Emërimi i Asim Vokshit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Naureda Llagamit

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Naureda Llagamit, e cila kundërshtoi procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi si anëtar i kësaj gjykate.
Llagami kërkonte shfuqizimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e Asim Vokshit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe shpalljen e saj anëtare të kësaj Gjykate.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi fillimisht se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e pretendimeve të ngritura.
Megjithatë, nisur nga thelbi i pretendimeve të ngritura nga kërkuesja, Gjykata Kushtetuese vlerësoi të vijonte analizën e saj për legjitimimin e kërkueses lidhur me kërkimin për shfuqizimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të vendimit të Komisionit të Votimit për nxjerrjen e rezultatit të votimit.
Në këtë drejtim, votat e gjyqtarëve u ndanë në lidhje me legjitimimin “ratione personae” të kërkueses, duke mos u arritur kuorumi i kërkuar nga Kushtetuta.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese u shpreh se kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
“Sipas njërit qëndrim, nga analiza e parashikimeve kushtetuese dhe të ligjit organik të Gjykatës, kërkuesja, në cilësinë e individit, nuk legjitimohet “ratione personae” t`i drejtohet Gjykatës për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e funksionarit të organeve të parashikuara në Kushtetutë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kërkuesja si individ mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues për çdo akt të pushtetit publik, siç janë edhe vendimet që ajo kundërshton, me ankim kushtetues individual.
Mirëpo kjo dispozitë për legjitimimin e individit kërkon që akti i pushtetit publik t’i ketë cenuar atij të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta.
Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese vlerëson se e drejta për t`u zgjedhur në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën një të drejtë themelore kushtetuese, ndaj kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae.
Sipas qëndrimit tjetër, “individët që garojnë për funksionet e parashikuara në Kushtetutë legjitimohen t`i drejtohen Gjykatës për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes, për sa kohë janë pjesë e atij procesi. Për pasojë, ata justifikojnë interesin e tyre për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë”.
/m.m/j.p/