Gonzato: Zbatimi i reformave, thelbësor për mbylljen e negociatave në vitin 2027

TIRANË, 12 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se zbatimi i reformave është thelbësor për mbylljen e grup-kapitujve të integrimit në vitin 2027.
Në një intervistë për TCH, Gonzato nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të opozitës në këtë proces.
Hapja në një kohë të shkurtër e të gjithë grup-kapitujve për ambasadorin Gonzato është një arritje pozitive. “Kjo tregon se shtetet anëtare në Bruksel duan të jenë të hapur ndaj ambicies së Shqipërisë për t’u bashkuar. Por ky është momenti që ne testojmë gatishmërinë e Shqipërisë për të zbatuar reformat”, tha ai.
Për të mbyllur grup-kapitujt, sipas ambasadorit, duhet të zbatohen reformat, jo thjesht t’i kesh në letër.
“Muajt që do të vijnë duhet të miratohen një numër ligjesh. Ritmet do të jenë intensive duhet të sigurohemi që të mbajmë këtë ritëm. Progresraporti e thotë qartë se të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces. Nëse nuk do arrini standardet nuk do të mbyllni dot kapitujt”, tha Gonzato.
Sipas tij, “të gjitha forcat politike duhet të luajnë rolin e tyre në parlament”.
“Do vazhdoj të flas për lejimin e opozitës për të luajtur rolin e saj. Opozita duhet të jetë e gatshme për këtë, por duhet që edhe shoqëria civile dhe biznesi ta bëjë. Opozita duhet të ketë mundësinë dhe vullnetin që të luajë rolin e saj. Unë përqendrohem që ajo të ketë mundësinë”, shtoi ai.
Ndërkohë, ambasadori nënvizoi se Reforma në Drejtësi është çelësi i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Edhe në progresraport kur merremi me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, arritjet e SPAK-ut vihen në pah. Por ne kërkojmë më shumë. Kërkojmë të intensifikohen hetimet financiare, të rritet sekuestrimi i aseteve dhe pronave që u përkasin kriminelëve, të intensifikohet bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit të shteteve anëtare”, tha ai.
Ndërsa vlerësoi arritjet e deritanishme, Gonzato theksoi se “ne duam më shumë”.
“Duam një drejtësi të zakonshme më të mirë dhe më efikase, sepse qytetarët e zakonshëm nuk i shohin vërtet avantazhet, përfitimet e reformës. Nevojitet po ashtu një vlerësim i vazhdueshëm i integritetit të magjistratëve. Dhe këto janë gjëra që ata duhet të bëjnë”, shtoi Gonzato.
I pyetur lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Gonzato u përgjigj: “Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore”.
“Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit. Dhe për t’u kthyer te ajo që thatë në lidhje me kontrollin edhe të gjyqësorit, nuk do ta quaja atë kontroll sepse gjyqësori është i pavarur. Por autoritetet gjyqësore, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor, ata raportojnë. E dini, ata raportojnë rregullisht në parlament. Dhe mendoj se është e rëndësishme që këto debate të zhvillohen, që anëtarët e parlamentit t’i pyesin këto institucione, a po bëni mjaftueshëm për qytetarët? Por që ata gjithashtu t’i dëgjojnë kërkesat e tyre sepse këto institucione ndonjëherë kërkojnë më shumë mjete, kërkojnë më shumë struktura, për më shumë, e dini, për disa rregullime të veçanta të ligjeve që rregullojnë funksionimin e tyre, etj. Pra, është një dialog që duhet të zhvillohet dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohet. Pra, nuk më pëlqen termi monitorim sepse nuk mendoj se parlamenti duhet të monitorojë institucionet e pavarura, por duhet të ketë një dialog midis të dyjave”, tha ambasadori i BE-së në vendin tonë.
I pyetur nëse ka parë ndonjë kërcënim nga Parlamenti për të ndërhyrë politikisht në kontrollin e disa prej strukturave të drejtësisë, Gonzato tha: “Jo, jo realisht. Por ndjeva nevojën për të sqaruar disa gjëra, sepse njerëzit thonë, po, por ka aspekte të caktuara të gjyqësorit që nuk funksionojnë aq mirë. Dhe sigurisht, e dini, ju bëtë një reformë të madhe në vitin 2016. Tani jemi në vitin 2025. Ndoshta është koha të shohim mënyrën se si po funksionojnë aspekte të caktuara të reformës. Por ajo që them unë është se themelet, arkitektura, struktura e qeverisjes nuk mund të preken, sepse pavarësia e gjyqësorit nga ekzekutivi dhe nga legjislativi duhet të respektohet. Përndryshe, ne humbasim arritjen më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria”.
Përkthimi TCH
/j.p/ /a.g/