Emancipimi politik i opozitës, në nivelin vulgar të huazuar prej rrugës
Ndërsa punoja të përzgjidhja lëndën për shkrimin kushtuar takimit të Presidentit Nishani me bashkësinë shqiptare të Belgjikës, mësova lajmin e gëzueshëm se, më në fund, Parlamenti i Shqipërisë votoi me konsensus Ligjin për Kufizimin e Imunitetit. Bukur fort. Një hap përpara drejt përmbushjes së reformave të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse me zigzage të panumërta, ndonëse me tensione e ankthe politike të lodhshme e të panevojshme. Lehtësimi që provova, ishte i atypëratyshëm, ashtu si për shumicën dërmuese të shqiptarëve që e dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në familjen e Europës së Bashkuar. Them për shumicën dërmuese, pasi ka edhe asi shqiptarësh që e kanë fiksuar kryet njëherë e përgjithmonë nga Lindja sllavo-komunisto-aziatike dhe që më lehtë ua këput, sesa ua kthen nga Perëndimi i demokracive euro-atlantike.
Zhgënjimin e provova të nesërmen. Jo për votimin e Ligjit, një domosdoshmëri e bllokuar në mënyrë absurde nga PS-ja. U zhgënjeva ndërsa u njoha përmes mediave elektronike e të shkruara me debatet e zhvilluara gjatë seancës parlamentare, çka doli sërish në pah se emancipimi politik i një pjese të parlamentarëve tanë të opozitës është në nivelin më të ulët se në çdo parlament të botës së përparuar, në nivelin vulgar të rrugës.
Sjell në kujtesë të lexuesit replikën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, zotit Gramoz Ruçi, ndaj Kryeministrit Berisha, pasi ky i fundit, në mënyrë krejt normale e qytetare, falënderoi opozitën për konsensusin e dhënë, meqë, ndonëse i vendosur t’i shkonte çështjes deri në fund, nuk do ta dëshironte një referendum të mundshëm.
Citoj Kryeministrin: “Dua t’ju falënderoj për një moment, jo se ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë: nga të gjitha proceset demokratike, njëri është më i vështiri për mua dhe ky është referendumi”.
Citoj replikën e zotit Ruçi: “Për imunitetin s’them asgjë, se partia e ka thënë me votë në Komisionin e Ligjeve dhe në Këshillin e Legjislacionit. Dhe imunitetin nuk ta japim ty Kryeministër, se, të ishte për ty, nuk ta jepnim për 100 vjet. Por e japim për veten tonë, për qytetarët e Shqipërisë, e japim se s’kemi pse të bëhemi pishman dhe të kemi frikë”.
Kur lexon këto dy replika, botuar në formatin online të një të përditshmeje të Tiranës, ndien shijen e së hidhurës, tek ndeshesh me arrogancën që ngërthen përgjigjja e zotit Ruçi, lëre, më, kur e dëgjon këtë lloj formulimi nga goja e tij, në foltoren e Parlamentit. Përveç kësaj, zor të mos vëresh mungesën e konsekuencës logjike dhe të mos pyesësh veten: Pse, pra, gjithë ky tension, gjithë ky ankth, gjithë këto energji të humbura kot më kot? Pse nuk u votua Ligji në kohën e duhur, po u prit limiti kohor? Berisha, ky që është sot, do të ishte edhe në rast se Ligji do të votohej me kohë. Si ta votonte atëherë, si më pas, njësoj mund të derdhte zoti Ruçi mllefet e grumbulluara ndaj njeriut që s’mund ta mposhtë dot me alternativa politike.
Përgjigjet, sipas meje, janë evidente, sado që të detyrojnë t’u futesh sërish shtigjeve të së kaluarës.
Si për çdo nismë të ndërmarrë nga shumica qeverisëse, edhe për ligjin e imunitetit, PS-ja pati ngritur pengesën e radhës. Përveç që nuk i intereson bashkëpunimi me shumicën qeverisëse, qoftë edhe për nisma që përkufizojnë të ardhmen e vendit, asaj i duhet tensioni politik si ushqim për ta mbajtur gjallë. Tensionet e mbajnë në këmbë PS-në, si forcë amorfe dhe të paaftë që të ofrojë nisma alternative. Nëse Ruçi dhe partia që përfaqëson në Parlamentin e Shqipërisë, e paskan dhënë imunitetin për veten e vet (“për veten tonë”), jo për Kryeministrin, të njëjtën mund të bënin sipas kalendarit të miratuar me pëlqimin e palëve, fill pasi Komisioni i Ligjeve pranoi me shumicë votash 90 përqind të amendamenteve të paraqitura prej PS-së, një lëshim i paimagjinueshëm. Nëse e paskan dhënë “për qytetarët e Shqipërisë”, ç’ faj paskëshin bërë këta (qytetarët e Shqipërisë) që të prisnin me ankth 18 shtatorin, ditën që u votua ligji? Alibitë janë gjetur trashë, qoftë politikisht, qoftë logjikisht. Ashtu siç perceptohen, zor se ato bëhen të besueshme për të justifikuar qëndrimin politik të partisë më të madhe të opozitës, që përfaqëson afro gjysmën e elektoratit shqiptar. Aq më keq kur i dëgjon të prononcuara prej një kryetari të ndonjë grupit parlamentar, si me i pas prononcuar një çobani dhish në Këndrevicë.
Mungesa e djeshme e socialistëve për të diskutuar në Komisionin e Ligjeve reformën lidhur me Gjykatën e Lartë, e vërteton katërçipërisht arsyetimin e mësipërm. Aq më tepër me pretekstet qesharake të deputetëve socialistë, të cilat, siç vëzhgonte gazeta jonë, ndonëse për shkak të axhendave personale, synojnë të japin produkt kolektiv, bllokimin e statusit të anëtarësimit në BE.
Gjatë seancës parlamentare që votoi ligjin për imunitetin, Ruçi i kërkoi Berishës të bëhet “burrë shteti” dhe, për dyshimet që ka Kryeministri lidhur me përgjegjësitë e drejtpërdrejta të dyshes Topi – Spahiu në deformimin e dhënies së drejtësisë, si ish-krerë të KLD-së, të flasë në fushatën elektorale, jo në Parlament, tek diskutohet për imunitetin. Absurditeti s’ka kufi. Në mos në foltoren e ligjvënësit, në kontekst të plotë me diskutimin e një ligji që ka të bëjë drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe me drejtësinë, a mund të flitet tjetërkund politikisht për një kërkesë kaq të ngutshme? Nuk është vështirë të vërehet se Berisha e shtroi çështjen në planin politik, aspak në atë juridik. Ai nuk solli fakte, ndonëse si Kryeministër edhe mund të ketë. Nuk solli as dëshmitarë, ndonëse lehtësisht mund t’i gjejë. Ai nuk dha vendim, as hamendësoi masën e dënimit, siç tenton të bëjë Kreshnik Spahiu me një grusht sharlatanësh që shpallin me zhurmën e tenxhereve bosh se ministri Imami do t’u dënuaka me kaq e ma aq vjet.
Nga balta ku ngec herë pas here zoti Ruçi, përpiqen ta nxjerrin të vetët, duke i dhënë një dorë, ndonëse me të njëjtin absurditet politik në një mjedis dendësisht politik, siç është parlamenti, ndonëse me të njëjtë arrogancë dhe me të njëjtin fjalor vulgar të huazuara prej rrugës. Citoj zonjën deputete të PS-së, Felaj, dhe replikën e zonjës Topalli, në cilësinë e kryeparlamentares. Lexuesi le të gjykojë dhe le të bëjë dallimin mes absurditetit politik e shprehjeve vulgare, nga njëra anë, dhe logjikës politike e ironisë fine, nga ana tjetër.
Felaj: “Thonë se qëkur zgjodhi Presidentin Saliu, edhe vulën ia mban në xhep, i frikur se mos edhe ky merr rrugën e qoftëlargut. Kudo shef armiq, deri edhe ata që një ditë i gjuajtën me miell, edhe ata të tillë do i shpallë. Flamurin e ka t’i arrestojë, prokurorin t’i akuzojë dhe gjyqtarin t’i dënojë”.
Më thoni, ju lutem, ç’ politikë mund të presë njeriu prej kësaj zonje të ashtuquajtur politikane, e cila s’ka minimumin e shprehive qytetare kur flet për një personalitet politik që, do ose nuk do ajo, është kryeministër i vendit? Po oratorinë e domosdoshme për një ligjvënës, ku e ka humbur zonja deputete? Po alternativat politike të partisë së saj ku i sheh, te qesja me miell që ca njerëz të rëndomtë ia paskan hedhur veturës së Kryeministrit dhe që një analist, nga ata që i dinë të gjitha, u përpoq të na mbushte mendjen se çka simbolizonte një qese me miell? Nga ana tjetër, nëse, përveç kësaj katrahure politike, do t’ju bien në sy gabime gjuhësore flagrante, dëshiroj të nënvizoj se ky nuk është faji im. Unë kam kopjuar besnikërisht dy gazetarët e së përditshmes, të cilët kanë përgatitur lajmin.
Ja edhe replika e zonjës Topalli, pa qenë nevoja për komente të gjata, pasi gjithçka është korrekte dhe e kthjellët si uji i burimit: “Modeli i mishërimit të drejtësisë së pavarur jeni ju, zonja deputete, aq e pavarur jeni, sa sot jeni në grupin e një partie politike...”.
Për fat të keq, emancipimi politik i disa prej politikanëve tanë, sidomos të opozitës, është larg asaj çka kërkojnë proceset demokratike të kohës që po përjetojmë. Për mirëkuptim të palës opozitare, ndaj palës qeverisëse, as që mund të diskutohet sa të gjallojnë në PS njerëz që s’dinë pse gjenden në mjedisin politik dhe për çka duhet me qenë politikan, për t’i shërbyer elektoratit që të voton, apo interesave vetjake. Përkundrazi, pala tjetër ka provuar se qëndron në pozita jo të njëllojta. Mjafton tê përmendim lëshimet e njëpasnjëshme për hir të arritjes së kuorumit të nevojshëm tê ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe mënyrës shumë më të njerëzishme të të shprehurit.