E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët dhe fermerët, kushtet për të përfituar pension

"Blerja" e vjetërsisë në punë dhe vetësigurimi nuk vlejnë vetëm për të përfituar një pension, por edhe për të shtuar përfitimin në para në kohën e daljes në pension. Në rastin e emigrantëve, fermerëve, kur gjendemi të papunë, apo kur jemi në prag të pensionit, na ndihmon vetësigurimi, apo pagesat e prapambetura të sigurimeve shoqërore. Për t‘iu ardhur në ndihmë emigrantëve, fermerëve, si dhe qytetarëve, që janë më afër moshës së pensionit, kemi marrë në shqyrtim dy raste konkrete të problematikave të përmbushjes së moshës së pensionit, duke e shoqëruar me shpjegimin e drejtorit të kontributeve pranë ISSH-së.

Emigrantët shqiptarë, që kanë punuar në Shqipëri, nuk i shkojnë dëm kontributet e paguara gjatë kohës së punës. Por që të marrin një përfitim në formën e pensionit, duhet të përmbushin kërkesat sipas legjislacionit në fuqi. Pensioni i llogaritet secilit në bazë të profesionit, vështirësisë së punës, shkallës së kontributeve, vjetërsisë në punë dhe moshës. Që të përfitosh pension duhet që patjetër të mbushet mosha e kërkuar për të dalë në pension, e cila llogaritet me ditëlindjen dhe vitin e parashikuar për të lënë punën dhe për të marrë përfitimin.

Në rastin e fermerëve, apo siç quhen ndryshe të të vetëpunësuarve në bujqësi, masa e pagesës vjetore është 12 mijë lekë për sigurimet shoqërore dhe 3360 lekë për sigurimin shëndetësor. Me këtë sigurim përfitohen të njëjtat përfitime që merr një i vetëpunësuar në qytet, të gjitha llojet e pensioneve, pension pleqërie, invaliditeti, familjar, sigurim shëndetësor falas, rimbursim ilaçesh. Për gratë përfitohet leje lindjeje. Në rastin e emigrantëve, të cilët nuk kanë vjetërsinë e nevojshme të punës as për një pension të pjesshëm, Drejtoria e Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore sugjeron plotësimin e vjetërsisë në vite me anë të pagesës vullnetare.

Për të siguruar një pension të pjesshëm, kërkohet një vjetërsi në punë kontributive prej jo me pak se 15 vite. Për të përfituar pension të plotë, do t‘ju kërkohet një vjetërsi në punë prej 35 vite. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, për të marrë një pension të plotë, ose për të rritur masën e pensionit, mund të paguani sipas skemës vullnetare të sigurimit shoqëror. Aktualisht, masa mujore e pagesës për sigurimin vullnetar është 3544 lekë.

Për personat që janë të paaftë për punë, për të përfituar pension invaliditeti, duhet të ekzaminoheni në institucionet shëndetësore në Shqipëri dhe duhet t‘i nënshtroheni komisionit mjekësor të caktimit të aftësisë për punë, që funksionon në çdo Agjenci të Sigurimeve Shoqërore.

Në rastin e humbjes së librezës së punës mund t‘ju ndihmojë Instituti i Sigurimeve Shoqërore për konfirmimin e vjetërsisë, sipas deklarimeve që do të bëhen nga i interesuari. Në rast se emigrantët nuk mund të vijnë pranë agjencive të ISSH-së atëherë me një prokurë të posaçme mund t‘ia ngarkojë këtë punë një të afërmi.

Rasti 1

Quhem J. Qenani dhe jam 45 vjeç. Jam banor i komunës Livadhja të Sarandës. Kam tokë në pronësi dhe kam aktivitet bujqësor në fshat. Nga puna në bujqësi, marr një prodhim modest, sa mezi përballoj jetesën. Duke pasur qëllim fuqizimin e kësaj ekonomie bujqësore, në mënyrë sezonale punoj në Greqi, ku me të ardhurat blej farëra, fidanë e plehra. Dua të di, a mund të sigurohem unë në kushte fshati në Shqipëri dhe sa duhet të paguaj.

Në qoftë se keni aktivitet bujqësor jeni i mirëpritur për t‘u siguruar në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. Aktualisht, masa e pagesës vjetore është 12 mijë lekë për sigurimet shoqërore dhe 3360 lekë për sigurimin shëndetësor. Ashtu sikurse mund ta shikoni, masa e kontributit është tepër minimale ose vetëm 20% e shumës që paguan një i vetëpunësuar në qytet. Në qoftë se ju nuk jeni i siguruar edhe për vitet e mëparshme, ju mund t‘i paguani ato që nga data 1.10.1993, me masa tepër minimale kontributesh si më poshtë: Nga 1993 e deri në vitin 2001, masa e pagesës vjetore të kontributeve është 1920 lekë. Viti 2002, 3890 lekë, viti 2003, 5215 lekë, viti 2004, 5215 lekë, viti 2005, 7820 lekë, viti 2006, 10 mijë lekë, viti 2007, 10 mijë lekë dhe viti 2008, 12 mijë lekë. Me këtë sigurim ju do përfitoni të njëjtat përfitime që merr një i vetëpunësuar në qytet dhe konkretisht: Të gjitha llojet e pensioneve, pension pleqërie, invaliditeti, familjar, sigurim shëndetësor falas, rimbursim ilaçesh. Për gratë përfitohet leje lindjeje. Përveç këtyre përfitimeve, sigurimi shoqëror po kërkohet në institucionet shëndetësore, për pajisje me vizë, për marrje të kredive.

Rasti 2

Jam emigrant në Greqi. Këtu punoj pa sigurime. Jam 43 vjeç. Kam 13 vite e 6 muaj vjetërsi në punë në Shqipëri në ndërmarrje shtetërore. Mendoj të kthehem në Shqipëri, sapo të më krijohet mundësia për të gjetur një punë. Me këtë vjetërsi, a është e mundur të përfitoj ndonjë pension nga sigurimet shoqërore.

Me vjetërsinë që keni, në kohën kur të plotësoni moshën nuk mund të përfitoni pension pleqërie. Duke qene se ju keni synim të ktheheni në Shqipëri për të filluar një punë, mund të japin sugjerimet si më poshtë: për të siguruar një pension të pjesshëm, kërkohet një vjetërsi në punë kontributive prej jo me pak se 15 vite. Për këtë arsye do të ishte mirë që ju të plotësoni këtë vjetërsi, për të garantuar një pension të pjesshëm, duke paguar në mënyrë vullnetare 1 vit e 6 muaj që kap një shumë prej 63792 lekë. Për të përfituar pension të plotë, do t‘ju kërkohet një vjetërsi në punë prej 35 vite, ndërsa mosha për të përfituar pension pleqërie për ju është 65 vite. Për plotësimin e kësaj vjetërsie, mund të shërbejë punësimi juaj në Shqipëri, nëse ktheheni dhe punësoheni, ose pagesa për vite të tjera në skemën e sigurimit vullnetar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›