E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valë helmimesh, 50-70 pacientë çdo ditë në shërbimin e infektivit

Viti 2010, promocioni i Drejtorisë së Higjienës: Lani duart, mos konsumoni ushqime të pakontrolluara

Edhe pse jemi në vitin 2010, problemet me pastërtinë, higjienën vetjake, por edhe të ambientit shtëpiak e komunitar ku jetojmë, lënë për të dëshiruar. Kjo nuk është masive, të paktën për kryeqytetin, por nga ana tjetër, kultura e përgjithshme për të konsumuar, blerë dhe ruajtur sidomos produktet ushqimore gjatë stinës së verës krijon probleme të mëdha sidomos për shkaktimin e helmimeve. Me çeljen e stinës së verës, por edhe rritjes së temperaturave, në shërbimin e infektivit, urgjencës së Tiranës, por edhe në poliklinika e qendra shëndetësore është shtuar numri i rasteve të helmimeve, në mënyrë të veçantë nga produktet ushqimore.

Drejtoria e Higjienës

Sektori i higjienës në Tiranë, çdo ditë nëpërmjet inspektorëve kryen kontrolle të vazhdueshme në dyqanet ku tregtohen ushqime, lokale, restorante, por edhe tregje të mëdha ushqimore, fruta-perimesh, ku secili prej nesh apo familjarëve tanë çdo ditë bëjmë pazarin. Sipas inspektorëve, rezulton se shumica e dyqaneve në Tiranë, apo marketeve i respektojnë rregullat, por mbeten problem për t’u kontrolluar për t’u gjobitur, si dhe për të hequr nga qarkullimi, tregjet informale. Ato mund t’i gjesh kudo, në mes të lagjeve, në qendër, në periferi, në stacion të autobusëve e kudo. Një tregtar që shet verë, raki apo pije të tjera alkoolike të hapura, sigurisht që quhet informal. Po ashtu sipas inspektorëve, edhe ata që shesin turshi me kova, me kapakë e tenxhere janë tregje informale, të pakontrolluara nga ku secili prej nesh është i rrezikuar. Por produktet më problematike që mund të shkaktojnë helmime janë akulloret, vaji i ullirit i pakontrolluar, petët e byrekut, të cilat shiten vend e pavend. Por jo vetëm kaq, djathi, gjalpi, qumështi, bulmeti i pakontrolluar, bëhet burim infeksioni për helmimet dhe shkaktarët kryesorë të problemeve gastrointestinale.

Helmimet

Helmimet apo sëmundjet infektive shpeshherë, janë të predispozuara për të prekur personat të cilët nuk lajnë rregullisht duart. Në familjet ku gjella nuk ruhet në kushte të përshtatshme frigoriferike, produkte të tjera që nuk lihen në temperaturën e kërkuar, por edhe mungesa e higjienës, të paktën në kuzhinë, mund të jetë dhe është një nga faktorët kryesorë të helmimeve. Në Tiranë, promocioni që po bën çdo ditë Drejtoria e Higjienës duke afishuar rregullat edhe pranë qendrave shëndetësore në lagje, janë kryesisht me mbajtjen e higjienës personale, shtëpiake, si dhe larja e shpeshtë dhe e rregullt e duarve. Një tjetër problem i cili mbetet shqetësim për Drejtorinë e Higjienës është edhe ruajtja e produkteve mjekësore, si vaksinat apo preparate të tjera, për të cilat lipset ruajtja në vende të freskëta e me temperaturë të ulët.

Sipas Drejtorisë së Sëmundjeve Infektive pranë sektorit të higjienës Tiranë, janë marrë të gjitha masat për konservimin, ruajtjen dhe transportin sidomos të vaksinave.
Sakaq, numri i personave të prekur nga helmimet, shqetësimet gastro-intestinale apo dhe viroza e stinës, për shkak të rritjes së temperaturave dhe ndryshimit të kushteve atmosferike është nga 50-70 pacientë çdo ditë. Të gjithë i drejtohen shërbimit të infektivit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›