E Diel, 1 Nëntor 2026

Emergjencat Civile përfundojnë aksionin e masave për përballimin e emergjencave të stinës së verës

25-08-2008 / Intervistoi: Leonard Quku

Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, deklaron se Emergjencat Civile po koordinojnë punën me disa agjenci të linjës, në marrjen e masave me qëllim parandalimin e zjarreve dhe shmangien e situatave si ajo e  vitit të shkuar. Gjithashtu ai thekson se në shumë raste nuk po shfaqet angazhimi i duhur nga drejtues të organeve të pushtetit vendor


Z.Olli, sa të angazhuara janë Emergjencat Civile, për t’i paraprirë çdo rreziku që si pasojë e faktorëve klimaterike, por edhe njerëzorë’ shkaktojnë valë të tëra zjarresh?


Kjo stinë realisht nënkupton atë pjesën e parë të pyetjes, pra marrjen e masave për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, kushtëzuar kjo edhe nga ditët e nxehta që po afrojnë. Por njëkohësisht theksoj edhe detyrimin për mbrojtjen e zonave të urbane, qyteteve, zonave të banuara, të cilat janë edhe drejtimet tona të shërbimit zjarrfikës për marrjen e masave mbrojtëse. Përsa i përket sezonit që po vjen, do të informoja se Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, para një muaji ka filluar marrjen e masave parapërgatitore, që është edhe pjesa kryesore e punës që ne bëjmë për parandalimin e situatave të tilla si ajo e vitit të kaluar. Ngjarje të cilat kanë qenë shumë të vështira për vendin tonë, kjo për shkak të temperaturave tepër të larta, por njëherazi edhe nga pakujdesia e njerëzve apo aksionet e qëllimshme. Kemi njoftuar të gjithë prefektët e qarqeve, që në bazë të Ligjit për Emergjencave Civile janë edhe kryetarë të shtabeve të emergjencave për qarqet përkatës, që të jenë në krye të aksionit për marrjen e masave suplementare shtesë, në mënyrë që të përballojmë pasojat e një vere eventualisht të nxehtë. Gjithsesi, shpresojmë që stina e verës të jetë më e butë dhe pa fenomene të dëmshme, por megjithatë, ne jemi të detyruar të marrim masat e nevojshme. Në të gjitha takimet që kemi zhvilluar, raportohet se prefektët e qarqeve kanë realizuar aksionin e parashikuar të masave parandaluese, ku përshihet shërbimi pyjor, shërbimi zjarrfikës, etj.


Referuar edhe viteve të shkuara, cilat janë zonat më kritike, që paraqiten më të eksploruara nga zjarret?


Zakonisht ka zona që janë me rrezik të lartë. Do të përmendja kryesisht zonën verilindore të vendit, Qarkun e Kukësit, disa komuna, të cilat janë edhe territore të vështira për t’u arritur, por që kanë pyje të dendura e që realisht mundësojnë përhapjen masive të zjarreve. Tradicionalisht, kanë pasur zjarre vit pas viti, disa zona në Rrethin e Pukës e në Qarkun e Shkodrës. Zona me risk të lartë kemi gjithashtu edhe Malësinë e Madhe. Ndërsa në zonën jugore, janë Qarku i Gjirokastrës dhe Korçës, të cilat ç’do vit janë prekur nga zjarret. Dhe nga ana tjetër kemi zonën e Vlorës, duke përfshirë këtu edhe Sarandën dhe Delvinën. Zona më e rrezikshme mbetet Parku Kombëtar i Llogorasë, i cili është një pasuri e vërtetë kombëtare dhe që vitet e fundit ka rënë pre e disa zjarreve të qëllimshme ose edhe nga pakujdesia.


Duke qëndruar tek zonat turistike, çfarë masash ka marrë Drejtoria e Emergjencave Civile, për të mbrojtur këto pasuri kombëtare dhe në anën tjetër edhe zonat e mbipopulluara gjatë stinës, siç janë plazhet? 


Nga zonat të cilat ne i kemi konsideruar si me risk të lartë dhe të eksploruara nga zjarret, nuk përjashtohen as ato turistike, që cilësohen me vlerë apo si pasuri kombëtare dhe ato të mbipopulluara të plazheve. Ne kemi përforcuar shërbimin zjarrfikës, duke ngritur edhe qendra të posaçme. Shërbimi i Vlorës, ngre një pikë të veçantë në Llogora, në të cilën është e stacionuar gjithmonë zjarrfikësja për të qenë në dispozicion. Gjithashtu, në Parkun Kombëtar të Divjakës, është stacionuar zjarrfikësja e shërbimit të Lushnjës, e cila është gjithmonë në funksion dhe në mbrojtje të pyllit. Pastaj do të konsideroja plazhet, kryesisht të Durrësit, Vlorës, Velipojës, ku përsëri kemi stacione të posaçme për masat mbrojtëse. Megjithatë do të cilësoja që ç’do pjesë e territorit të vendit, përsëri është e prekur nga mundësia e rënies së zjarreve.


Ç’raporte keni krijuar me pushtetin lokal, për të bashkëpunuar në rastet emergjente? 


Marrëdhëniet midis Drejtorisë së Emergjencave Civile dhe njësive të pushtetit vendor, janë të domosdoshme, meqë, tashmë një pjesë e konsiderueshme e pyjeve e kullotave, të cilat kanë qenë pronë e shtetit, kanë kaluar në pronësi të tyre. Dhe realisht, kjo i ngarkon ata me përgjegjësi për ruajtjen e tyre për shfrytëzimin dhe njëkohësisht edhe për marrjen e masave mbrojtëse. Duke iu referuar takimeve që kemi zhvilluar në të gjitha qarqet e vendit, kemi ftuar edhe kryetarët e komunave, si përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët kanë marrë detyrat e tyre. Në bazë të ligjit të Emergjencave Civile, kryetari i njësisë vendore ka Shtabin e vet të emergjencave, të cilin e angazhon për ti paraprirë çdo situate. Të gjitha këto, ai duhet t’i zbatojë pasi është i detyruar nga ligji. Gjatë sezonit të verës, kur edhe duhen marrë masat suplementare për zjarret në pyje, ai ka një rol tepër të rëndësishëm për të angazhuar komunitetin për të marrë pjesë në operacionet e evitimit të zjarreve. Vjet ne e kemi pasur problem këtë, ku nuk ka pasur një angazhim të fuqishëm të njësive lokale, për një bashkëpunim me shërbimin pyjor, shërbimin zjarrfikës, apo atë të policisë së shtetit. Pra, këtë vit ata detyrimisht duhet të angazhojnë komunitetin në mbrojtjen e pyjeve nga zjarret. Gjithashtu do të theksoja se ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë rolit të pushtetit lokal, në njoftimin sa më shpejt për çdo situatë zjarresh që mund të shkaktohet. Një situatë kalohet lehtë dhe pa vështirësi, kur njoftimi për të është i shpejtë, pra në fazat kur zjarri ende nuk ka marrë përmasa të mëdha. Kjo është pozitive, si për ne, ashtu edhe për shërbimin zjarrfikës.     


Përsa i takon aspektit teknologjik, me ç’instrumente operoni me njësitë e Emergjencave Civile? Cilat janë institucionet e tjera me të cilat ju e koordinoni punën?


Roli i Drejtorisë së Emergjencave Civile është rol koordinues midis të gjithë njësive që kanë akses në marrjen e masave parandaluese për çdo lloj situate emergjente. Ne koordinojmë të gjitha veprimet me institucionet e tjera, kryesisht me ministritë e linjës për marrjen e masave. Ne kemi forcat tona operacionale, të cilat kryejnë operacione në zonat që preken me rreziqet natyrore. Operojmë me shërbimin zjarrfikës, që është pjesë e Drejtorisë së Emergjencave Civile, me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, pra me njësitë speciale të tyre, si RENEA, palombarët, kryesisht në raste të përmbytjeve. Gjithashtu koordinojmë punën tonë me shërbimin pyjor dhe më kryesorja, në raste të caktuara ne bashkëpunojmë me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të cilët na ndihmojnë me mjete të ndryshme, si për zjarret, ashtu edhe për përmbytjet, rrëshqitjet etj.


A janë akorduar nga buxheti i Shtetit fonde të mjaftueshme për të mbuluar veprimtarinë e Emergjencave Civile?  


Ne në Ministrinë e Brendshme kemi buxhetin tonë si Drejtori e Emergjencave Civile, të cilin e përdorim për raste të ndryshme kur shfaqen situatat emergjente. Edhe për të ndihmuar njerëzit, të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë për shkaqe natyrore, si rrëshqitje, përmbytje, etj. Por fondi që përdorim ne është fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për Emergjencat Civile. Vitin e kaluar, operacionet u mbuluan nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Edhe këtë vit kemi fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për të përballuar situatat e vështira.


Cili është mesazhi juaj drejtuar opinionit publik për ndërgjegjësim ndaj zjarreve, e në rastin më konkret për të evituar edhe zjarrvënien e qëllimshme?   


Unë shfrytëzoj këtë intervistë tek gazeta juaj, për të shfaqur edhe dy mendime. E ftoj opinionin publik si në qytete ashtu edhe në fshat, sidomos në zonat rurale me pyje, të jenë shumë të kujdesshëm sepse edhe një veprim sado i vogël mund të shkaktojë një zjarr të madh. Do të shprehesha që edhe një cigare e hedhur në tokë mund të shkaktojë fare lehtë zjarrin. Dhe e dyta, opinioni publik sidomos ata njerëz që kanë qëllime kriminale në ndërgjegjen e vet, që ligji këtë vit do të veprojë shumë ashpër ndaj tyre, për zjarr vënie të qëllimshme. Do të ketë masa drastike ndaj kësaj kategorie. Policia e Shtetit ka marrë porosi të veçantë që sipas informacioneve që do të vijnë nga njësia vendore, do të procedojë penalisht çdo shkelës të ligjit.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›