E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi qetëson Parlamentin: Nuk do të ketë ndarje

Prishtinë Kryeministri i Kosovës thekson se nuk ekziston plani për shkëmbim

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka siguruar ligjvënësit se nuk ka kurrfarë ideje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, duke i ftuar ata që t'i injorojnë idetë e tilla, që sipas tij, janë spekulime të mediave. Thaçi i bëri këto komente në seancën e sotshme të Kuvendit, dhe me atë rast ka përjashtuar çfarëdo mundësie për negociata të reja me Serbinë.

Ai, sipas “Kosovapress”-it, ka thënë se si me çdo shtet tjetër, Kosova mund të ketë bisedime edhe me Serbinë për çështje praktike, por assesi për çështje që prekin sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Thaçi ka thënë se idetë për shkëmbim territoresh po e hutojnë opinionin, por edhe vetë politikën, por një gjë e tillë, sipas tij, nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë. "Në asnjë rrethanë nuk do të ketë negociata siç po pretendon dikush. çështjet teknike si me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë, mund t'i shtrojmë, sepse është në interes të dy vendeve që të kemi relacione të reja. Edhe sa i përket një opinioni të prezantuar ditët e fundit në media, dua të theksoj se në asnjë rrethanë nuk do të tolerohet shkëmbimi i territoreve, as si ide. Kosova e ka territorin e vet dhe ju ftoj që ta injoroni në ekstrem këtë çështje, sepse nuk e ka ngritur askush, por është një spekulim mediatik", ka thënë Thaçi. Ndërkohë, i pyetur nga deputeti Driton Tali, se cilat janë këto çështje teknike për të cilat mund të diskutohet me Beogradin, Thaçi ka thënë se do të ketë bashkëpunim rajonal në çështje të ndryshme si energji, transport etj. Qeveria ime i ka tri adresa të përgjegjësisë që i respekton, populli i Kosovës, Uashingtoni dhe Brukseli. Sa u përket bashkëpunimeve rajonale, bashkëpunim rajonal do të ketë si dy shtete të pavarura për energji, transport, dokumente të udhëtimit etj. është një bashkëpunim rajonal sipas standardeve ndërkombëtare", ka thënë ai. Deputeti Tali është ndalur edhe te mundësia për ndarjen apo shkëmbimin e territoreve, për të cilën çështje ka marrë një përgjigje të `nxehtë' nga Kryeministri Thaçi. "Idetë që mund të prezantohen aty-këtu e që mund të përkthehen edhe këtu, nuk janë serioze, nuk janë të përgjegjshme dhe nuk i ndihmojnë askujt, sepse për Kosovën nuk do të ketë ndarje dhe duhet të mbyllet ky kapitull një herë e përgjithmonë. Nuk është mirë të hapen tema të tilla në Kuvendin e Kosovës. Mos u çuditni pastaj nëse ngrihen çështje të tilla si ide. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e saj dhe kjo është përgjigjja ime zoti Tali për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve. Këtë përgjigje do ta kesh ti dhe gjithë ithtarët e kësaj ideje", ka thënë Thaçi. Ndërkohë, gjatë adresimit para deputetëve, Thaçi ka theksuar se Kosova ka hyrë në fazën e re të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, Thaçi ka thënë se këtë javë u konfirmua që edhe për Kosovën në fund të verës do të ketë udhërrëfyes apo strategji për liberalizimin e vizave, që është një lajm shumë i mirë për qytetarët, që edhe për shtetin e Kosovës të hapet perspektiva për liberalizimin e vizave. Ai i ka ftuar të gjitha grupet parlamentare që të jenë pjesë e reformave demokratike të qeverisë së Kosovës, ndërkaq ka shprehur bindjen e thellë se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë, do të pasojnë njohje të reja për Kosovën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›