E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv nga Serbia për vrasjen e Pukaniç

Atentatori i botuesit dhe gazetarit të njohur kroat, Ivo Pukaniç, dhe të kolegut të tij, Nike Franjiç, që u vranë të enjten në mbrëmje në mes të Zagrebit, pas shpërthimit në makinën "Leksus", ku ata po hipnin në oborrin para selisë të së përjavshmes "Nacional", erdhi aty jo shumë kohë pak para shpërthimit, "ngjiti" me profesionalizëm, si një zanatçi i vërtetë, lëndën eksplozive poshtë makinës, pranë rrotës së majtë, ku ajo nuk dukej fare nga jashtë edhe po të ulje kokën, e komandoi shpërthimin, u sigurua se viktimat gjetën vdekjen, i hipi motoçikletës, me të cilën kishte ardhur dhe u zhduk si era me shpejtësi nga vendi i krimit, shkruan gazeta e përditshme kroate "24 Sata", duke iu referuar burimeve të mirinformuara brenda policisë kroate. Kamerat e jashtme që vëzhgojnë oborrin para ndërtesës, ku ndodhet selia e së përjavshmes "Nacional", thonë burime të policisë kroate, kanë filmuar momentet e fundit të jetës së Pukaniçit dhe të Franjiçit.

Në videoregjistrim duket se si ata të dy iu afruan makinës, e cila u hodh në erë pas disa sekondave. Madje, sipas burimeve të mësipërme, kamera ka regjistruar edhe se si vrasësi është shtrirë poshtë makinës që të vendoste eksplozivin vrastar. Në fakt, i gjithë oborri që ndodhet para "Nacionalit" dhe ku parkohen makinat, vëzhgohet nga një numër kamerash, prandaj duket e habitshme kuraja e atentatorit, megjithëse ai ishte i maskuar. Po ashtu, atentatorin e ka favorizuar fakti se Pukanoviçi e parkonte makinën e tij gjithnjë në të njëjtin vend të oborrit, duke i lënë kështu kohë vrasësit të zinte vend dhe të përgatitej. Hyrja në këtë oborr pothuajse nuk ruhet, kështu që aty mund të hyhet lehtë, madje edhe me motoçikletë, duke anashkaluar rampën që ulet e ngrihet kur hyjnë e dalin makinat e të punësuarve jo vetëm të "Nacionalit", por edhe të disa firmave e ndërmarrjeve të tjera që ndodhen në ndërtesat që rrethojnë oborrin, ku gjetën vdekjen Pukaniçi dhe Franjiçi.

Njohës të mirë të lëndëve eksplozive, të cilëve u referohet gazeta e mësipërme, bënë të ditur se, sipas tyre, fjala është për eksplozivin plastik ushtarak PEP 500, që ka qenë prodhuar në Serbi deri në vitet ‘90, por, ka shumë të ngjarë, që prodhimi i tij ka vazhduar, në mënyrë ilegale, edhe më pas. Ata thonë se askush nuk e di sesa eksploziv të tillë ka mbetur në Serbi dhe se ai ka vazhduar të prodhohet për nevojat e ilegalitetit dhe të terrorizmit në atë vend. Këtë lloj eksplozivi e kanë përdorur, në shpesh raste, pjesëtarët e forcave policore speciale antiterroriste famëkeqe serbe "Beretat e kuqe", tashmë të shpërbëra, një numër i konsiderueshëm i të cilëve u bashkua me Klanin kriminal të Zemunit, në larjen e hesapeve brenda radhëve të veta.

Eksplozivi në fjalë është i atillë saqë ai nuk i humbet vetitë e tij edhe po të rrijë vite të tëra pa u përdorur, mund të përdoret në çdo kohë të vitit dhe nuk reagon ndaj ndryshimeve të temperaturës, i shpjeguan gazetës së mësipërme disa prioteknikë kroatë, sipas të cilëve, ka shumë mundësi, që atentatori e ka shpërthyer eksplozivin me telefon celular, që do të thotë se ai i ka parë me sy të gjitha lëvizjet e Pukaniçit e të kolegut të tij dhe se, kur ata të dy sapo po bëheshin gati të hynin në makinë, ai ka formuar numrin përkatës, të cilit i është "përgjigjur" pajisja eksplozive e montuar brenda makinës.

Vrasja e botuesit të "Nacionalit" dhe të kolegut të tij konsiderohet, përgjithësisht, në Kroaci si një sfidë dhe "demonstrim muskujsh" që mafia i bën shtetit të Kroacisë dhe luftës kundër saj. Opinioni publik në vend është i ndarë në konsideratat nëse edhe Kroacia, ashtu sikurse Serbia, ka nevojë për një operacion policor të shkallës së gjerë, si ai që u ndërmor në Serbi me emrin e koduar "Shpata", menjëherë mbas vrasjes, para më shumë se pesë vjetësh, të Kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Zoran Gingjiç. Sidoqoftë, rastësisht ose jo, në Zagreb sapo ka ardhur për vizitë një funksionar i lartë i policisë serbe.

Ndërkohë, policia e Zagrebit arrestoi dje disa persona me dyshimin se kanë lidhje me vrasjen e pronarit të së përjavshmes "Nacional", Ivo Pukaniç dhe bashkëpunëtorit të tij Niko Franjiç.
Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së Zagrebit, Aleksandra Luba, theksoi se janë arrestuar disa persona nga Zagrebi dhe komunat Vukovar e Sremit, por për arsye hetimore nuk zbuloi numrin dhe identitetin e të arrestuarve. Luba përgënjeshtroi pohimet e disa mediave se policia dje ka biseduar me bashkëshorten e Pukaniçit.

Kryeministri

Sanader: Kroacia, jo si Bejruti

Kryeqyteti i Kroacisë, vetëm pak më shumë se dy javë, përsëri është vendosur në rrethimin e policisë. Kësaj here, si shkas shërbeu vrasja e njërit prej gazetarëve më kontraversalë kroatë, Ivo Pukaniç, pronar i së përjavshmes "Nacional", dhe të kolegut të tij, Niko Franiç, që punonte në zyrën e marketingut të kësaj së përjavshmeje. Të dy ata gjetën vdekjen si pasojë e shpërthimit të një lënde eksplozive të vendosur poshtë makinës së markës "Leksus" të Pukaniçit, ndërsa ata të dy po hipnin në këtë makinë, të parkuar diku, pranë qendrës së Zagrebit, të enjten në orën 18:20. Ivo Pukaniç ka qenë edhe më parë objektiv atentatesh.

Media kroate bën të ditur se në Zagreb, mbas shpërthimit, mbretëronte një kaos total. "Në oborrin e një objekti ndodhi një shpërthim i një lënde eksplozive, deri tani të panjohur, që shkatërroi plotësisht një makinë, ku ndodheshin edhe dy persona që gjetën vdekjen", njoftoi një zëdhënës i policisë kroate. Media kroate e lidh vrasjen e Pukaniçit me vrasjen para pak kohësh së Ivana Hodakut, e bija e një avokati të njohur kroat që mbron gjeneralin në pension, Vladimir Zagorac, të akuzuar për përvetësim të pasurive shtetërore. Pak ditë para vrasjes me dy plumba në kokë, sipas stilit mafioz, Ivana Hodaku ishte temë qendrore e një shkrimi të botuar në "Nacional". "Mafia po bën qejf", "Janë Mafia dhe krimi i organizuar ato që kanë në dorë jetët e njerëzve dhe jo shteti", etj., ishin disa nga titujt e shkrimeve të botuara sot (të premten) në gazetat kroate.

Pas vrasjes së disa figurave të njohura që kanë ndodhur muajt e fundit në Zagreb e qytete të tjera kroate, Kryeministri Ivo Sanader shkarkoi ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë, si dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë. Kryeministri Sanader, sapo mësoi për vrasjen e pronarit të "Nacionalit", organizoi të enjten në mbrëmje një konferencë shtypi, ku vuri në dukje se, tashmë, nuk bëhet më fjalë vetëm për kriminalitet të organizuar, pasi atentati i fundit ka shenjat e akteve terroriste. Ai, edhe një herë tjetër, theksoi se qeveria dhe institucionet shtetërore do ta intensifikojnë më tej luftën kundër krimit të organizuar në vend. "Nuk do të lejojmë që Kroacia të bëhet si Bejruti", theksoi Sanaderi, duke vënë në dukje se, për zgjidhjen e rastit të ri të vrasjes, janë angazhuar kuadrot më me përvojë në Policinë e Shtetit dhe MPB. Pasi bëri të ditur se ka thirrur në një mbledhje Këshillin për Sigurimin Kombëtar, ku pritet të marrin pjesë edhe të gjithë kryetarët e partive parlamentare kroate, ai nënvizoi se do të intensifikohet më tej puna për hartimin e një pakete ligjesh antimafia. Ministri i ri i Brendshëm, Tomisllav Karamarko, tha se ishte ende shpejt të flitej për autorët eventualë e motivet e atentatit vdekjeprurës dhe se opinioni publik do të informohej rregullisht për zhvillimin e hetimeve. Një pyetjeje të bërë nga një gazetar se a do të thotë kjo se, 16 ditë pas vrasjes, m‘u në mes të Zagrebit së Ivana Hodakut, vrasja e Ivo Pukaniçit, përsëri m‘u në mes të Zagrebit, do të thotë se krimi i organizuar nuk do t‘ia dijë për masat që merr shteti dhe qeveria kundër tij, Sanaderi iu përgjigj se atij i duket se, "në këtë rast, kemi të bëjmë me diçka shumë më tepër se sa me larje hesapesh nga ana e botës së krimit". Kurse një pyetjeje tjetër lidhur me atë nëse qeveria ka në plan të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme në Zagreb, Kryeministri Sanader iu përgjigj negativisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›