E Shtunë, 31 Tetor 2026

Embargoja, EULEX nuk zbaton vendimin e Qeverisë

PRISHTINE- Çështja e masës së reciprocitetit që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë nuk do të zbatohet në veri të vendit. EULEX ka njoftuar se kjo çështje ka komplikuar gjërat dhe vendimi i qeverisë është duke u diskutuar. Kreu i doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka konfirmuar për Radio Kosovën se EULEX-i nuk po zbaton vendimin.

Vulat doganore të Serbisë do të vlejnë edhe më tej në veri të Kosovës. Vendimi i qeverisë së vendit për vënien e masës së reciprocitetit me Serbinë sipas EULEX-it dhe doganave të Kosovës është i pjesshëm, ngase ky vendim nuk po zbatohet nga misioni i BE-së për sundim të ligjit në veri të Kosovës.

Zëdhënësja e komponentit të doganave të EULEX-it, Aleksandra George ka thënë se gjithçka është duke u diskutuar. “EULEX-i është i njoftuar me vendimin Qeverisë së Kosovës. Ne ende jemi duke e diskutuar fushëveprimin dhe efektin e këtij vendim. Në vazhdim janë duke u bërë disa diskutime me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për të parë pasojat e kësaj” , ka thënë George.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›