Emigracioni, Obama: Ka ardhur koha për reformë
Presidenti amerikan, Obama, ka bërë presion për një reformë të re për emigracionin në vendin e tij në fjalimin e parë shumë të rëndësishëm që ka mbajtur për këtë çështje. Ai e shndërroi reformën në politikën e emigracionit në një prioritet pas presioneve të vazhdueshme nga vendet fqinje për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe dhunën e shkaktuar, për shkak të trafikut të drogës. Obama tha se Shtetet e Bashkuara u krijuan si një komb emigrantësh, por reforma ka qenë gjithmonë “peng” e situatave të ndryshme politike. Sipas tij, është e mundur që të formëzohet një mënyrë më e mirë e mënyrës së përballimit të fenomenit përmes reflektimit dhe evokimit të traditës dhe vlerave të së shkuarës. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se zhvillimet e fundit kanë ndikuar në vendimin e Obamës për të bërë ndryshimet e duhura. Së fundi, Arizona miratoi një ligj, sipas të cilit cilësohet krim të qenët në vend pa letrat e emigracionit. Në fjalimin e tij Obama tha se vendimi i Arizonës e ka ndarë në dy pjesë opinionin në SHBA. “Por, gjithsesi, kudo njerëzit janë shprehur të lodhur dhe të pakënaqur me një sistem që tashmë nuk funksionon më”, ka thënë ai në fjalimin e tij. Ai tha se kufijtë amerikanë kanë qenë mjaft fleksibël për dhjetëvjeçarë të tërë dhe në vend mendohet se ekzistojnë rreth 11 milionë emigrantë të paligjshëm. “Pjesa më e madhe e amerikanëve janë skeptikë për një amnisti dhe njëherazi janë skeptikë edhe për sa i përket idesë së kthimit në shtëpi të 11 milionë vetave. Emigrantët që tashmë ndodhen këtu janë pjesë e këtij vendi, duke qenë se shumë prej tyre kanë fëmijë që janë rritur si amerikanë dhe e njohin Amerikën si atdheun e tyre. Ai vlerësoi forcën dhe kontributin e emigrantëve, të cilët kanë qenë një forcë e madhe në ndërtimin e vendit për breza me radhë. “Nëse do të marrim të dyja anët e këtij debati, do të jemi në gjendje që të gjejmë një të mesme të përpjesshme dhe një zgjidhje të përshtatshme për të dyja palët që e mendojnë ndryshe. Fjalimin e tij Obama e mbajti në një universitet në Uashington. Për sa i përket ligjit të miratuar në Arizona ai përbën një sfidë edhe për Meksikën, e cila e ka cilësuar këtë ligj diskriminues. Edhe vetë Obama e ka cilësuar këtë ligj të padrejtë dhe i bëri thirrje Departamentit të Drejtësisë që të shihte edhe njëherë ligjshmërinë e tij.
#