E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Itali zhvillojnë më 13 nëntor mbledhjen e parë të dy qeverive, marrëveshjet që pritet të firmosen

Shqipëria dhe Italia do të zhvillojnë më 13 nëntor në Romë mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive, një ngjarje historike që synon forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe.

Kryeministri Edi Rama do të takohet me homologen italiane Giorgia Meloni në orën 13:00 në Villa Pamphili, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje strategjike gjithëpërfshirëse që mbulon sektorë si: energjia, shëndetësia, mjedisi, mbrojtja, arsimi, inovacioni, migracioni dhe zhvillimi ekonomik.

Sipas mediave italiane, dokumentet që pritet të firmosen do të krijojnë një kuadër të ri ligjor dhe teknik për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duke ndërtuar mbi Deklaratën e Partneritetit Strategjik të vitit 2010.

Në fushën e mbrojtjes, Italia pritet të ofrojë pajisje teknologjike dhe infrastrukturë detare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve, si dhe trajnime profesionale për forcat shqiptare.

Në sektorin e energjisë, pritet firmosja e një marrëveshje e cila  do të bazohet në bashkëpunimin trepalësh Itali–Emiratet e Bashkuara Arabe–Shqipëri, të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, që parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe ndërtimin e një ndërlidhjeje nëndetëse që do të lidhë sistemet energjetike të dy vendeve.

Një tjetër pikë kyçe që do të jetë në fokus të mbledhjes së parë të dy qeverive, pritet të jetë migracioni, ku palët sipas mediave italiane pritet të krijojnë një grup të përbashkët pune për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të forcuar patrullimet detare shqiptare. Një marrëveshje e veçantë parashikon krijimin në Shqipëri të një Sistemi të Mbrojtjes Civile, me mbështetje nga ekspertiza italiane.

Në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit, Italia pritet të ofrojë asistencë teknike për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe të mbështesë ndërtimin e qendrës së përbashkët “ExpoAlbania” në Tiranë.

Pritet gjithashtu nënshkrimi  i një marrëveshje për zhvillimin e ekonomisë detare dhe industrisë së peshkimit, si dhe një bashkëpunim më i ngushtë midis SIMEST dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar Shqiptar në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Italia pritet të riafirmojë mbështetjen e saj të plotë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përmes asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta që synojnë përafrimin me standardet e BE-së.

Në fund, të dy qeveritë pritet të theksojnë rolin e sportit dhe kulturës në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke kujtuar faktin se këtë vit Giro d’Italia nisi për herë të parë nga Durrësi, më 9 maj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›