Berisha: Çatitë me dëborë dhe orteqet, rrezik për banorët
Mbledhja e grupit parlamentar demokrat nisi sot me një minutë heshtje për viktimën nga moti i keq në Has por edhe për familjen Reka e cila gjeti vdekjen nga orteku në Kosovë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të minimizuar pasojat e këtij dimri së pari mbi jetën e qytetarëve dhe më pas për pasurinë e tyre.
"Deri më sot, një person ka vdekur si pasojë e reshjeve të borës. Janë bërë përpjekje mbi njerëzore për të dhënë ndihmën mjekësore. Me dhjetra fluturime janë bërë dhe sa herë ka qënë e mundur dhe në kushte më të vështira janë ndihmuar të sëmurët në gjendje urgjence” ka theksuar Berisha ndërsa shtoi se janë bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur të hapura akset e mëdha kombëtare, si dhe për të realizuar shpërndarjen e ushqimeve për familjet në nevojë.
Duke kërkuar solidaritet dhe mbështetje mes komuniteteve të këtyre zonave, kreu i qeverisë theksoi se dy nga problemet më të mëdha në këtë situatë janë trashësia e dëborës mbi çatitë e banesave dhe orteqet.
“Mesazhi im për banorët e këtyre zonave të konsiderojnë përparësi absolute pastrimin e çative nga bora që banesat të mos shemben, të jenë të sigurta. Të ndihmohen familjet që e kanë të pamundur të pastrojnë çatitë e shtëpive për shkak të moshës, sëmundjes apo shkaqeve të tjera. Nuk duhet injoruar pesha e dëborës në çati.Rreziku i dytë për banorët e zonave të izoluar janë edhe orteqet të cilat kthehen në të rrezikshme edhe kur nis shkrirja e saj. Thirrja ime është për kryetarët e komunave që të bëjnë gjithçka për të nxjerë jashtë rrezikut ato shtëpi të cilat mund të kërcënohen nga orteqet e dëborës” ka shtuar më tej Berisha.
Ai gjithashtu u bëri thirrje sot qytetarëve të zonave të prekura nga reshjet e borës, që të bëjnë kujdes maksimal dhe të mos ekspozohen pa shkak në udhëtime në zonat e bllokuara.