E Diel, 1 Nëntor 2026

30 gjimnazistë aplikojnë për studimet e larta në Bullgari

Nxënës ambiciozë të viteve të treta në shkollën e mesme "Hasan Tahsini" në qytetin e Sarandës janë ngacmuar paraditen e së hënës për t‘u dhënë një tjetër drejtim studimeve të tyre të larta. Kjo ka ndodhur pas prezantimit që kanë bërë para tyre dy pedagoge të Universitetit Amerikan në Bullgari. Jo pak prej tyre, të joshur nga oferta bullgare, kanë nisur qysh dje mbushjen e formularëve të parë, për të vijuar më pas me aplikimet nëpërmjet internetit. Profesoreshë Evelina Kelbecheva dhe Evdokia Laleva nga Universiteti Amerikan në Bullgari kanë çelur një dritare të re për dhjetëra gjimnazistë hasantahsinas në qytetin e Sarandës. Oferta e paraqitur prej tyre ka qenë joshës për nxënësit më të mirë sarandjotë, që njëherësh nuk ndajnë nga kushtet e mira që ata kërkojnë për studim edhe koston e ulët të tyre. Prof. Evelina Kelbecheva tha se 60 studentë në Universitetin Amerikan të Bullgarisë janë nga Shqipëria, nga qytete si Tirana, Berati, Vlora e Durrësi. "Por tani mësojmë, tha ajo, se gjimnazi i Sarandës është nga më të mirët në Shqipëri dhe kjo puqet me synimin tonë për studentë cilësorë". Standardet bashkëkohore të mësimdhënies dhe kushtet speciale të akomodimit e trajtimit në mjediset e këtij universiteti, shoqëruar edhe me punësim të garantuar në Amerikë gjatë muajve të verës, kanë qenë nxitje që të paktën 30 nxënës sarandjotë të nisnin qysh nga dita e djeshme mbushjen e formularëve, për të vazhduar me aplikimin përmes internetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›