-së u bë në mënyrë të hapur, por në ndryshim nga vitet e tjera lista e personave që do të hetohen nuk përmban surpriza të mëdha dhe emra të cilët janë akuzuar nga foltoret politike për korrupsion. Kështu, duart e përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile që përzgjodhën emrat nëpërmjet shortit nuk kapën asnjë nga ministrat e kabinetit Berisha dhe asnjë nga kryetarët e partive ose grupeve parlamentare në vend.
Elvis Çefa, dy apartamente dhe fitime nga automjetet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip