E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Shqipëria do të shpërblehet për progresin e saj në reforma

21-09-2012 / Gazeta 55

Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Libor Ruçek rikonfirmojnë mbështetjen e tyre politike për integrimin

Përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Libor Ruçek, kanë  shprehur mbështetjen e tyre politike për integrimin dhe kërkojnë më shumë rezultate në përmirësimin real të jetës së qytetarëve. Në një prononcim për mediat kryetar i Delegacionit të PE për Europën Juglindore Eduard Kukan deklaroi se progres raporti që do të paraqitet pas 3 javësh do të pasqyrojë progresin e bërë në reforma dhe në plotësimin e masës kritike të 12 rekomandimeve të komisionit për zgjerim të Bashkimit Europian. “Unë jam i sigurt që raporti i ri do të pasqyrojë progresin e vërtetë që ka bërë Shqipëria. Nuk është nevoja të spekulohet e merr apo nuk e merr statusin. Shqipëria nuk ka nevojë për spekulime, ajo ka nevojë për ndihmë. Ju keni nevojë të ndihmoni veten, që politikanët dhe njerëzit atje të kryejnë reformat e domosdoshme. Janë rezultatet ato që merren parasysh nga Komisioni Evropian për vendimin që do të marrë. Gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur dhe në mënyrë pozitive”, deklaroi Kukan.
Ndërkohë dhe numri i dy i socialistëve dhe social-demokratëve në Parlamentin Europian, Libor Ruçek ka vlerësuar progresin dhe mbështet marrjen e statusit. “Nuk mund të flas në emër të Komisionit. Por atë që mund të them, është se ne si grup politik i socialistëve dhe i social-demokratëve, po përpiqemi të shpejtojmë procesin, duam të ndihmojmë miqtë tanë në Shqipëri, socialistët, por jo vetëm ata. Ka një progres dhe ky progres do të duhet të shpërblehet me marrjen e statusit të vendit kandidat. Mendoj se Shqipëria ka bërë një progres dhe kjo do të merret parasysh në raportin e progresit të tetorit. Ne nuk duam që procesi i zgjerimit të mbetet në gjysmë të rrugës”, deklaroi Rouçek, zëvendëskryetar i grupit Social Demokrat. Të dy përfaqësuesit e Parlamentit Europian, ndajnë bindjen se në Shqipëri situata ka ndryshuar dhe se reformat po vazhdojnë dhe se po punohet për zbatimin e tyre. Komisioni Europian do të publikoj progres raportin për Shqipërinë më 10 tetor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›