E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i BSH: Bie interesi për blerje shtëpish në Tiranë

Tregu imobilar në krizë, pas uljes së kërkesës për të blerë apartamente. Emigrantët dhe kreditë, shkaqet e krizës

TIRANË – Tregu vendas ka një ulje të konsiderueshme të shitjeve të pasurive të paluajtshme, kryesisht të apartamenteve. Nga një vëzhgim i bërë në agjencitë imobilare në Tiranë, rezultoi se shumica prej tyre rrezikonin të mbylleshin, pasi shitjet e tyre këtë vit nuk kanë arritur as shifrën 50 për qind, krahasuar me një vit më parë. Në krahasim me tre vitet e mëparshme rezulton se gjatë vitit 2008 kemi një ulje të ndjeshme të kërkesës për apartamente. Sipas specialistëve, arsyet janë të shumta. Tërmeti i krizës ekonomike në botë, mesa duket gjatë këtij fundviti po jep efekt edhe në Shqipëri. Prurjet e parave nga emigrantët janë ulur në masë të konsiderueshme gjatë këtyre muajve të fundit, ndërsa shtrëngimi i kushteve për kreditë është një faktor kyç, që ka ndikuar mbi shtetasin shqiptar.

Gjithashtu nga vëzhgimi i bërë nga agjencitë imobilare rezultoi nga statistikat që ata paraqitën se ka gjithashtu një ulje të ndjeshme edhe të kërkesës së emigrantëve për të blerë shtëpi, forcë kjo që ka qenë mbizotëruese në vitet e kaluara. Këto shifra të ulëta gjatë këtij viti i konfirmon edhe Banka Qendrore e Shqipërisë. Nga një studim për 6 -mujorin e parë të vitit 2008 të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka arritur në disa konkluzione edhe për fushën e pasurive të paluajtshme. Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm numri i lejeve për ndërtime të reja, në krahasim me një vit më parë, por ka një ulje të kërkesës për kredi në krahasim me 6-mujorin e dytë 2007. “Kjo do të ndikojë që shumë prej apartamenteve nga gjendja aktuale e tregut të jenë ende të pashitura edhe pse mund të jenë përfunduar”,-thuhet në këtë studim.Një faktor që ndikon ndjeshëm edhe tek prirja e konsumatorit për të blerë një apartament është kredia. Një sërë individësh përdorin kredinë bankare për të blerë shtëpi. Por këtë vit kemi një shtrëngim të dhënies së kredisë në krahasim me vitet e kaluara si për individët e thjeshtë ashtu edhe për bizneset. BSH numëron një sërë faktorësh që kanë çuar në këtë situatë. Faktorët pengues, sipas raportit të BSH kanë qenë gjendja financiare e individëve, duke u nisur edhe nga kreditë me probleme që shfaqin një pjesë e shoqërisë, ku nuk janë korrektë apo edhe vonojnë me muaj të tërë shlyerjen e kredisë.

Situata e pritshme makroekonomike, e parashikuar nga BSH është një faktor pengues mjaft i rëndësishëm. Gjithashtu edhe problemet specifike ku vepron biznesi si edhe vendimet e Bankës Qendrore për Bankat e Nivelit të Dytë janë ndikues në shtrëngimin e dhënies së kredive. Kredia për individët, sipas BSH, ka një tendencë rënëse gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, duke arritur në 44.3 për qind nga 57.5 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Kjo i atribuohet, sipas BSH, ngadalësimit të kredisë për konsum. Kështu që vështirësia për të marrë një kredi do të ndikojë ndjeshëm në tregun vendas, pasi po t’i referohemi përsëri BSH, sektori i ndërtimit dhe industria thithin 77 për qind të kredisë, shumë kjo të cilën e përdorin për të mbuluar nevojat e tyre për likuiditet dhe financimin e investimeve në pasuri të paluajtshme. Ndërsa rritjen e çmimeve në ndërtim, Banka e Shqipërisë e justifikon me faktin e rritjes së çmimeve të materialeve.

1.3 %

Mesatarisht më shtrenjt se një vit më parë kushtojnë materialet e ndërtimit. Kjo si pasojë e rritjes së çmimit të tyre në të gjithë botën

7.5 %

Është rritja mesatare e pagave dhe transportit në fushën e ndërtimeve. Sipas këtyre llogarive, ndërtuesit kanë humbje 1 % të fitimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›