E Diel, 1 Nëntor 2026

Qirjako: Dokumentet që duhen për tapinë, pas legalizimit

Drejtori i Hipotekës, Arben Qirjako, shpjegon përmes një interviste gjithë problematikën që shfaqet në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

TIRANË – Kreui Hipotekës, Arben Qirjako, ka deklaruar përmes një interviste dhënë për gazetën “Shekulli”, se shqetësimi i qytetarëve apo vonesat që mund të hasin këta të fundit vijnë si pasojë e sistemit, i cili nuk i përgjigjet totalisht problemeve, që shfaqen në këtë institucion çdo ditë. Megjithatë, sipas Qirjakos, ky sistem është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit. Në lidhje me abuzimet e ndryshme dhe mbivendosjet e pronave, Kryregjistruesi na thotë se këto kanë ardhur si pasojë e institucioneve të mëparshme që kanë pasur të drejtën e dhënies së një titulli pronësie.

Qytetarët shpeshherë ankohen për vonesa dhe shërbim jocilësor në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Duket se angazhimi që keni ndërmarrë kohë më parë për të përmirësuar shërbimin, nuk ka marrë vëmendjen e duhur?

Nuk e përjashtoj mundësinë që qytetarët shpeshherë të jenë të pakënaqur me shërbimin që ofrohet nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe besoj se ky shqetësim do të jetë konstant derisa të marrë një përgjigje përfundimtare nga ana e sistemit. Por një gjë është e sigurt, shërbimi sot në 2008 është shumë herë më i mirë se ai që ofrohej përpara. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethet kryesore të vendit ofrojnë shërbimin elektronik të aplikimit. Kjo ka zhdukur rradhët dhe ka shkurtuar kohëzgjatjen e një aplikimi dhe ka vendosur një standard unifikues në përpunimin e aplikimeve. Aplikimet e qytetarëve ruhen në një database dhe punonjësit e kanë të pamundur t’i shmangin ato. Kohëzgjatja e përpunimit të një praktike në ZVRPP është shkurtuar ndjeshëm gjithashtu dhe kjo ka bërë që ZRPP-ja të marrë vlerësime edhe nga Banka Botërore, duke shënuar një përmirësim prej 20 shkallësh brenda një viti në raportin “Të bësh Biznes”. Ne gjithashtu bëjmë monitorime të vazhdueshme për cilësinë e shërbimeve që ofrojmë. Aktualisht kemi një projekt të financuar nga ambasada britanike, me anë të të cilit po testojmë përmirësimin e shërbimeve tona dhe pikat ku çalojmë dhe ku duhet të përqendrohemi më shumë.

Qytetarët kanë shumë ankesa në lidhje me mbivendosjen e pronave, duke u shfaqur dy ose më shumë pronarë për një truall. Cila ka qenë zgjidhja që institucioni juaj i ka dhënë këtij problemi? Nga ana tjetër, kemi informacion se fshirja e pronave të mbivendosura ka hasur vonesa...

Së pari, mbivendosjet janë krijuar për shkak të abuzimeve të ndryshme që kanë bërë institucionet që kanë tagrin ligjor për të dhënë një titull pronësie. ZRPP-ja e ka pasur të pamundur edhe për shkak të sistemit të papërshtatshëm të pengonte regjistrimin e titujve të pronësisë për të njejtën sipërfaqe. Tashmë mund të themi me bindje se nuk krijohen më mbivendosje mbi të njejtën sipërfaqe pasurie pasi edhe sistemi e garanton një gjë të tillë. Qeveria për më tej ka bërë të mundur kalimin në parlament të ndryshimeve ligjore që autorizojnë Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të fshirë mbivendosjet e krijuara dhe regjistrimet e paligjshme. Për këtë është standardizuar edhe procedura me anë të një VKM-ja dhe pastrimi i pronave të dubluara po ecën në vijimësi. Natyrisht, që mbetet një proces i vështirë dhe ne këtë e kemi thënë që në krye të herës, por angazhimi ynë është që të krijojmë një regjistër unik të pronave. Qytetarët bëjnë kërkesa për fshirje në vijimësi dhe ZQRPP në bazë të procedurës del me vendime, të cilat do të publikohen shumë shpejt të gjitha në faqen e internetit të ZQRPP-së.

Një udhëzim i nxjerrë nga qeveria për të verifikuar pronën në origjinë duket se ka shkaktuar shumë telashe, shumë njerëz që e kanë blerë një pronë me dokument të lëshuar nga Zyra juaj, tashmë nuk mund ta rifreskojnë dokumentin, duke çuar në bllokimin e pasurisë. Si keni menduar t’i jepni zgjidhje ketij problemi?

Udhëzimet e qeverisë ndaj ZQRPP-së janë të qarta; të bllokohen abuzimet e mëtejshme me regjistrimin e pronave, dhe të zgjidhen problemet e krijuara në këto 17 vjet të funksionimit jonormal të ZRPP-së. Ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe ZRPP zbaton në bazë të procedurave të miratuara këtë qëndrim. Është e vërtetë se ka një udhëzim për të verifikuar në origjinë pronat dhe unë këtë e shoh shumë në mënyrë pozitive. Ne nuk mund të lejojmë tjetërsimet e paligjshme të pronave dhe as përdorimin e pronës nga një pronar i paligjshëm, ne do të bëjmë gjënë e nevojshme që brenda kuadrit ligjor, t’i bëjmë të mundur pronarit të ligjshëm, që ta zotërojë atë pronë. Kryeregjistruesi nuk mund të gjykojë dhe nuk është detyrë e tij të gjykojë se çfarë ndodh jashtë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, detyra e Kryeregjistruesit është të zbatojë ligjet në funksion të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarit dhe të pengojë abuzimet e mëtejshme me pronat.

Ndryshimet që janë bërë në ligj vitin e kaluar, janë plotësuar me vonesë me akte nënligjore. A ka shumë kërkesa të qytetarëve, që nuk kanë marrë zgjidhje ende për shkak të këtyre vonesave?

Qeveria shqiptare ka miratuar të gjitha aktet nënligjore në zbatim të ndryshimeve ligjore që janë kryer dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive tashmë ka të gjithë procedurën e nevojshme për t’i dhënë përgjigje çdo kërkese të qytetarëve. Jemi të angazhuar maksimalisht që edhe për ato raste të paqartësisë ligjore që ka ekzistuar deri tani dhe që kanë marrë zgjidhje, të punojmë maksimalisht për të rimarrë kohën e humbur nga paraardhësit. E rëndësishme për qytetarin është se tani nuk ka më vakum ligjor për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre.

Shumë njerëz ankohen për dokumente që janë zhdukur në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Çfarë po bëhet me këto çështje?

Është e vërtetë që në Zyrën e Regjistrimit është vepruar më parë në këtë formë aq sa kemi evidentuar raste të zhdukjeve të dokumenteve. Për këtë arsye ne jemi në përfundim e sipër të inventarizimit të të gjithë dokumentacionit që administron ZRPP-ja. Fatkeqësisht në këtë institucion nuk ka pasur inventar, por deri tani ka përfunduar në shumicën e ZVRPP-ve dhe është në përfundim e sipër në Zyrat që administrojnë volum të madh dokumentacioni. Përsa i përket atyre mungesave në dokumentacion, në çdo rast të evidentuar ne komunikojmë me qytetarin dhe institucionet që kanë lëshuar këto dokumente për të bërë plotësimin e nevojshëm. Unë e kuptoj shqetësimin e qytetarëve për këtë çështje, por nuk është një problem që duhet dramatizuar, pasi është problem i zgjidhshëm.

Çfarë rruge do të ndjekë zyra juaj në lidhje me titujt e pronësisë që do të vijnë sipasojë e legalizimit?Shumë prona të legalizuara do të kërkojnë të regjistrohen në ZRPP, a keni krijuar kushtet për të mos vonuar procesin?

Procedura për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të legalizuara është përcaktuar qartësisht me vendimin 258 të Këshillit të Ministrave, i cili tregon detyrimet e ALUIZNI-t dhe të ZRPP-së. Në bazë të kësaj procedure Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t paraqet për çdo legalizim pranë ZVRPP-së dokumente si: lejen e legalizimit të objektit, genplanin e objektit, planimetrinë për çdo kat, volumet e kartelave, regjistrin e parcelave ndërtimore dhe Hartën treguese të përditësuar. ZVRPP-ja brenda 15 ditësh nga marrja e kësaj kërkese verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë dhe kryen procedurat e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje. ZQRPP-ja për të krijuar lehtësira në këtë proces ka lidhur edhe marrëveshje bashkëpunimi me ALUIZNI-n, të cilat kanë treguar efikasitet.

Ka shumë qytetarë që kanë blerë shtëpi në pallate të reja, por që deri më tani ato nuk janë të hipotekuara. Çfarë qëndrimi ka mbajtur zyra juaj për këtë problem dhe çfarë zgjidhje keni propozuar?

Problematika është shumë diverse për këtë problem dhe qëndrimi ynë është i ndryshëm për raste të ndryshme. Gjithsesi, unë mund të them se gjatë vitit 2007 ne kemi krijuar lehtësira në regjistrimin e rreth 15 mijë apartamenteve që nuk regjistroheshin më parë. Natyrisht që ky problem nuk ka marrë fund, por qytetarët që kanë blerë një apartament dhe nuk e kanë të regjistruar duhet të dinë se kjo nuk vjen për shkak të pengesave që krijon ZRPP-ja, por për shkak të problemeve tekniko-ligjore që kanë ardhur si pasojë e moszbatimit të ligjit nga ana e kompanive ndërtuese dhe bashkive respektive.

Ju jeni duke zbatuar një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore. Një prej objektivave kryesore është kompjuterizimi i sistemit, i cili duket se ka hasur vonesa. A mund të quhet dështim ky?

Projekti LAMP është shumë i rëndësishëm për sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe po ecën me hapa të shpejtë dhe për këtë mund të kontaktoni edhe me Bankën Botërore, e cila është mbikqyrëse e zbatimit të projektit. Vonesat në komjuterizimin e sistemit kanë ardhur për shkaqe objektive pasi ne po testonim mënyrën më të mirë për të pasur një produkt të mirë dhe që do t’i rezistojë kohës. Tashmë ne kemi lidhur një marrëveshje me homologët tanë në Suedi, të cilët njihen për një sistem perfekt të regjistrimit të pasurive, të cilët kanë marrë përsipër, madje me një fond të tyre, që të disejnojnë sistemin e komjuterizuar dhe brenda këtij muaji fillon puna për të realizuar këtë objektiv. Natyrisht që ky nuk është dështim, por shumë shpejt do të jetë një ndër arritjet më të mëdha për ZRPP-në.

Shumë njerëz mendojnë se dixhitalizimi i sistemit të regjistrimit të pasurive vonohet qëllimisht për të lënë hapësira korrupsioni. Sa i vërtetë është ky dyshim?

Më lejoni t’ju bëj me dije se sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme është shumë kompleks dhe si i tillë nuk mund të trajtohet me pyetje apo me përgjigje sempliste. Në kuadër të projektit LAMP, ne po kryejmë regjistrimin fillestar të 500 mijë pasurive të paluajtshme, po i përmirësojmë të dhënat dhe po dixhitalizojmë ato, proces që në shumë qytete po ecën me ritëm të kënaqshëm. Në Durrës dhe Tiranë thuajse ka përfunduar procesi i skanimit të dokumentacionit dhe këto janë qytetet me volumin më të madh të dokumentacionit. Po kompjuterizojmë sistemin, në mënyrë që ky sistem t’i përgjigjet kërkesave të kohës. Të jetë së pari i sigurt, dhe së dyti fleksibël, pra i shpejtë dhe transparent. Por realizimi i të gjithë këtyre objektivave nuk është fare i lehtë dhe kërkon përkushtim dhe kohë. Në dorën tonë është përkushtimi, çka nuk na mungon, ndërsa qytetarët kanë në dorë kohën që na duhet për të kryer këtë hop të jashtëzakonshëm në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Shqetësimi i qytetarëve

Nuk e përjashtoj mundësinë që qytetarët shpeshherë të jenë të pakënaqur me shërbimin që ofrohet nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe besoj se ky shqetësim do të jetë konstant derisa të marrë një përgjigje përfundimtare nga ana e sistemit

Verifikimi i pronës

Ne nuk mund të lejojmë tjetërsimet e paligjshme të pronave dhe as përdorimin e pronës nga një pronar i paligjshëm, ne do të bëjmë gjënë e nevojshme që brenda kuadrit ligjor, t’i bëjmë të mundur pronarit të ligjshëm, që ta zotërojë atë pronë.

Për zhdukjen e dokumenteve nga ZRPP-ja

Fatkeqësisht në këtë institucion nuk ka pasur inventar, por deri tani ka përfunduar në shumicën e ZVRPP-ve dhe është në përfundim e sipër në Zyrat që administrojnë volum të madh dokumentacioni. Përsa i përket atyre mungesave në dokumentacion, në çdo rast të evidentuar ne komunikojmë me qytetarin dhe institucionet që kanë lëshuar këto dokumente për të bërë plotësimin e nevojshëm.

Për hipotekimin e pallateve të reja

Problematika është shumë diverse për këtë problem dhe qëndrimi ynë është i ndryshëm për raste të ndryshme. Gjithsesi, unë mund të them se gjatë vitit 2007 ne kemi krijuar lehtësira në regjistrimin e rreth 15 mijë apartamenteve që nuk regjistroheshin më parë.

Dokumentet që duhet të plotësojë një qytetar, që kërkon të hipotekojë tokën pas procesit të legalizimit:

-Leja e legalizimit të objektit

-Genplani i objektit

-Planimetria për çdo kat

-Volumet e kartelave

-Regjistrin e parcelave ndërtimore dhe

-Harta treguese e përditësuar

ZVRPP-ja brenda 15 ditësh nga marrja e kësaj kërkese verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë dhe kryen procedurat e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›