E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë

Në tetë qarqe të vendit ka më shumë se 1 vatër zjarri, teksa në disa raste situata paraqitet mjaft problematike për shkak të pamundësisë për të ndërhyrë.

Qarku Dibër: Një zjarr në fshatin Terze të Komunës Kala e Dodës që vazhdon i favorizuar nga terreni i thepisur dhe era. Po punohet me vështirësi. Një zjarr në ekonomine pyjore mbi fshatin Qafë-Murrë ka dëmtuar një sipërfaqe prej 5 ha, është nën kontroll dhe po punohet për shuarrjen e plotë të tij.

Qarku Elbasan: Zjarri në malin e Sopotit të Komunës Stravaj vazhdon. Janë angazhuar strukturat e shërbimit pyjor dhe komunitetit për shuarjen e tij, por terreni tepër i thepisur e vështirëson punën për shuarjen e tij. Zjarri në fshatin Grabovë e Sipërme, komuna Lenie, në kullotë, është shuar. Zjarri në fshatin Tushan, komuna Sult, rrethi Gramsh, në pyll të shkurtër me ferra e shkurre, është nën kontroll. Pjesërisht ëshët shuar dhe po punohet për shuarjen e plotë.

Qarku Gjirokastër: Ka një vatër zjarri në pjesën e sipërme të malit të Gjirokastrës, ku po punohet për shuarrjen e tij. Zjarri në masivin me pisha të reja në faqen e kodrës pranë qytetit është shuar.

Qarku Kukës: Ka vatra zjarri në: zonën pyjore Leproj dhe Keçel, të Komunës Malzi; Gjegjan, komuna Tërthore dhe Qafë Komi 1, komuna Arrën; në Letaj, të komunës Golaj, rrethi Has. Të gjitha vatrat  e zjarrit janë nën kontroll dhe vazhdon puna për izolimin e tyre të plotë. Ndërsa në Malin e Gjallicës vatrat e zjarrit për shkak të terrenit tepër të thepisur mbeten problematike. Po punohet me ngulm për vënien nën kontroll.

Vatra të tjera zjarri janë, më pak problematike mbeten ato në: zonën e Qafë Komi 2, komuna Arrën; Shoshan-Begaj, komuna Tropojë e Vjetër. Po punohet për izolimin e plotë dhe shuarjen e tyre.

Qarku Korçë: Vazhdojnë vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në kufirin ndarës ndërmjet rrethit Korçë dhe Kolonjë, rreth 5 km në vijë ajrore nga kufiri me Greqinë. Për fikjen e zjarrit janë angazhuar forcat pyjore dhe komuniteti nga fshatrat Kozel, Pepellash dhe Floq, të komunës Mollaj, rrethi Korçë, si edhe nga komuniteti i komunës Mollas, rrethi Kolonjë. Janë djegur afërsisht 62 ha pyll, por situata ka përmirësime të ndjeshme.

Qarku Lezhë: Ka një zjarr në fshatin Shëngjin të Komunës Fan, rrethi Mirditë, në një sipërfaqe pyjore. Zjarri është nën kontroll. Forcat zjarrfikëse dhe pyjore si edhe komuniteti po punojnë për shuarjen e tij.

Qarku Shkodër: Në rrethin e Pukës, në Pjavër, komuna Iballë zjarri është riaktivizuar por është nën kontroll. Zjarri në Gryk të Kabashit, ndërmjet komunës Qelëz dhe Rrape është nën kontroll dhe po punohet. Zjarri në malin e Tërbunit është jashtë kontrollit pasi nuk mund të ndërhyhet se është shumë lart dhe nuk shkohet. Zjarri në Malin e Veleçikut, komuna Kastrat, rrethi Malësi e Madhe është shuar.

Qarku Vlorë: Zjarri në kurorën me pisha në qytetin e Delvinës po shkon drejt shuarjes me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, forcave pyjore dhe komunitetit.

'Gjithashtu, po vazhdojmë të komunikojmë më strukturat homologe për të siguruar suportin e tyre me mjete nga ajri për të gjithë ato raste kur vatrat e zjarrit nuk lejojnë ndërhyrjen nga toka. Por vështirësi paraqesin vatrat e zjarrit, të cilat jo vetëm nuk lejojnë ndërhyrjen nga toka, por edhe ku mundësia për ndërhyrje nga ajari është e pamundur, për shkak të lartësisë ku ato kanë shpërthyer, pasi edhe mjetet fluturuese nuk arrijnë të veprojnë", thotë Ministria e Brendshme.  /Start/

                                                                                             2012-08-08 16:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›