E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim për "Berluskonin e Kumanovës"

Gjykatës, prokurorë, funksionarë policie dhe të shtetit në Maqedoni kanë pasur lidhje dhe kontakte me mafiozin e duhanit, Bajrush Sejdiu, shqiptar nga Kumanova, që u arrestua disa ditë më parë së bashku me afro 30 bashkëpunëtorë të tij të "Mafies së duhanit" në kuadrin e operacionit "Hiri", të ndërmarrë nga policia maqedonase. Mbi bazën e kontrabandës së duhanit, ai kishte ngritur një "perandori" të vërtetë të vetën, ku bënin pjesë dhjetëra firma, një klub futbolli i kategorisë superiore maqedonase, hotele e motele, fabrikë e punishte, furra, etj., duke "merituar", kështu, midis njerëzve nofkën - "Berluskoni i Kumanovës"!

Policia, sipas medias maqedonase, tani po kontrollon të gjitha kanalet e fshehta që ky kumanovas ka pasur në organet e policisë dhe të drejtësisë jo vetëm në Kumanovë, por edhe në Shkup. Ministria e Brendshme e Maqedonisë, deri tani, nuk ka përmendur emra konkretë të bashkëpunëtorëve dhe të mbështetësve me influencë të Sejdiut, por thuhet se midis tyre ka drejtorë, gjykatës, funksionarë policie dhe të institucioneve shtetërore, madje edhe në nivele të larta. Të gjithë këta persona, pritet të thirren, së afërmi, për biseda informuese në polici dhe midis tyre, thuhet se do të jetë edhe ish-drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Petra Miteva. Në kohën kur ajo ishte drejtore, në xhiro-llogarinë e kombinatit të duhanit "Boro Petrushevski" të Kumanovës ka hyrë, në mënyrë të dyshimtë, një shumë e madhe parash nga Kosova.

Maqedonia, Kosova, Bullgaria dhe Serbia janë vetëm disa prej vendeve të Ballkanit, ku prej vitesh kanë hyrë tonelata cigare që prodhoheshin, në mënyrë jolegale, në repartet e kombinatit të lartpërmendur të duhanit, pronar dominant i të cilit ka qenë Bajrush Sejdiu. Deri tani, janë zbuluar 17 persona "pika-kontakti" ndërkombëtare të Sejdiut në disa vende të Evropës. Shumica e firmave të huaja dhe vendëse nuk e dinin se shpërndanin cigare të prodhuara në mënyrë jolegale, pasi etiketat e tyre ishin të falsifikuara në mënyrë të përsosur. Policia maqedonase po bashkëpunon me policitë e disa vendeve të huaja për përcaktimin e kontakteve që Sejdiu ka pasur në vende të tjera dhe të mënyrës sesi zhvillohej transporti i cigareve.

Bajrush Sejdiu, në vitin 2006, bleu 51 për qind të aksioneve të kombinatit të duhanit të Kumanovës dhe që atëherë, filloi të ngrejë "perandorinë" e tij, në të cilën tani bëjnë pjesë dhjetëra firma, hotele e motele, ekipi "Millano" i Kumanovës, stacione furnizimi me lëndë djegëse, një numër makinash luksoze me vlerë prej disa miliona eurosh, etj. Sejdiu dhe 21 të dyshuar të tjerë që konsiderohen si bashkëpunëtorët e tij më të afërt, tani, ndodhen në paraburgim, ndërsa gjykatësit hetimorë që nuk janë pak, po kontrollojnë dokumentet voluminoze që janë konfiskuar gjatë operacionit policor "Hiri". "Gjykatësi hetimor ka urdhëruar paraburgimin e 22 të dyshuarve, ndërsa për pesë të tjerë është vendosur arrest shtëpie me kërkesë të prokurorit. Për katër të tjerë është vendosur që të mbrohen duke qenë të lirë", deklaroi Dobrilla Kaxharska, kryetare e Gjykatës Penale të Shkupit. Në hetime, krahas policisë, janë përfshirë edhe Drejtoria për të Ardhurat Publike (DAP), Policitë Financiare dhe Doganore, ndërkohë që dokumentet po kontrollohen edhe nga inspektorët e taksave. Drejtori i DAP-it, Goran Trajkovski, bëri të ditur se, deri tani, është përcaktuar se Bajrush Sejdiu ka dy milionë euro taksa të papaguara. Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, nga ana e saj, bëri të ditur dje se "ne tani po hyjmë në fazën e dytë të operacionit ‘Hiri‘, në kuadrin e së cilës do të bëhet një analizë suplementare e lidhjeve të ndërsjella dhe farefisnore të të dyshimtëve dhe të çdo lloj lidhjeje tjetër të shoqërive tregtare ose të individëve, të përfshirë në rastin në fjalë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›