E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca, Rama: Plan i përbashkët për përballimin e situatës

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar sot qeverinë për paaftësi në përballimin në kohë të situatës alarmante krijuar nga dëbora ndërsa është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me të për hartimin me urgjencë të një plani të përbashkët për ndihmën e banorëve të izoluar. Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti Rama theksoi se shteti është gjunjëzuar për shkak të paralizës së strukturave të tij dhe pamundësisë financiare.
 

“U bënë dy javë që ka mbuluar dëbora dhe mbrëmë u kujtua qeveria të mblidhet. Këto nuk janë orë për të përfituar politikisht por as për të heshtur përballë shthurjes së shtetit. Duhet një plan gjithëpërfshirës solidariteti dhe bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake. Jemi gati të kontributojmë për këtë plan e të bashkërendojmë forcat me qeverinë për këtë aksion” ka shtuar Rama.
 

Ai ka theksuar gjithashtu se vendi duhet të përgatitet edhe për krizën energjetike që po afron ndërsa ka shtuar se duhet të miratohet një financim i posaçëm për ta përballuar këtë krizë.
 

“Kolapsi energjetik është prapa derës. Edhe për këtë ne jemi gati të japim kontributin tone. Në parlament duhet bashkuar forcat për të miratuar një financim të posaçëm për krizën humanitare të zonave të bllokuara dhe krizën energjetike që rrezikojmë. Me këto sasi dëbore duhet të mendojmë që sot të përballojmë rrezikun e përmbytjeve të rradhës” ka shtuar më tej Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›