E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ankth për Lejlanë

Lejla Selaci, me prejardhje nga Mitrovica, vazhdon të mbetet e zhdukur në tragjedinë e Norvegjisë kurse Egzon Belegu, me origjinë nga Peja, ka shpëtuar me këmbë dhe brinjë të thyera. Express sjell ankthin e dy familjeve shqiptare. Nga Jeton Musliu më 26 korrik 2011 në ora 08:49

Lejla Selaci mungon. Emri i saj nuk figuron në asnjërën prej dy listave të publikuara nga autoritetet norvegjeze. Ajo nuk ndodhet as në listën e personave të plagosur, por as në atë të personave të vdekur. Lejlaja, 17-veçarja shqiptare me prejardhje nga Mitrovica, e cila ka qëlluar të jetë në vendin e ngjarjes kur norvegjezi Anders Behring Breiviks qëlloi për vdekje dhjetëra persona, ende konsiderohet e zhdukur.

Ahmet Selaci, axha i Lejlasë, i cili me familje jeton në Suedi, i kontaktuar nga Express, pasi tregon se ndodhet tek i vëllai në Norvegji, për t’iu gjendur afër në këto ditë të vështira, thotë se të gjithë janë shumë të mërzitur për këtë që ka ndodhur.

Për më tepër, ankthi i tyre edhe më tej vazhdon, pasi emri i Lejlasë nuk figuron askund dhe deri më tash nuk është gjetur asnjë shenjë e saj.
“Shpresat i kemi të vogla. Emri i saj nuk ndodhet askund, kurse dhembja është e madhe”, thotë Ahmeti, duke iu dridhur zëri.

Derisa familja Selaci ende shpreson se më e keqja nuk ka ndodhur, pak më e lehtësuar duket të jenë familja Belegu nga Peja. Djali i tyre Egzoni, 18 vjeçar, është shqiptari i dytë i Kosovës që ka qëlluar të jetë në ishullin Utoya, në kryeqytetin Oslo, kur ndodhi hataja.

Nëna e Egzonit, Lirie Belegu, e cila me pjesëtarët e tjerë të familjes ndodhet për pushime në Kosovë, tregon për Express se edhe djali i saj ka qenë në vendin e masakrës, kur Anders Behring Breiviks, gjakftohtë, qëlloi qindra të rinj. Në fakt, sipas Liries, djali i saj është lënduar. Ai e ka të thyer njërën këmbë dhe brinjët e njërës anë, kurse aktualisht ndodhet i strehuar në një familje norvegjeze.
Pavarësisht kësaj, plagët e tij duken të jenë të lehta, kur merret parasysh se ai ka mundur të jetë njëri nga 93 viktimat.

“Kam biseduar me Egzonin dhe pas atyre orëve të tmerrshme të ankthit, tash jam më e lehtësuar”, thotë Liria, e cila sqaron se drejt Norvegjisë të hënën ka udhëtuar vajza e saj më e madhe, në mënyrë që t’i gjendet afër vëllait. “Siç më ka treguar Egzoni, ai ka arritur ta shpëtojë edhe një vajzë norvegjeze nga kjo tragjedi, e cila i ka thënë se ia ka borxh jetën”, thotë ajo, pushimet e së cilës në Kosovë, të planifikuara deri me 4 gusht, janë tepër të gjata deri në ditën kur do ta takojë të birin.

Por në tragjedi të ndryshme, Kosova dhe qytetarët e saj, sikur bashkohen më shumë dhe mbështesin jo vetëm familjet shqiptare atje, por edhe ato norvegjeze. Në raste të tilla, ndezja e një qiriu simbolizon dhembjen që dikush shpreh për të keqen që i ka ndodhur një tjetri. Për këtë arsye, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, bashkë me organizata joqeveritare dhe qytetarë të vendit, të hënën rreth orës 20, kanë ndezur qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Me këtë gjest, ata shprehën solidaritetin me familjet e viktimave të tragjedisë në Norvegji, në të cilën u vranë 93 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.

Në momentin e shpërthimit të bombës, 17-vjeçarja me prejardhje nga Mitrovica ishte në një delegacion në Konventën e të Rinjve në ishullin Utoya.

Konfirmimin zyrtar se Lejla Selaci ende nuk është gjetur, kurse Egzon Belegu është lënduar e ka dhënë edhe ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, pas kontakteve me autoritetet e Norvegjisë. Në momentin e hapjes së zjarrit nga 32-vjeçari norvegjez, 17-vjeçarja Lejla Selaci dhe 18-vjeçari Egzon Belegu ishin në mesin e qindra të rinjve të tjerë, në një delegacion në Konventën e të Rinjve që mbahej në ishullin Utoya.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›