Emigrantët do pajisen në kohë me dokumentet e reja të identitetit
Ministri i Brendshëm, Noka takon përfaqësues të kompanisë Aleat
Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, priti sot drejtuesit e Kompanisë Aleat, Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë koncesionare Aleat, z. Jean-Alain Jouan (Zhan Alën Zhuan), dhe Drejtorin e Fondit Shqiptaro Amerikan të ndërmarrjeve z. Martin Mata, të cilët pasi i uruan z. Noka detyrën e re, i dorëzuan certifikatën më të lartë të sigurisë, sipas standardit ISO 27001:2007, dhënë për sistemin shqiptar të personalizimit të dokumentave biometrikë të Identitetit. Kjo është një tjetër arritje për sigurinë e dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë dhe, paralelisht, një plotësim i termave të koncesionit. Standardi ISO 27001:2007, është një standard shumë i lartë, që shumë pak institucione i plotësojnë standardet për ta pasur atë. Z. Zhuan, nënvizoi bashkëpunimin e deritanishëm, si një bashkëpunim të shkëlqyer me pritshmërinë për të vijuar edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij Ministri Noka, vlerësoi dhe falënderoi z. Zhuan për bashkëpunimin në vijimësi, duke shprehur bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe e cilësoi marrjen e kësaj certifikate, “si një arritje shumë të madhe në sigurinë e dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë”. Gjithashtu, z. Noka parashtroi kërkesën për marrjen e të gjitha masave për të përballuar fluksin e mundshëm gjatë kësaj periudhe pushimesh, kur me mijëra bashkatdhetarë që vijnë në atdhe, do të paraqesin kërkesat për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit, pasi nga ana e zyrave të gjendjes civile janë marrë të gjitha masat për t’u shërbyer në kohë shtetasve shqiptarë.
Z. Zhuan e siguroi Ministrin e Brendshëm, z. Noka se kompania Aleat, ashtu sikundër edhe në të shkuarën, do të tregojë fleksibilitetin dhe angazhimin maksimal dhe do të marrë të gjitha masat për t’ u shërbyer shtetasve shqiptarë në kohë dhe cilësi.