E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, jo më para në Shqipëri

Tkurren paratë që emigrantët sjellin në Tiranë për të blerë shtëpi

Kriza ekonomike në botë, mesa duket po prek edhe Shqipërinë, pavarësisht kundërshtimit të këtij fakti nga qeveria shqiptare. Një ulje drastike të shitjeve të pasurive të paluajtshme paraqet një numër i madh agjencish imobilare në Tiranë, të cilat sipas tyre rrezikojnë të mbyllen. Sipas një shifre mesatare, shitjet gjatë këtij viti deri më tani kanë arritur në masën 50 për qind, pra gjysma e pikësynimeve të vendosura në janar të këtij viti. Ulja e interesit të emigrantëve për të blerë shtëpi, gjatë këtij viti është mjaft shqetësues. Në krahasim me tre vitet e shkuara, këtë vit kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës së emigrantëve për shtëpi, në zonat e Tiranës. Sipas Ilir Hasimit, kreu i një agjencie imobilare, kjo vjen si pasojë e krizës ekonomike që ka pushtuar vendin e tyre. “Shumë qytetarë shprehen se nuk janë në gjendje të prenotojnë shtëpi, pasi kanë tre muaj që nuk kanë marrë ende rrogën në vendin e tyre”,- shprehet Hasimi. Mossjellja e parave nga emigrantët është ndjerë shumë në tregun vendas. Shumë prej këtyre agjencive nuk kishin kërkesa fare për të blerë apartamente në Shqipëri deri më sot. Faktor tjetër që ka ndikuar natyrisht si tek konsumatori shqiptar ashtu edhe tek ai i huaj është një rritje e madhe e çmimeve që kanë pësuar apartamentet edhe në zonat më periferike. Në këto zona në qoftë se e krahasojmë me vitet e kaluara, çmimi është rritur nga 300 euro m2 në 550 euro m2. Kjo natyrisht që ka ndikuar në uljen e kërkesës për këto pasuri.

Të huajt, të interesuar për pasuri të paluajtshme, por zhgënjehen nga abuzimet

Abuzimet dhe informaliteti zhgënjejnë investitorët e huaj

TIRANË- Një fenomen mjaft shqetësues për thithjen e investimeve të huaja është shfaqur gjatë këtij viti në Tiranë. Një numër i madh agjencish imobilare na komunikojnë se kanë kontakte të shpeshta me shtetas të huaj, të cilët janë të interesuar për të blerë një apartament në qytetin e Tiranës. Pavarësisht këtij fakti të gëzueshëm, që çdo individ e koncepton si një rritje të interesit të të huajve për tregun vendas, realiteti na shfaqet krejt ndryshe. Sapo shkelin në Tiranë, të huajt hasin një sërë abuzimesh, të cilat nuk lejojnë hapësira investimi. Shumë prej agjencive shprehen se u komunikojnë këtyre shtetasve një çmim standard i cili aplikohet edhe për qytetarët shqiptarë. Por kur ndërtuesit, pra ata që ofrojnë për shitje një pasuri të paluajtshme përballen me shtetas të huaj, menjëherë kërkojnë të përfitojnë prej tyre në forma të ndryshme duke rritur në nivele shumë të larta çmimin, gjë e cila sjell edhe zhgënjimin e të huajve. Ky fakt mund të konstatohet shumë lehtë, ku shumë oferta të paraqitura për dhënie me qira ndryshojnë duke shfaqur një çmim për shtetasit shqiptarë dhe një çmim shumë herë më të lartë për shtetasit e huaj. Ky natyrisht që është një fenomen paradoksal. Duke u përballur me këtë diskriminim dhe me një moskontrollim nga ana e instancave shtetërore përkatëse të këtyre abuzimeve, pothuajse të gjithë shtetasit e huaj vendosin që të largohen për të gjetur strehën e tyre të investimit në vendet fqinje të cilat ofrojnë një treg shumë herë më të favorshëm se sa ai shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›